Komuniteti ndërkombëtar përshëndet ndryshimet kushtetuese (Video)

Komuniteti ndërkombëtar ka përshëndetur votimin e fazës së fundit të ndryshimeve kushtetuese, që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, me të cilën Maqedonia pëmbyll obligimet që dalin nga kjo marrëveshje dhe e njejta tani duhet të ratifikohet në kuvendin grek. Ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, nëpërmjet një video mesazhi, në emër të SHBA-së uroi vendin për ndryshimin e Kushtetutës dhe tha se me padurim e pret Maqedoninë të bëhet anëtare e NATO-s. Sipas Bejlit, Kuvendi solli vendim historik dhe shtoi se procesi do të përfundojë me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Kuvendin grek.

XHES BEJLI, AMBASADOR AMERIKAN
“Maqedonia solli mori vendim historik. Kuvendi juaj votoi për të miratuar ndryshimet kushtetuese të cilat nevojiten për implementimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. SHBA-ja e mbështet vendimin e deputetëve tuaj. Kur procesi të përfundojë me ratifikimin e marrëveshjes nga ana e Greqisë, kjo Marrëveshje përfundimisht do ta zgjidh kontestin me emrin, i cili për një kohë të gjatë ishte pengesë për qytetarët e Maqedonisë në realizimin e qëllimeve të tyre për anëtarësim në NATO dhe BE”.

Në emër të Bashkimit Evropian, Mogerini dhe Hani i uruan Kuvendit për “hapin krucial drejt implementimit të Marrëveshjes së Prespës”.

BASHKIMI EVROPIAN
“Liderët politik dhe qytetarët e treguan përgjegjësinë e tyre për ta kapur këtë moment unik historik për zgjidhjen e njërit prej kontesteve më të vjetër në rajon dhe me vendosmëri të lëvizin përpara në rrugën drejt BE-së”.

Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, siç shkruan gazeta greke, Katimerini, ka thënë se Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuar për të punuar me të dyja palët që më në fund të zgjidhen dallimet mes tyre.

METJU NIMIC
“I përshëndes hapat përfundimtar të Kuvendin të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. Dua të përgëzoj Kuvendin dhe qytetarët për këtë arritje dhe për mënyrën demokratike të kryerjes së këtij procesi të rëndësishëm. Kjo marrëveshje historike midis dy fqinjëve hap derën për marrëdhënie të reja mes tyre dhe për një themel më të fortë për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Pres përmbylljen e procesit ashtu siç edhe është paraparë në Marrëveshje”.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nga ana e tij i dërgoi tuit të drejtpërdrejtë kryeministrit Zoran Zaev, në të cilin thotë se NATO-ja fuqishëm e mbështet implementimin e plotë të Marrëveshjes, që është kontribut i rëndësishëm për një rajon stabil dhe me prosperitet.

Votimin e ndryshimeve kushtetuese e ka përshëndetur edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Jeremy Hunt. Ai tha se ky proces shënon një hap të madh drejt zgjidhjes së problemit të gjatë rreth çështjes së emrit me Greqinë dhe e afron vendin drejt një të ardhme më të sigurtë, më stabile dhe me prosperitet më të gjërë në zemër të bashkësisë euro-atlantike. Teuta Buçi /SHENJA/