` . Komshiqi, non-paperi, gënjeshtra dhe respiratorët - TV SHENJA

Komshiqi, non-paperi, gënjeshtra dhe respiratorët

Sa herë janë shprehur për rrezikshmërinë e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa asnjëherë për aferën “Respiratorët”, për pacientët e vdekur në Qendrën Klinike ose për vaksinat e pranuara.

Shkruan: Fadil MANDAL, Sarajevë

Së pari mediat pranë OSA-s (shërbimi inteligjent i Bosnjës) dhe personave të ndërlidhur në mënyrë klienteliste edhe çështjeve gjyqësore publikuan se Kryeministri slloven, Janez Jansha, dhe presidenti, Borut Pahor, lobonin në Bruksel për ndarjen paqësore të Bosnjë e Hercegovinës dhe përfundimin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, që në përkthim do të thotë ndryshim i kufijve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë. Ndaj kësaj shumë shpejt reagoi anëtari i Kryesisë së BeH-së, Zheljko Komshiq, duke konfirmuar se Pahori gjatë vizitës së tij të fundit në Sarajevë i pyeti anëtarët e shefit kolektiv të shtetit se a ekziston ndonjë mundësi për ndarje paqësore etnike në Bosnjë e Hercegovinë.

 

Pushkë, rripa, uniformë edhe në kufijtë e Bosnjë e Hercegovinës

 

Shefik Xhaferoviq, një kujdestar i karriges së Bakirit, gjithashtu iu referua bisedimeve me Pahorin, me këtë duke precizuar se ai, Komshiqi dhe Pahori, shprehën pikëpamjet e tyre se nuk mund të kishte shpërbërje paqësore të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa Millorad Dodiku, ashtu siç pritej, tha se një ndarje paqësore e serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve në BeH do të ishte e dëshirueshme. Më pas në rrjetet sociale u ndezën makinat kompjuterike të SDA-së dhe tërë çështjen e ngritën në kub, kështu që në interpretimet e tyre Bosnja e Hercegovina paraqitej një hap më afër shpërbërjes, Europa mezi e pret atë, ndërsa edhe amerikanët janë të dyshimtë. Kjo do të thotë se tanimë është koha për të gjithë me radhë, nga Komshiqi dhe Xhaferoviqi, përmes Bakir Izetbegoviqit, Sifet Podxhiqit, Selma Cikotiqit, Bisera Turkoviqit dhe Fadil Novaliqit, që masës së rëndomtë t’u jepen çizme, uniforma, rripa dhe pushkë, e kështu shpejt e shpejt në kufijtë e Bosnjë e Hercegovinës. Me siguri do të na e mbrojnë shtetin e rrezikuar!

E kotë është që Jansha dhe Pahori në mënyrë të përshpejtuar i demantuan nebulozat (mjegullnajat) nga kuzhina e parainteligjencës. Pahori përsëriti se ai gjithmonë është kundër ndarjes së BeH-së dhe rivendosjes së kufijve në Ballkan, ndërsa veçanërisht e theksoi angazhimin e tij afatgjatë që shtetet e Ballkanit Perëndimor sa më parë të bëhen pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

Madje Janez Jansha precizoi se ai nuk e kishte parë Kryetarin e Këshillit Evropian, të cilit pretendohet se ia kishte dorëzuar “non-paperin” për qëllimet e presidencës sllovene në BE nga 1 korriku i këtij viti (ku gjoja theksohet ndarja e Bosnjë e Hercegovinës dhe përfundimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë), kështu që ai as ishte në gjendje t’ia dorëzonte ndonjë gjë të atillë në mars të këtij viti, siç pretendojnë disa portale në BeH.

Sidoqoftë, ne e kaluam edhe një paradite duke lexuar për skenarët e zymtë, të cilat – gjoja – Europa e, ndoshta, edhe SHBA-ja – i planifikojnë për Bosnjë e Hercegovinën, gjithë kjo kjo me qëllimin e thjeshtë për ta harruar “non-paperin” e Komshiqit, që vërtet ekziston dhe me të cilin ai i tmerroi diplomatët në Bruksel dhe në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në fakt, rrëfimi për Janshën dhe Pahorin duhej të kishte shërbyer si një vazhdim logjik i parandjenjave, telasheve dhe akuzave të Komshiqit në llogari të Brukselit dhe Uashingtonit (të përdredhur) dhe synimeve të tyre të fshehura ndaj BeH-së.

 

Përgjigje e ashpër e Kuint-it “non-paperit” të Komshiqit

 

Ndoshta kjo teknikë manipuluese mediale-politike edhe arriti të qëndrojë më gjatë se disa orë, nëse paraprakisht Komshiqit nuk do t’i kishte arritur përgjigja e ashpër nga vendet e Kuint-it dhe paralajmërimi për t’iu kthyer reformave dhe zhvillimit ekonomik në BeH, në vend që të përdorte retorikën e konfliktit dhe ngritjen e panevojshme të tensioneve politike.

Në fund, megjithatë ai u përpoq dhe sërish e gjuajti një fishek qorr. Cinikët do të thoshin se nëse ai do të kishte folur kaq shumë herë (por asnjëherë) në lidhje me aferën “respiratorët” ose për gjendjen në Qendrën Klinike, e sikur dikush ta kishte parë përpjekjen e tij personale që të vijmë deri të vaksinat shpëtuese kundër koronavirusit, ndoshta dikush sot edhe do të besonte në fatamorganën e tij politike, që shteti i BeH-së, siç ai dhe partnerët e tij nga SDA-ja e përsërisin herë pas here, është i rrezikuar dhe është para shpërbërjes.

Andaj, shfaqjet politike melodramatike të Komshiqit gjithnjë e më shumë duken si një monodramë tragjikomike, në të cilën personazhi kryesor gjithnjë e më pak ta kujton të drejtin Robin Hudin, i cili lufton kundër armiqve të urryer të Millorad Dodikut dhe Dragan Çoviqit, dhe gjithnjë e më shumë gënjeshtrën e Pinokiut të Bakirit, i cili i teston boshnjakët duke përhapur frikë se ku është kufiri pas të cilit edhe ata do të thonë “po mirë është edhe vendi ynë mysliman Bosnja, më i vogël se shteti i BeH-së, por është vetëm i ynë”. (Dnevniavaz.ba).