Komisioni i Kongresit: Fatura “jashtëzakonisht të larta” për Shërbimin Sekret nga pronat e kompanisë Trump

Komisioni i Kongresit: Fatura “jashtëzakonisht të larta” për Shërbimin Sekret nga pronat e kompanisë Trump

Kompania private e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump e bëri Shërbimin Sekret të paguante për dhoma në pronat e tij me një çmim 40 herë më të lartë sesa tarifat e miratuara nga qeveria, përfshirë dy fatura për mbi 1100 dollarë nata për një dhomë, sipas dokumenteve të publikuara të hënën nga një komision i kongresit.

Shërbimi Sekret u faturua me më shumë se 800 dollarë për natë të paktën 11 herë kur agjentët qëndruan në Mar-a-Lago në Florida, në hotelin Trump në Uashington dhe prona të tjera, tha Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen i udhëhequr nga demokratët. Komisioni vuri në dukje se ish-presidenti Trump bëri mbi 500 udhëtime në shtëpitë dhe hotelet e tij kur ishte president.

Faturat “jashtëzakonisht të larta” sugjerojnë “fitime të financuara nga taksapaguesit për bizneset në vështirësi të ish-Presidentit Trump”, shkruante kryetarja e komisionit Carolyn Maloney të hënën në një letër drejtuar Shërbimit Sekret, ku kërkon më shumë informacion për këtë çështje.

Shërbimi Sekret tha se kishte marrë letrën dhe po e shqyrtonte atë.

Organizata Trump mohoi që faturat e Shërbimit Sekret të ishin problematike dhe tha se kishte ofruar dhoma dhe shërbime të tjera në përputhje me koston, me ulje të mëdha ose falas.

“Familja Trump është ndoshta familja e parë në historinë amerikane që nuk ka përfituar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara,” tha i biri i ish-presidentit, Eric Trump në një deklaratë. Ai shtoi se “Presidenti Trump financoi shumicën dërrmuese të fushatës së tij me qindra miliona dollarë nga paratë e tij dhe hoqi dorë nga marrëveshje miliarda dollarëshe në pasuri të patundshme në mbarë botën.”

Organizata Trump faturoi agjencinë përgjegjëse për mbrojtjen e presidentit dhe familjes së tij për të paktën 1.4 milionë dollarë, sipas të dhënave të Shërbimit Sekret të lëshuara nga komisioni.

Komisioni tha se fatura totale ka të ngjarë të jetë më e lartë pasi ligjvënësit kanë marrë të dhëna vetëm deri në shtator 2021 dhe pagesat për udhëtimet jashtë vendit nuk janë përfshirë.

Ish-presidenti është kritikuar vazhdimisht nga demokratët dhe kontrollorët e qeverisë për ata që ata thonë se ishin përpjekje për të fituar para nga paratë e taksapaguesve gjatë presidencës së tij.

Përveç pagesave nga Shërbimi Sekret kur ai dhe familja e tij vizitonin klubet dhe hotelet e tij, zoti Trump priste edhe zyrtarë të huaj në pronat e tij, çka do të thoshte edhe qëndrim në këto prona të agjentëve që I shoqëronin.

Presidenti u përpoq që Klubi i tij Kombëtar i Golfit Doral Trump në Florida të zgjidhej mbajtjen e një takimi të udhëheqësve të Grupit të Shtatëshes, por u tërhoq nga ideja pas kritikave të shumta se po përpiqej të nxirrte fitime për pronat e tij.

Në mesin e dokumenteve të lëshuara të hënën ishte edhe një faturë e lidhur me qëndrimin në vitin 2017 të djalit të madh të zotit Trump, Don Jr., në hotelin Trump International pranë Shtëpisë së Bardhë.

Kjo rezultoi në një faturë prej 1,185 dollarësh për natë për dhomën e përdorur për agjentët e Shërbimit Sekret, më shumë se pesë herë më shumë se norma e miratuar nga qeveria, tha komisioni, megjithëse agjencia lejohet të bëjë përjashtime nga kjo normë.