Kolonët hebrenj sulmojnë autokolonën e kryeministrit palestinez

Kolonët hebrenj sulmojnë autokolonën e kryeministrit palestinez

Kolonët hebrenj javën e kaluar kanë sulmuar autokolonën e kryeministrit të Palestinës, Rami al-Hamdallah, në Bregun Perëndimor të okupuar, njoftoi qeveria palestineze, transmeton AA.

“Autokolona e kryeministrit ishte cak i një sulmë me gurë të një grupi kolonësh hebrenj në postbllokun ushtarak Za’tara në veri të Bregut Perëndimor”, tha në një deklaratë me shkrim Yusuf al-Mahmud, zëdhënësi i Qeverisë së Palestinës.

Sulmi ka ndodhur më 25 dhjetor në orët e mëngjesit, pasi Hamdallah kishte marrë pjesë në meshën që u mbajt në Kishën e Lindjes në Betlehem, tha Mahmud.

Mahmud e ka cilësuar si “terrorist” sulmin në fjalë, duke mos dhënë detaje për të plagosur apo dëmet e shkaktuara nga sulmi.

“Këto sulme do ta gurëzojnë tutje këmbënguljen tonë për luftë kundër okupimit dhe kolonëve”, ka shtuar Mahmud.

Ai njoftoi se sulmi është kryer në afërsi të vendit ku kishte rënë dëshmore edhe palestinezja Aisha al-Rabi, e cila së bashku me të shoqin në muajin tetor u sulmua me gurë nga kolonët.

Organizata radikale hebraike me emrin “HaKibutsa Lişalem HaKinas” (Paguaj Çmimin), e cila njihet për sulme ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Kudsin Lindor, kryen sulme të ngjashme edhe në fshatrat dhe qytetet palestineze në Izrael.

Sipas mediumeve izraelite, sulmet e kryera nga anëtarët e organizatës radikale në fjalë në Bregun Perëndimor janë rritur për 60 për qind në vitin 2018, krahasuar me një vit më parë.

Në një rast në vitin 2015 në qytezën Duma në afërsi të Nablusit, kolonët hebrenj dogjën një shtëpi të palestinezëve, duke shkaktuar vdekjen e foshnjës 18 muajshe Ali Devabishe dhe lëndime të rënda nënës, babait dhe fëmijës tjetër katërvjeçar, Ahmedit, të cilët jetonin në atë shtëpi. Pas sulmit, i cili shkaktoi indinjatë në opinionin palestinez dhe atë ndërkombëtar, babai Saad (31) dhe nëna Riham (28) humbën jetën në spitalin ku po trajtoheshin.

Në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi pas luftës në vitin 1967, gjenden afër 250 vendbanime kolone ilegale, në të cilat jetojnë mbi 600.000 hebrenj.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet hebreje në territoret e pushtuara konsiderohen ilegale.