` . Koha që shqiptarët të mbledhin mendjen - TV SHENJA

Koha që shqiptarët të mbledhin mendjen

Duke dalë nga Kuvendi, opozita mbeti veç me dy mundësi për të luftuar: protestat dhe denoncimet. Të dyja i kishte shfrytëzuar edhe më parë, por pa shumë efekt. Të dyja janë armë efikase për shoqëritë ku ndjeshmëria morale e klasës politike dhe e shoqërisë në tërësi ka një farë standardi. Klasa politike shqiptare dhe shoqëria, në përgjithësi, nuk shquhen për ndonjë standard moral të lartë, kur vjen puna për vlerësimin e veprimtarisë politike

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Më 6 tetor 2019 në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, të cilat kaluan pa incidente dhe u pranuan nga të gjitha partitë. E njëjta gjë ndodhi në Maqedoni të Veriut këtë verë: më 15 korrik 2020 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, të nesërmen Komiteti Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet paraprake dhe jeta politike iu kthye normalitetit. Shqipëria, shtet shumë më i vjetër se të dyja, e ka të vështirë realizimin e një procesi zgjedhor normal, të pranuar nga të gjithë faktorët politikë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare (2017) u zhvilluan në mes të një krize politike të thellë. Opozita kishte shpallur bojkotimin e tyre, por u detyrua të merrte pjesë në ditët e fundit, për shkak të presionit ndërkombëtar. Megjithatë, deputetët e opozitës nuk e përfunduan mandatin.

Në fillim të vitit 2019 deputetët e opozitës hoqën dorë nga mandatet dhe e braktisën Kuvendin e Shqipërisë, por i kishin bërë llogaritë gabim. Vendin e tyre në Kuvend e zunë deputetë të tjerë, duke përfituar nga kodi zgjedhor, i cili mundëson zëvendësimin e vendeve vakante në Kuvend me emrat jofitues të listës zgjedhore. Presioni i opozitës ndaj qeverisë, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme për shkak të dorëzimit të mandateve, gjë që do ta bënte Kuvendin jofunksional, nuk u materializua. Një pjesë e anëtarëve të opozitës, të cilët e kishin emrin në listat elektorale, por që nuk kishin dalë fitues në zgjedhjet e 2017-tës, nuk i qëndruan besnikë vendimit të partisë dhe zunë vendet e liruara në Kuvend. Qeveria e shfrytëzoi këtë mundësi dhe vazhdoi qeverisjen, madje më komode se më parë, sepse deputetët e rinj, një tufë komformistësh, i dhanë asaj mundësinë që të kishte vota për të bërë deri ndryshime kushtetuese, gjë që nuk e kishte realizuar dot deri atëherë, për shkak të numrit të lartë të votave që kërkohen.

Në aspektin e zgjedhjeve gjërat shkuan edhe më keq. Në qershor 2019, u zhvilluan zgjedhjet lokale, në të cilat opozita nuk mori pjesë dhe qeveria vazhdoi me kryerjen e tyre, pavarësisht se procesi nuk e përmbushte kushtin minimal të zgjedhjeve demokratike: ekzistencën e garës politike. Në shumicën e bashkive zgjedhjet u zhvilluan me një kandidat, madje edhe aty ku kishte ndonjë kandidat alternativ karshi atij të qeverisë, ishte formal. Farsa e atyre zgjedhjeve u thellua edhe më tej me numrin e ulët të pjesëmarrjes në votime, e cila llogaritet nga 15-22%, në varësi të kujt dëgjon (shifrën e ulët e jepte opozita, shifra më e lartë qeveria). Sidoqoftë, edhe nëse i referohemi pjesëmarrjes 22% si reale, ajo është një shifër qesharake për t’i konsideruar zgjedhjet njëpartiake të rregullta. Votuesi i braktisi ato zgjedhje, por qëndrimi i tij ra në vesh të shurdhër.

Duke dalë nga Kuvendi, opozita mbeti veç me dy mundësi për të luftuar: protestat dhe denoncimet. Të dyja i kishte shfrytëzuar dhe më parë, por pa shumë efekt. Të dyja janë armë efikase për shoqëritë ku ndjeshmëria morale e klasës politike dhe e shoqërisë në tërësi ka një farë standardi. Klasa politike shqiptare dhe shoqëria, në përgjithësi, nuk shquhen për ndonjë standard moral të lartë, kur vjen puna për vlerësimin e veprimtarisë politike. Besnikëria ndaj partisë dominon mbi besnikërinë ndaj normave morale.

Problemi i zgjedhjeve në Shqipëri është i vjetër. Pas referendumit për kushtetutën më 1994, shumica e proceseve zgjedhore, sidomos për zgjedhjet parlamentare, janë kundërshtuar, herë nga një palë e herë nga pala tjetër. Një nga rastet e pakta që humbësi nuk e ka vënë në dyshim procesin zgjedhor, dhe i fundit, ishte më 2013. Por, nga çfarë u zbulua më vonë, ato zgjedhje u bënë shkaku i gjithë krizës politike të mëvonshme dhe kaosit në institucionet ligjzbatuese dhe të drejtësisë, që ende vazhdon.

Shumë kohë pasi kishin mbaruar zgjedhjet e vitit 2013, të cilat i fitoi Partia Socialiste (PS), filluan të dalin në sipërfaqe problemet. Një numër i konsiderueshëm i deputetëve të partisë në pushtet kishin pasur në të shkuarën probleme me ligjin, në Shqipëri ose vende të tjera. Bëhej fjalë për persona të dënuar për krime të rënda: trafik droge, trafik qeniesh njerëzore, përdhunime ose për vepra të tjera të këtij niveli penal. Jo vetëm kaq, por trendi i futjes në politikë të personave me të shkuar kriminale vazhdoi dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2015 – një numër kryetarësh bashkie që dolën në ato zgjedhje ishin persona me të shkuar kriminale. Dhe, jorastësisht, të gjithë, deputetë e kryetarë bashkish me të shkuar kriminale, i përkisnin vetëm partisë fituese (PS).

Për shkak të këtij realiteti, me iniciativën dhe presionin e opozitës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj për dekriminalizimin (për pastërtinë e figurës, i quajtur ndryshe), në dhjetor 2015, duke i detyruar zyrtarët e lartë, përfshi kandidatët për deputetë, të deklarojnë të shkuarën e tyre.

Vetëdeklarimi (në rast se dikush nuk i deklaron dënimet, dënohet) tashmë është kthyer në normë, por shkalla e mosbesimit të palëve politike ka ardhur në rritje.

Për këtë kanë ndikuar dhe faktorë të tjerë. Nga njëra anë ishte përkrahja e krimit për t’u futur në politikë, ndërsa nga ana tjetër ishte goditja ndaj institucioneve të drejtësisë dhe të tjera. Në emër të reformës në drejtësi është nxjerrë jashtë funksioni Gjykata Kushtetuese dhe vazhdon të jetë e tillë. Pa gjykatë kushtetuese funksionale, Shqipëria nuk mund të konsiderohet një shtet ligjor. Funksionimi ligjor i një shteti nuk duket kur policia arreston dikë për një vepër penale, por kur gjykatat, sidomos gjykata kushtetuese, japin vendim në favor të qytetarëve të pafuqishëm. Në Shqipëri, Kuvendi mund të miratojë çdo ligj që mund t’i shkrepë në kokë dhe askush nuk e frenon dot; një gjë e tillë është tagër vetëm i Gjykatës Kushtetuese, e cila është jashtë funksioni.

Më 2021 në Shqipëri parashikohet të bëhen zgjedhjet e ardhshme, por askush nuk mund të garantojnë zhvillimin e një procesi të rregullt. Partitë kryesore bënë një marrëveshje më 5 qershor, e firmosën në ambasadën amerikane, duke pasur disa ambasadorë si garanci, e cila përfshinte dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Marrëveshja duhej votuar në Kuvend, ku opozita nuk është e përfaqësuar, sepse deputetët që zunë vendet e saj në Kuvend ajo nuk i njeh për të saj. PS-ja, e drejtuar nga kryeministri Rama, e shkeli marrëveshjen dhe në Kuvend miratoi një variant tjetër, gjoja në marrëveshje me deputetët e “opozitës” në Kuvend.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor nuk është as zgjidhje dhe as pengesë për zgjedhjet e radhës. Ai është, ndoshta, ligji më shumë i ndryshuar gjatë 30 vjetëve të fundit, por përsëri zgjedhjet në Shqipëri nuk janë përmirësuar. Ligji, në çfarëdo forme, është një kornizë orientuese për zhvillimin e një procedure, e cila nuk garanton përmbajtjen e saj. Suksesi i zgjedhjeve varet nga vullneti i partive pjesëmarrëse në to, nga morali dhe karakteri i njerëzve që drejtojnë partitë politike.

Mosrespektimi i marrëveshjes së marrëveshjes së 5 qershorit nga PS është shqetësuese, sepse tregon mungesën e vullnetit të njërës palë për t’u qëndruar besnike rregullave të lojës, të cila i pranoi fillimisht me vullnet të lirë. Një veprim i tillë hedh dyshime mbi zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë shumë të rëndësishme për fatin e demokracisë në Shqipëri. Veç kësaj, për shqiptarët mendoj se nuk ekziston ndonjë shpresë për ndihmë nga institucionet ndërkombëtare. Me aktivitetin e tyre përgjatë 30 viteve, edhe besueshmëria e institucioneve ndërkombëtare është kompromentuar në sytë e elektoratit shqiptar. OSBE-ja, që ka qenë institucioni kryesor ndërkombëtar në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, prej janarit drejtohet nga kryeministri shqiptar, i cili është përgjegjës për zgjedhjet problematike në vendin e tij. Për ironi, kryeministri shqiptar, i cili është akuzuar vetë për manipulim zgjedhjesh, kryeson punën e OSBE për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi, ku presidenti aktual akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve. Në 30 vjet Shqipëria mund të mos ketë bërë shumë progres, por kur shikon gjendjen ku kanë mbërritur organizma si OSBE, nuk duhet shpresuar shumë te “ekspertiza” e të tjerëve. Ka ardhur koha që shqiptarët të mbledhin mendjen e të punojnë seriozisht për t’i rregulluar vetë gjërat, pa shpresuar shumë te ekspertiza e mitizuar e organizmave ndërkombëtare.