Koha, aleati më i pabesë i Kosovës dhe Kurtit

Koha, aleati më i pabesë i Kosovës dhe Kurtit

Duke prolonguar vendimet e rënda për kohë tjetër, edhe anëtarësia dhe simpatizantë të LVV-së dhe vetë Kurti ndoshta, kanë besuar se do vijë ndonjë rrethanë më e volitshme, por në dritën e ngjarjeve dramatike në skenën gjeopolitike pas invazionit rus në Ukrainë, më nuk është e sigurt se për kë punon faktori kohë, për Kurtin dhe Kosovën, apo për Serbinë!

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Në tezat për temën bosht të këtij numri veçova si më tërheqëse pyetjen apo dilemën e shtruar nga redaksia: Ku kanë gabuar shqiptarët në këto dy dekada e ku ndërkombëtarët? Bile, në këtë dilemë, si më intriguese m’u duk pjesa e parë, sesa ajo e dytë, sepse, politika ndërkombëtare rëndom shkon një linje të njëtrajtshme, pa shumë “amplituda”. Kjo do të thotë se kur bashkësia ndërkombëtare nis një proces, ajo i ka ndër mend të gjitha aspektet, dhe nuk e ka për qejf që dikush t’ia ndërrojë në agjendën e vet. Edhe kur jo rrallë edhe na duket se nuk e ka drejtë.

 

Kompromiset e rënda si strategji e ndërkombëtarëve

 

Para se t’i kthehem gjysmës së parë të dilemës, për pak ka nevojë të rikujtojmë agjendën ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, për të mos u habitur shumë me atë që ndodh tash. Baza e saj gjithsesi është Pakoja e Ahtisarit, me të mirat dhe të “këqijat” e veta, por si themel mbi të cilën është nisur ndërtesa e pavarësisë. Sado që ajo pako ka paraqitur një bazë të fortë dhe ka gëzuar shqiptarët, të cilëve iu mundësohet ta krijojnë shtetin e dytë në Ballkan, në vete ka pasur edhe elementet e rënda të kompromiseve, të cilat si ka kaluar koha, janë bërë gjithnjë e më të rënda, duke marrë parasysh edhe politizimet e brendshme.

Në mitologji dhe traditën e shumë popujve ka mbetur legjenda që jep një mesazh të përtejkohshëm: miti i flijimit. Kalaja e Rozafës apo Ura e Fshajtë, si variacione të të njëjtit mit, na kujtojnë përherë se flijimi është bazë e çdo gjëje të madhe. Në kontekstin e Kosovës, sigurisht se mbi dhjetë mijë viktima në konfliktin e fundit me Serbinë, ishte flijimi i madh, por nuk ishte flijimi i fundit, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së, e la formalisht Serbinë brenda Kosovës deri në zgjidhje të statusit përfundimtar. Ndaj, flijimi tjetër ishte në themelet e pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare, ku bashkësia ndërkombëtare kishte bërë një kompromis: në njërën anë, do t’ia mundësonte Kosovës pavarësinë, ndërsa, në anën tjetër, do t’u garantonte serbëve beneficione maksimale, çfarë rrallëkund mund të hasen në rruzull, ndonëse pas të gjitha zhvillimeve në ish-Jugosllavi, që e përfshinë edhe Kosovën, serbë kishin mbetur nën 5 për qind. Bashkësia ndërkombëtare ndoshta nuk ishte gjithaq e drejtë në këtë dhuratë për serbët, duke ditur se pikërisht Serbia ishte luftënxitësja kryesore që i shkaktoi gjithë ato krime në Bosnjë dhe Kroaci në fillim të ‘90-tave dhe në Kosovë deri në vitin 1999, kur qe detyruar të hiqet nga Kosova. Bashkësia ndërkombëtare do të duhej të kishte qenë më parimore dhe më e drejtë në këtë pikë, që Serbisë t’i impononte barra të rënda të fajësisë si shkaktare e luftërave dhe krimeve, por zgjodhi rrugën e individualizimit të fajësisë dhe të joshjes së Serbisë nga Perëndimi si partnere, për ta shkëputur nga sfera e ndikimit rus. Kjo duket punë sizifi, sepse me gjithë garancitë kushtetuese tejet të avancuara në fushën e lirive dhe të drejtave për pakicën serbe, Serbia, pavarësisht se kush është gjetur në pushtet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk kanë ndryshuar qëndrime, ndaj në këtë pikë nuk ndryshon as Vuçiqi, i cili me akrobacitë e tij është treguar i aftë për të manipuluar në favor të Serbisë.

Dhe, ndryshe nga trajektorja politike e Albin Kurtit, sot bashkësia ndërkombëtare është atje ku ka qenë pakoja e Ahtisarit, me “lakun” rreth qafës së Kosovës, te krijimi i një forme administrative që i ngjan një krahine autonome brenda Kosovës, me shumë dilema reale rreth këtij modeli, që e ka shtyrë Albin Kurtin e dikurshëm opozitar, si dhe Albin Kurtin pushtetar sot, të mos lëvizë, por kuptohet, duke e kundërshtuar Asociacionin me shumicë serbe.

Bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, ja, me gjithë ndërrimin e garniturave udhëheqëse, nuk janë të prirë për të ndryshuar në kushtet e vëna nga më parë dhe nuk mbajnë fare llogari se si kjo do të reperkuohet te politika kosovare, prej së cilës vetëm kërkojnë përmbushje të kushteve. Qe krijuar një iluzion te anëtarësia e Lëvizjes së Vetëvendosjes se administrata e ish-pesidentit Tramp “nuk punon për të mirën e Kosovës”, duke kalkuluar se me ndërrimin e saj, do të ndryshojë gjë. Por, për çudi, pikërisht në administratën e presidentit Bajden janë shtuar presionet ndaj qeverisë së Kosovës për të përmbushur kushtet. Sepse nuk është as Boreli, as Lajçaku që i kanë dhënë flakareshë me deklaratat e fundit aspak diplomatike, por dhe vetë amerikanët që kanë kërkuar me ngulm nga Kurti që me veprimet e tij të mos e rrezikojë procesin që dëshirojnë ta finalizojnë. As ata nuk preferojnë të merren me një çështje si aplikimi i targave – që sigurisht ka simbolikën e vet të funksionimit të shtetit juridik – por me tërësinë.

Një shpërputhje serioze midis ndërkombëtarëve dhe Albin Kurtit e ka sjellë procesin në fazën që ka dëshiruar Kurti kaherë: të qartësohen gjërat. Të qartësohen gjërat edhe për publikun e gjerë që të mos ketë iluzione nëse problemi deri tash ka qenë te qeveritë e paafta dhe të korruptuara apo te shpërputhja midis dëshirave të Albinit dhe agjendës ndërkombëtare.

 

Albini, armiku i Kurtit?!

 

Sot shumëkush e akuzon kryeministrin Kurti për gjendjen e status quo-së! Edhe në këtë diskurs ka ndonjë padrejtësi që t’i bësh më tepër presion Kosovës sesa Serbisë dhe ta drejtosh gishtin më shumë nga Kurti se Vuçiqi. Ky i dyti, pas atij takimit në Bruksel, kur Boreli në mënyrë eksplicite përmendi Albin Kurtin si pengesë në dialog, menjëherë e shfrytëzoi rastin për të thënë se ja kush është konstruktiv e kush jo. Ndonjë vlerësim negativ nga Vuçiqi për Kurtin do të duhej të ishte kompliment, madje edhe ndonjë kundërshtim nga vetë opozita e Kosovës, por kur kundër tij në unison flasin BE-ja dhe SHBA-ja, nuk duhet të brengosë vetëm Albin Kurtin, por më tepër Kosovën. Sepse, karriera ose imazhi i tij janë më pak të rëndësishëm sesa fakti si do të reflektohet për shtetin.

Kthimi prapa në histori mund të jetë gjë e mërzitshme, por për ta kuptuar atë që ndodh tash, sigurisht mund të na japë përgjigje pikërisht e kaluara e dikujt. Episodi i fundit i aplikimit të masës së targave, dhe pastaj tërheqja prej saj me një marrëveshje ku Kosova heq dorë nga zbatimi i saj, e Serbia heq dorë nga “shtypja” e mëtutjeshme e targave të Serbisë për serbët e Kosovës, dëshmon për një lloj joserioziteti, por dhe më keq, mungesë vizioni dhe sensi për realitetin ku Kosova nuk është një ishull i vetmuar në oqean pa lidhje me botën tjetër. Kjo është ajo shpërputhja midis veprimit sipas dëshirës dhe të drejtës që mendon se është në anën tënde, që padyshim është në anën Kosovës për ta ushtruar shtetin juridik në gjithë territorin e vet dhe realitetit që imponon një vetëpërmbajtje për shkak të shumë rrethanave gjeopolitike, të cilat i menaxhojnë aleatët ndërkombëtarë që kanë menaxhuar pavarësinë e Kosovës dhe ende e mbajnë fatin e saj në dorë. Këmbëngulja e Kurtit për ta zbatuar masën e targave, në kohë kur dukej se ka një plan gjithëpërfshirës, mund të ishte shprehje e shkurtpamësisë ose shpirtngushtësisë së tij, si rob i veprimeve të mëhershme e premtimeve tjetërfare.

Ç’është e vërteta, Kosova e ka votuar Kurtin pikërisht për këto “tjetërfare”. Përderisa të tjerët pushtetarë para tij kanë vënë bazat e shtetësisë në bazë të planit të Ahtisarit, ai është ngritur duke e kundërshtuar atë. Dy martirë kanë rënë fli nëpër protesta duke e mbrojtur këtë kauzë. Kosova ka besuar se ai mund ta ndërrojë atë pako në dobi të Kosovës.

Kosova ka dhjetë vjet që përpëlitet rreth një pike të pakos së Ahtisarit dhe të cilën e ka votuar parlamenti i Kosovës: krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kosova e ka votuar atë me kushtin që vlerësimin ta japë edhe Gjykata Kushtetuese (me këtë klauzolë është pajtuar edhe Serbia!). Gjykata i ka hequr nenet që mundësojnë ingerenca ekzekutive, por kjo nuk është argument i mjaftueshëm për Kurtin. Se pse nuk është implementuar as me këtë kusht, kjo sigurisht është meritë apo “meritë” e tij, duke e kundërshtuar në të gjitha mënyrat. Qeveritë e mëparshme kanë taktizuar nga ky presion. Por, në këtë janë humbur dhjetë vjet dhe asgjë s’është fituar. Sot është kushti kryesor që ia përkujtojnë Kurtit edhe BE-ja edhe SHBA-ja, më drejtpërdrejtë se kurrë. Kurti ka thënë qartë se nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimet e tij rreth kësaj.

Ngjashëm kishe vepruar dikur edhe Kurti edhe Haradinaj rreth demarkacionin me Malin e Zi, por as Haradinaj nuk ndryshoi gjë, përveçse mori një premtim të paafatizuar nga Mali i Zi, e as Kurti nuk bën ndonjë hap më tutje për të njëjtin problem, edhe pse ka bërë do vite në pushtet.

Edhe për premtimet tjera, si reciprociteti i dikurshëm i Haradinajt për mallrat serbe, ka mbetur një shpërputhje midis fjalëve dhe veprimeve.

Por të gjitha këto janë ato fatura të oponencës së gjithçkajes që ishte një tullë të shtetndërtimit të Kosovës, sado që të mos kishin qenë gjithë gjërat perfekte.

 

Faktori kohë, thikë me dy teha

 

Besimi i kosovarëve por dhe vetëbesimi i Kurtit se ai do t’i bëjë gjërat më ndryshe po vihet në sprovë pikërisht tash. Ai i bindte dikur kosovarët se pushtetarët e mëparshëm kanë qenë të korruptueshëm, ndaj dhe kanë lëshuar pe. Për fatin e keq të Kurtit, kërkesat ndaj palës kosovare kanë mbetur njësoj sikur të kishte qenë Ramush Haradinaj ose Thaçi, Isa Mustafa apo Avdulla Hoti. Bota nuk po e kupton se ka një tjetër lider, stoik dhe i pakorruptueshëm. Ajo kërkon prej Kosovës kryerjen e obligimeve të marra nga më parë. Kurti thoshte se të tjerëve u imponoheshin gjërat, sepse ua dinin dobësitë. Çfarë dobësish i dinë Kurtit, që të njëjtat gjëra ia kërkojnë?

Në mandatin e tij të parë qe shfaqur një dyshim në publikun kosovar se Kurti preferon më shumë aleancën me BE-në, sepse “ne jemi në Europë” se SHBA-të, që kishte një përfaqësues si Grenelli, me shumë dyshime ndaj qëllimeve të tij. Por, tash gjërat u bënë lëmsh, pas zënkës me BE-në, por pa fituar simpatinë e SHBA-së. Situata as… as nuk është shumë e favorshme për Kosovën, apo jo?

Në titullin e këtij shkrimi është vënë në qendër të tezës “faktori kohë”. Nëse e marrim atë si determinues të gjithë veprimtarisë politike të LVV-së, atëherë mund të themi se kjo parti dhe ideatori i saj e kanë dështuar kohën që me formimin e këtij subjekti. Sepse, të pretendosh “vetëvendosjen” në kuptimin e vendosjes së fatit të Kosovës, pasi fati i saj tashmë ishte përcaktuar me ndërhyrjen e NATO-s, do të thotë të jesh jashtë kohës reale. Ose, edhe më keq se kaq, të pretendosh të kthesh kohën prapa, të hedhësh poshtë ndihmën ndërkombëtare dhe fatin ta marrësh në dorë vetë dhe të vendosësh, sepse nuk je i kënaqur dhe nuk e pranon ndihmën ndërkombëtare!

Faktori kohë vazhdon edhe me rezistencën e LVV-së ndaj Planit të Ahtisarit dhe gjithçkasë që ka pasuar më vonë, ndoshta pikërisht duke shprehur pakënaqësinë edhe ndaj ndihmës ndërkombëtare. Njësoj dhe me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Faktori kohë konsiston me besimin naiv ose me vetëbesimin e tepruar se kur t’i marrë në dorë frerët e politikës, do t’ia imponojë botës një agjendë tjetër nga ajo që është dakorduar në qendrat e vendosjes. Ose, edhe më naive, se do të ikë Trampi dhe Greneli, e do të vijë një administratë më e mirëkuptueshme amerikane, do të ikë Mogerini e do të vijë ndonjë tjetër, do të ikë Putini e vjen një Putin më i mirë…

Por, kjo, që i kanë besuar edhe anëtarësia dhe simpatizantë të LVV-së dhe vetë Kurti ndoshta, në dritën e ngjarjeve dramatike në skenën gjeopolitike pas invazionit rus në Ukrainë, faktori kohë më nuk është i sigurt se punon për Kurtin dhe Kosovën apo për Serbinë! As nuk është e qartë se si është më mirë, të fitojë Rusia dhe të marrë Krimenë dhe pjesë tjera të pushtuara, me të cilat do të bëjë analogji me Kosovën, apo të fitojë Ukraina dhe t’i rikthejë territoret e pushtuara?! Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, ajo që është atraktive për publikun, janë deklaratat me kosë të gjerë të Kurtit e Vjosa Osmanit, që duan t’i tregojnë botës se kush është Putini dhe kush Putini i vogël i Ballkanit, sikur këtë gjë të mos e dinte bota.

Dhe, kur jemi te “faktori kohë”, deri tash çdo vonesë e procesit negociator, e nxitur edhe nga vetë Kurti, për Kosovën ka shkuar nga keq në më keq! E vetmja gjë e mirë në këtë është që tash menaxhuesi kryesor kosovar i këtyre gjërave të grumbulluara, është ai që i ka vonuar. Mbase dhe ka strategji, dije, forcë për t’i çuar në fund proceset. Por, duhet thënë se nuk dihet nëse fundi do të jetë më mirë se të kishte përfunduar procesi para 5-6 vitesh apo tash. Është fjala për çmimin. Sepse, përderisa nuk jetësohej Asociacioni, në lojë kishte hyrë ndarja e Kosovës, diç që as është hedhur poshtë, as është konfirmuar zyrtarisht se ka qenë në tavolinë, ndonëse është fakt botërisht i njohur. Tash kur Kurtit ia shtrëngojnë “lakun” me Asociacionin, shumëkush do të kishte thënë se ai është një kancer brenda trupit të Kosovës, më keq se ndarja, për të cilin Rexhep Qosja dikur kishte thënë se është një variant shumë i dobishëm, sepse përfundimisht ikë Serbia nga Kosova. Sepse me një asociacion brenda, Kosova mund të bëhet jofunksionale si Bosnja.

Në Kosovë ka pasur një tezë naive nga analistë të ndryshëm, të cilët kanë thënë se presionet ndaj Kurtit do ta detyrojnë atë që të japë dorëheqje dhe të ikë nga përgjegjësia. Këto janë teza naive, sepse nuk është me rëndësi karriera politike e Kurtit, por ardhmëria e Kosovës. Dhe, në këtë situatë, mendoj se përderisa Kurti nuk koordinohet me faktorët ndërkombëtarë, nuk ka pse dikush t’ia drejtojë gishtin opozitës kosovare që nuk bashkëvepron me Kurtin. Është një situatë tejet e volitshme që gjithë përgjegjësinë ta marrë vetë qeveria e koalicionit me forcën politike të presidentes, që përbëjnë më shumë se gjysmën e qytetarëve. Meritat për realizimin e politikave të premtuara ashtu si mendojnë ata, t’i bartin vetë ata, por dhe pasojat, që kjo vonesë shkon në dëm të Kosovës.