` . Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – Forumet rinore: Në vend të dy funksionarëve shqiptarë në Ministri të Kulturës, po i lëmë dy kukulla - TV SHENJA

Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – Forumet rinore: Në vend të dy funksionarëve shqiptarë në Ministri të Kulturës, po i lëmë dy kukulla

Pas publikimit, nga Ministria e Kulturës, të rezultateve të programit nacional për kulturë për vitin 2021, ku ministrja IrenaStefkovska dëshmoi me shifra e përqindje se sa është qytetare dhe sa është nacionaliste, kjo kundrejt vlerësimit të kulturës shqiptare, ajo që mbeti pa u theksuar është roli i Sekretarit Shtetëror të kësaj ministrie dhe i Zëvendësministrit të saj, që të dy shqiptarë, të cilët dolën dhe u distancuan dhe, madje, e kundërshtuan atë program, sikur ata nuk kanë asnjë përgjegjësi e nuk janë funksionarë aty. Ata të dy e pranuan hapur se nuk kanë pasur qasje në atë vendim që nga momenti i përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve e deri te shpallja e programit. Prandaj na duhet t’i pyesin: “Pse nuk reaguan ju që nga momenti i përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit? Pse tash duhet ta luani rolin e zëdhënësittë vendimeve të ministres?” Tjetër. Zëvendësministri, në pyetjet e gazetarëve, ka thënë se “programi do të tërhiqet”. Prandaj ne sot e pyesim: “Nëse programi nuk tërhiqet, a do të tërhiqet ai nga funksioni Zëvendësministër apo do të vazhdojë të jetë aty kukull?”.
Kjo është arsyeja që ne – forumet rinore të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – konstatojmë se ata dy e paskan pranuar rolin e kukullës në këtë ministri dhe thjesht janë dy administratorë që vijnë e shkojnë, marrin rroga e beneficione, se janë vetëm për të bërë foto patetike, por nuk janë asgjë më shumë se kukulla. E themi këtë për shkak se kukullat nuk i pyet askush për asgjë, njësoj siç e pranuan vetë ata. Prandaj, ne sot ia kemi sjellë ministres Stefkoska dy kukulla të bukura, bile pa gjini të përcaktuar – siç i ka qejf ajo, që të luajë me to, në vend se të tallet me funksionarët shqiptarë të kësaj ministrie, Sekretarin Shtetëror e Zëvendësministrin, e të na ofendojë të gjithë neve si shqiptarë.
E që mos të mbetemi vetëm në kritika, e këshillojmë Sekretarin dhe Zëvendësministrin që nëse mbajnë vetëm pak përgjegjësi për artistët shqiptarë e kulturën shqiptare, le ta shtyjnë – po të munden – Ligjin e ri për kulturë, versionin të cilin e kanë gati që prej kohës kur ministër ishte HysniIsmaili, sepse aty është paraparë edhe financimi i projekteve me interes nacional për kulturë, kjo duke u bazuar në parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Nëse edhe këtë nuk mund ta bëni, atëherë ministrja për kukulla s’ka nevojë, e aq më pak për kukulla shqiptare.
Shpresoj që qytetarët dhe artistët tashmë ta kenë bërë dallimin ndërmjet juve dhe neve.