` . Kinë, shkon në 1.524 numri i të vdekurve nga koronavirusi - TV-SHENJA

Kinë, shkon në 1.524 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit të ri, të njohur si COVID-19, është rritur në 1.524, njoftoi Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet thanë se deri më tani janë raportuar 66.492 raste të konfirmuara, ndërsa në 24 orët e fundit, 143 njerëz kanë vdekur dhe pothuajse 2.280 raste të reja janë zbuluar.

Numri i të prekurve me virusin jashtë territorit kryesor të Kinës është 56 në Hong Kong dhe dhjetë në Makau, rajone të veçanta administrative.

Numri i personave nën vëzhgim mjekësor ka rënë në 169.039.

Virusi supozohet se është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët.

Ai është përhapur në më shumë se 20 vende të tjera, si në SHBA, Britani, Singapor, Francë, Rusi, Spanjë dhe Indi.

Shumë vende, përfshirë Turqinë, kanë evakuuar qytetarët e tyre nga qyteti Wuhan, epiqendra e virusit, dhe zona të tjera të prekura të Kinës, duke i vendosur ata në karantinë dhe monitorim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur epideminë një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.