` . Kina: Sekretari i SHBA Pompeo përhap "viruse politike" - TV SHENJA

Kina: Sekretari i SHBA Pompeo përhap “viruse politike”

Të enjten Kina kritikoi kryediplomatin amerikan Mike Pompeo për përhapjen e “viruseve politike dhe dezinformimit”, pasi tensionet midis dy fuqive ekonomike nuk tregojnë shenja të uljes, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një konference shtypi në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, tha se kritika e vazhdueshme e sekretarit të Shtetit ndaj Kinës dhe Partisë Komuniste në pushtet të Kinës buron nga “mentaliteti dhe egoizmi i Luftës së Ftohtë”.

“Kudo që shkon Pompeo, ai sjell viruse politike dhe dezinformim”, u citua të ketë thënë ai nga e përditshmja “Global Times”.

Reagimi ishte si përgjigje të vërejtjeve të Pompeos të mërkurën se “fuqia ekonomike e Kinës në një farë mënyre është një kërcënim më i madh global nga sa ishte ai i Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë”.

“Sot, një kërcënim edhe më i madh është kërcënimi që paraqet fushata e detyrimit dhe kontrollit të Partisë Komuniste Kineze”, tha Pompeo në një fjalim para Senatit të Republikës Çeke.

“Partia Komuniste e Kinës tashmë është ngulitur në ekonomitë tona, në politikën tonë, në shoqëritë tona në mënyra siç nuk ka qenë kurrë Bashkimi Sovjetik”.

Zhao tha se deklarata ishte pjesë e përpjekjeve të Washingtonit për të “lidhur bashkësinë ndërkombëtare me një karrocë kundër Kinës dhe antikomuniste për të përfituar SHBA-të”.

“Komuniteti global është shumë i qartë për këtë dhe nuk do të mashtrohet prej tij (Pompeo), dhe as Kina. Skema e Pompeos është e dënuar të dështojë”, tha zyrtari kinez.

Më parë, në një postim në Twitter, Ministria e Jashtme tha se Partia Komuniste e Kinës “ka rreth 92 milionë anëtarë me rreth 20 milionë që kanë aplikuar për t’u anëtarësuar”. “Lidhja e fortë midis partisë dhe popullit kinez është e pandashme”, tha ministria.

“(Mike) Pompeo nuk ka kursyer asnjë përpjekje për ta hedhur popullin kinez kundër Partisë Komuniste të Kinës. Por edhe sipas rezultateve të sondazhit amerikan, mbështetja dhe kënaqësia e popullit kinez ndaj Partisë Komuniste Kineze dhe qeverisë kineze tejkalon 93 për qind”.