Kina sanksionon drejtuesit e lartë amerikanë për marrëveshjet e mbrojtjes me Tajvanin

Kina sanksionon drejtuesit e lartë amerikanë për marrëveshjet e mbrojtjes me Tajvanin

Kina njoftoi sot sanksione kundër drejtuesve të lartë të kompanive amerikane të mbrojtjes për marrëveshje me Tajvanin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pekini njoftoi se do të sanksionojë Gregory Hayes, shef dhe drejtor ekzekutiv i Raytheon Technologies, dhe Ted Colbert, shef dhe drejtor ekzekutiv i Boeing Defense, Space and Security, raportoi e përditshmja kineze Global Times.

Masa vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit miratoi këtë muaj shitjen e mundshme të raketave, sistemeve të radarëve dhe pajisjeve përkatëse me vlerë 1,1 miliard dollarë për Tajvanin.

Me një vlerë prej rreth 665,4 milionë dollarësh, Programi i Radarëve të Mbikëqyrjes (SRP) dhe pajisjeve përkatëse përbëjnë pjesën më të madhe të marrëveshjes, sipas Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes së SHBA-së.

Marrëveshja përfshin gjithashtu raketat AGM-84L-1 Harpoon Block II dhe pajisjet përkatëse me vlerë 355 milionë dollarë, si dhe raketat taktike AIM-9X Block II Sidewinder dhe njësitë e drejtimit taktik AIM-9X Block II dhe pajisjet përkatëse me vlerë 85,6 milionë dollarë.

Kina e konsideron Tajvanin “provincë të shkëputur”, ndërsa Taipei këmbëngul për pavarësinë e saj që nga viti 1949, duke gëzuar marrëdhënie të plota diplomatike me të paktën 14 vende.