Këshilli i Evropës dënon sulmet e jelekëve të verdhë ndaj gazetarëve

Këshilli i Evropës dënon sulmet e jelekëve të verdhë ndaj gazetarëve

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ka dënuar ashpër kërcënimet dhe sulmet kundrejt gazetarëve në protestat e fundit të jelekëve të verdhë në Francë, transmeton AA.

Përmes një deklarate me shkrim, Jagland për herë të parë ka reaguar ndaj protestave të cilat vazhdojnë në Francë prej 9 javësh, ku si pasojë kanë humbur jetën 10 persona.

Në deklaratën e tij, pasi ka bërë të ditur se kushtet e punës së gazetarëve që ndjekin protestat janë përkeqësuar në javët e fundit, Jagland ka theksuar se i dënon ashpër kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve.

“Sulmi ndaj gazetarëve që bëjnë vetëm punën e tyre është një sulm ndaj demokracisë. Liria e fjalës dhe e protestës nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë një justifikim për shfaqjen e një dhune dhe urrejtjeje të tillë”, ka theksuar Jagland.

Ndërkohë bëhet e ditur se Jagland në deklaratën e tij nuk ka bërë ndonjë vlerësim në lidhje me kërkesat e jelekëve të verdhë ose dhunën policore.

Protesta e “jelekëve të verdhë”

Protestat në Francë, të cilat filluan më 17 nëntor 2018 si një reagim ndaj rritjes së taksave dhe që evoluan në një protestë kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë vazhduar pavarësisht thirrjes së qeverisë për t’u ndalur.

Jelekët e verdhë reagojnë edhe ndaj shtypit francez me arsyetimin se protestat e tyre nuk paraqitet nëpër televizione dhe gazeta.

Gjatë protestave kanë tërhequr vëmendjen konfliktimet herë pas herë mes protestuesve dhe policisë, sulmet ndaj institucioneve publike, plaçkitja e dyqaneve, djegia e automjeteve dhe konteinerve të plehrave, si dhe ndërhyrja e ashpër e policisë ndaj protestuesve.

Në protesta kanë humbur jetën të paktën dhjetë persona, më shumë se 1.700 të tjerë janë plagosur, mbi 5.600 janë arrestuar dhe më shumë se 1.000 të tjerë janë dënuar me burg.