Keqkuptimet dhe keqinterpretimet e konceptit të kombit në opinionin publik shqiptar

Keqkuptimet dhe keqinterpretimet e konceptit të kombit në opinionin publik shqiptar

Me Planin e Ahtisaarit në mënyrë eksplicite definohen se kush janë minoritetet në Kosovë dhe të drejtat e tyre pozitivisht të diskriminuara. Kjo do të thotë që kombin në Kosovë e përbën komuniteti shqiptar, për vetë faktin se komunitetet tjera janë të definuara si minoritete.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë  

Lidhur me konceptin e kombit në opinionin publik shqiptar janë krijuar shumë keqkuptime dhe keqinterpretime, të cilat kanë ndotur ambientin politik e publik në hapësirat shqiptare. Arsyeja është e thjeshtë: mungesa e studiuesve të teorisë së kombit. Me teori të kombit ndër shqiptarë janë marrë Sami Frashëri (1850-1904), Gjergj Fishta (1871-1940), Branko Merxhani (1894-1981), Vangjel Koça (1900-1943), Nebil Çika (1893-1944), Mustafa Merlika – Kruja (1887-1958) etj.

Të gjitha personalitetet e përmendura më lart, me përjashtim të Sami Frashërit, qenë të ndaluar dhe të anatemuar në regjimin komunist (1945-1991). E vërteta e hidhur është se edhe pse Sami Frashëri nuk ishte i anatemuar tërësisht si të tjerët ishte i censuruar pikërisht për këto tema.

Rrjedhimisht, shqiptari i parë, pas një errësire prej 5 dekadave,që u mor me teorinë e kombit ishte pikërisht autori i këtyre rreshtave. Duke qenë e pamjaftueshme që një shkollar i vetëm të plotësojë një zbrazëtirë gjysmëshekullore të njohurive në sfidat që paraqiste rënia e komunizmit dhe vendosja e demokracisë, në skenën publike në Tiranë, Prishtinë e Shkup u paraqitën shumë opinionistë duke dhënë interpretime të lira për konceptin e kombit pa e kuptuar fare në thelb konceptin e kombit.

Politologë, sociologë, filozofë, historianë, letrarë e opinionistë frekuentues të debateve televizive filluan të japin interpretime të shtrembëruara, të cilat do të mundohem t’i paraqes në vijim. Por më parë të shohim se çfarë është kombi.

Me rënien e komunizmit, shumë standarde janë njësuar me ato të Perëndimit. Për fat të keq në paraqitjet publike, në Shqipëri dhe në territoret e ish Jugosllavisë ende përdoret termi komb në vend të etnisë.

Kur përkthimi nga gjuha angleze, ose nga cilado gjuhë tjetër perëndimore, shkakton huti apo moskuptim ndodh shpesh që fjala “komb”të përkthehet si “shtet”. Ky është një gabim i madh.

Koncepti i kombit lidhet ngushtë edhe me shtetin, edhe me etninë edhe me religjionin, edhe me racën edhe me territorin. Mirëpo edhe psekombi në disa raste mund të përputhetnë shikim të parë me njërin prej këtyrekoncepteve ai megjithëkëtë është një koncept shumë më kompleks.

 

Përkufizimi i kombit

Që nga gjermani Johann GotliebFichte (1762-1814) dhe francezi Ernest Renan (1823-1892), të cilët mund të konsiderohen si etër të teorisë për kombin,me konceptin e kombit janë marrë shumë teoricienë e liderë politikë. Vlen të përmenden Emil Durkheim (1858-1917), V. I. Lenin (1870-1924), Johan Huizinga (1872–1945), Mustafa Kemal Ataturk (1881-1938), J. V. Stalin (1878-1953), Edvard Kardel (1910-1979), Karl Deutsch (1912-1992), Eric Hobsbawm (1917-2012), Ernest Gellner (1925-1995), MiroslavHroch (1932), Benedict Anderson (1936-), Anthony Smith (1939-), Urs Altermat (1942-), HagenSchulze (1943 –2014), John Hutchinson (1949), Francis Fukuyama (1952-), Rogers Brubaker (1956-), Will Kymlicka (1962), Tomasz Kamusella (1967-) dhe shumë të tjerë.

Shumica e tyre kombin e kanë definuar sipas mënyrës së vet. Natyrisht, në shtetet ish komuniste ka qenë i njohur vetëm (apo kryesisht) definicioni Stalinit, i cili kombin e lidh me etninë, kështu që te nxënësit dhe studentët në këto vende, është krijuar bindja që kombi në fakt është etnia,apo në rastin më të mirë “etnia në shkallë më të lartë të zhvillimit”.

Thelbi i gjithë këtyre definicioneve për kombin është se kombi ështënjë bashkësi e njerëzve që është e aftë të ndërtojë shtet. Kjo do të thotë se kombi është pronar i shtetit.

 

Paraqitja e kombit

Ngjarja që e ndanë Mesjetën dhe kohën moderne është pikërisht paraqitja e kombit.

Në Mesjetë, pronarë të shteteve kanë qenë mbretërit, perandorët, sulltanët, kanët, shahët, raxhët etj. , ndërsa në kohën moderne, pronarë të shteteve janë kombet. Përjashtim bënë shteti i Vatikanit, i cili nuk është anëtar i OKB, për shkak se pronar i këtij shteti është Papa dhe jo ndonjë komb.

Kur është paraqitur kombi i parë është çështje debati mes teoricienëve. A janë suedezët me Gustav Vasa Eriksonin në vitin 1523, apo janë holandezët me republikën e tyre në vitin 1581, kjo është shumë kontestuese. Ndërsa më pak kontestuese është që anglezët bëhen komb në vitin 1649 me revolucionin e Oliver Kromuelit.

Nuk është fare kontestuese që me revolucionin e vitit 1789 lindi kombi francez. Slogani “Liberte, fraternite, egalite” (Liri, vëllazëri, barazi) në të vërtet paraqet formulën e kombit. Pjesëtarët e një kombi janëata të cilët mes vete konsiderohen vëllezër, të lirë dhe të barabartë.

Në njërin rast, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie dhe një religjioni në kuadër të një territori, siç është rasti me serbët, grekët, rumunët, bullgarët etj.

Në rastin tjetër, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie në një territor të caktuar pa marrë parasysh religjionin siç është rasti me shqiptarët, hungarezët, gjermanët dhe shumë të tjerë.

Në rastin e tretë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një religjioni në territorin e caktuar pa marrë parasysh në përkatësinë etnike siç është rasti me turqit, belgët dhe të tjerë.

Ne rastin e katërt siç është rasti me zviceranët, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e disa etnive (gjermanët, francezët e italianët) e të disa religjioneve (katolikët e protestantët).

Ne rastin e pestë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e të gjitha etnive të religjioneve të caktuara të një race siç është rasti me amerikanët, kanadezët, australianët etj.

 

Natyra e një kombi është fluide

Natyra e një kombi mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Me zgjedhjen e Barak Obamës për President të SHBA-ve, kombi amerikan ka dëshmuar se më nuk është një komb mono-racor por është bërë një komb multi-racor. Zaten kalimi prej mono në multi është trend për shumë kombe. Së fundi, edhe rumunët zgjodhën një president me etni gjermane. Kjo tregon se ata nga një komb monoetnik po kalojnë në komb multietnik.

 

Gjermania-Austria, Serbia-Mali i Zi, Rumania-Moldavia, Bullgaria-Maqedonia!?

Shumë kombe nuk kane arritur të krijohen ashtu siç i kanë paramenduar ideologët e tyre. Vuk Karaxhiqi (1787-1864) ka insistuar qe kombin serb ta përbëjnë serbët e të gjitha religjioneve, mirëpo nuk pati sukses. Doli që serbët ortodoksë veten e konsideruan serbë të rendit të parë, ndërsa serbët katolikë si të rendit të dytë, kurse serbet myslimanë si serbë të rendit të tretë. Siç e thash më lart, kombi mund të ndërtohet vetëm nga njerëz të barabartë.

Në shumë raste krijimi i kombeve mbi bazën etnike nuk ka funksionuar ashtu siç është paraparë nga ideologët e tyre. Rumunët ortodoksë kanë tentuar të zhvillojnë një komb të vetëm, por fati historik (invadimi BRSS-së në Moldavi në vitin 1944) ka bërë që nga rumunët ortodoksë të bëhen dy kombe (rumunët dhe moldavët). Moldavët gjuhën e tyre e quajnë rumune dhe nuk e mohojnë etninë rumune.

Rast i kundërt janë malazezët, të cilët me të dalë në jetë si komb, pretendojnë që edhe etnia e tyre është e ndryshme nga ajo serbe, dhe gjuhën e tyre kanë filluar ta quajnë gjuhë malazeze, përkundër faktit që krye-heroi i tyre kombëtar, Njegoshi, e ka konsideruar veten e tij serb.

Kjo ka ndodhur më herët edhe me bullgarët. Pasi Serbia përmes luftërave ballkanike pushtoi Maqedoninë dhe procesi i serbizimit të bullgarëve të Maqedonisë dështoi, ngjarjet historike rezultuan me formimin e kombit maqedon. Ideologët e tyre, për të forcuar sa më shume identitetin kombëtar, shkuan aq larg sa edhe mohuan etninë e tyre bullgare. Gjuhën e tyre e quajnë maqedone edhe pse gjatë bisedave mes zyrtarëve maqedonë dhe bullgarë nuk ka nevojë për përkthyes. Sidoqoftë, është e drejtë e tyre politike që etninë e tyre ta konsiderojnë ashtu siç duan vet përkundër faktit se krye-heroi i tyre Goce Delçev vetën e ka konsideruar bullgar dhe që VMRO –ja ka synuar që territori i Maqedonisë t’i bashkëngjitet Bullgarisë.

Ne botë ekzistojnë një mori rastesh ku disa kombe, që e pranojnë njëri – tjetrin, pajtohen me faktin që e ndajnë të njëjtën përkatësi etnike siç është rasti me gjermanët-austriakët, malaj (zian) ët-indonezianët, kombet arabe dhe shumë të tjerë.

 

Kombi kosovar

Sintagma “Kombi Kosovar” për herë të parë është përmendur në vitin 1941 nga Mitrush Kuteli në një poezi kushtuar Kosovës. Si koncept politik kjo sintagmë për herë të parë është promovuar nga ana e autorit të këtyre rreshtave më 1991.

Për elitën shqiptare në Tiranë e Prishtinë etnia dhe kombi ishin sinonime. Akuzat për tradhti kombëtare, përçarje dhe prishje të unitetit të kombit shqiptar nuk pushuan për vite të tëra. Në vitin 2004, kur u promovua libri “Drejt Kombit Kosovar”, kopjet e librit iu morën me dhunë autorit dhe u dogjën para kamerave televizive.

Kjo situatë ndryshoi pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj, kur Toni Blair e Hilary Clinton, gjatë vizitave të tyre në Kosovë, i dëshiruan “jetë të gjatë kombit të ri kosovar. Pas këtij urimi përkrahësit e kombit kosovar u shumuan aq shumë sa edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në paraqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit të KB, e pa të arsyeshme të argumentojë se kombi kosovar nuk ekziston.

Kombi është konstrukt politik dhe e natyrshme që pasi për Presidentin e Serbisë nuk ekziston shteti i Kosovës rrjedhimisht nuk ekziston as edhe kombi kosovar. Po të ekzistonte për Presidentin e Serbisë kombi kosovar atëherë ai do ta pranonte shtetin e Kosovës.

Kombi kosovar nuk ekziston edhe për liderët politikë edhe të 76 shteteve tjera, por ky komb tashmë ekziston për 117 kombe anëtare të OKB.

Paradoksi qëndron në atë se gati të gjithë liderët politikë të Kosovës, dhe e ashtuquajtura elita kosovare pajtohen me Presidentin Tadiq që nuk ekziston kombi kosovar. Ky qëndrim i liderëve kosovarë i bën të duken qesharakë e budallenj në sytë e kolegëve tyre nga Perëndimi. Edhe kërkojnë anëtarësim në OKB, edhe deklarojnë se nuk janë komb!

Kombi kosovar nuk përmendet as në Kushtetutën e Kosovës në mënyrë eksplicite, por vetëm në mënyrë implicite. Autorët amerikanë të kushtetutës së Kosovës ishin të instruktuar që të mos shkaktojnë telashe me anëtarët vendorë të komisionit (për shkak se e vërenin paditurinë e juristëve kosovarë në këtë fushë), kështu termin komb kosovar e përvodhën te neni për FSK-në (FSK është forcë kombëtare e sigurisë së Kosovës… ). Por termi “komb kosovar”përmendet shprehimisht në Planin e Ahtisaarit në Nenin 1. 7 ku shkruan se Kosova duhet të ketë simbolet e veta kombëtare, përfshi flamurin, emblemën dhe himnin kombëtar. Politikanët kosovar dhe shumica e medieve kosovare këto i quajnë simbole shtetërore, kurse simbole kombëtare i quajnë vetëm simbolet kombëtare të Shqipërisë.

 

Plani i Ahtisaarit në mënyrë implicite formulon kombin kosovar

Me Planin e Ahtisaarit në mënyrë eksplicite definohen se kush janë minoritetet në Kosovë dhe të drejtat e tyre pozitivisht të diskriminuara. Kjo do të thotë që kombin në Kosovë e përbën komuniteti shqiptar, për vetë faktin se komunitetet tjera janë të definuara si minoritete.

Sipas Pakos së Ahtisaarit del se kombi kosovar është komb mono-etnik dhe bi-religjioz (mysliman-katolik). Me Planin e Ahtisaarit dhe rrjedhimisht edhe me Kushtetutën e Kosovës, shqiptarët katolikë nuk kanë vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës. Pse? Sepse Ahtisaari e ka konstatuar që ata janë pjesë integrale e kombit kosovar. Prej përfundimit të luftës dhe deri me sot, kishte deputetë dhe ministra katolikë përtej përqindjes që përbën ky komunitet në shoqërinë kosovare pa kurrfarë nevoje për ndërhyrje ligjore a kushtetuese.

Plani i Ahtisarit nuk është pengesë që kombi kosovar në të ardhmen të zhvillohet në një komb multi-etnik. Përkundrazi,Plani i Ahtisarit e synon pikërisht këtë perspektivë.

Prej të gjitha komuniteteve në Kosovë, më së paku pritet që komuniteti serb të bëhet pjesë integrale e kombit kosovar.

Sipas planit të Ahtisaarit, serbët mbeten pjesë integrale e kombit serb, sepse çdo serb i Kosovës mund ta mbajë shtetësinë serbe. Po ashtu ata janë njëkohësisht edhe minoritet në Kosovë, por për dallim nga minoriteti boshnjak apo ai turk që vijojnë mësimet në shkolla kosovare në gjuhën boshnjake përkatësisht turke, shkollat në gjuhën serbe në Kosovë janë praktikisht shkolla të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës.

Serbët e Kosovës janë komuniteti i vetëm në Kosovë që ka bërë jetën e kombit për gati një shekull. Për këtë arsye rasti i Kosovës është SuiGeneris. Serbët në Kosovë e kanë statusin e minoritetit, ashtu siç e kanë edhe serbët në Rumani, por për dallim me serbët në Rumani të cilët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë pjesë integrale e kombit serb, serbët e Kosovës kanë qenë për afro një shekull dhe vazhdojnë të jenë pjesë integrale e kombit serb. Për Ahtisaarin ka qenë e panatyrshme që një komunitet, pas gati një shekull jete si komb, të mos vazhdojë të ketë këtë kualitet jetese.

 

T’u kthehemi tani disa keqkuptimeve që krijojnë huti në opinionin publik në hapësirat shqiptare

Në një intervistë televizive, kryetari aktual i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në pyetjen se pse dikur partia e tij nuk e pranonte kombëtaren e Kosovës në futboll e tani po i bënë tifo ai u përgjigj: “Nuk e pranonim sepse ekzistonte rreziku i formimit të kombit kosovar, ndërsa tani që ky rrezik ka kaluar e pranojmë. “!!!

Natyrisht ky nuk është i vetmi budallallëk i folur në këtë temë, por është më i madhi.

Të kesh kombëtare e të mos jesh komb! Të kesh teatër kombëtar e të mos jesh komb! Të kesh bibliotekë kombëtare e të mos jesh komb! Të kesh institut kombëtar të shëndetësisë publike e të mos jesh komb! Të kërkosh të anëtarësohesh në organizata ndërKOMBëtare e të thuash se nuk jemi komb! Të ndeshësh me kombëtaren e Shqipërisë në një garë ndërKOMBëtare dhe të thuash se jemi një komb! Të rendisësh vizitat ndërKOMBëtare dhe Shqipërinë ta rendisësh të parën, dhe të thuash se jemi një komb! etj, etj, budallallëk pas budallallëku.

Disa më të vëmendshëm ndaj kundërshtisë evidente gjuhësore, janë përkujdesur që në emërtimin e institucioneve ta shmangun fjalën kombëtar-e. Banka Qendrore e jo Banka Kombëtare, Komisioni Qendror e jo Komisioni Kombëtar. Zgjedhjet parlamentare ose zgjedhjet e përgjithshme e jo zgjedhjet kombëtare. Por telashja paraqitet në tekstet e përkthyera nga gjuhët e huaja kur në të njëjtën fjali paraqiten edhe STATE (shteti) edhe NATIONAL (kombëtar). Edhe pse sipas fjalorit të gjuhës shqipe termi “kombëtar” dhe “nacional” e kanë të njëjtin kuptim Kohëve të fundit, nën këtë trysni,po përdoret fjala NACIONAL, si “zgjedhje nacionale”, “televizione nacionale”, “projekte nacionale”, “rrugë nacionale”për të shmangur kundërshtinë konceptuale me ata që me fjalët”komb shqiptar” nënkuptojnë gjithë korpusin etnikshqiptar.

Në diskursin publik të hapësirave shqiptare është krijuar një bindje se ekzistojnë vetëm dy modele të kombeve (“etnik” dhe “qytetar”). Siç e pamë më lart, janë të paktën 5 modele.

Të ngulitesh në mendje se i gjithë korpusi etnikpërbën kombin krijon probleme edhe në të kuptuarit e teoricientëve të kombit. Ernest Gellneri, ta zëmë, shpjegon se si kombi ka tendencë që “kufijtë” e vet t’i barazojë me kufijtë e shtetit. Një opinionist këtë e shpjegonte sikur “kombi shqiptar që ndodhet edhe jashtë kufijve të shtetit të vet, ka tendencë t’i zgjerojë kufijtë e shtetit të vet për t’u barazuar me vetveten”. Në fakt Gellneri flet për diçka tjetër. Ai flet për qasjen e kombit ndaj minoriteteve në shtet. Bashkësia e shtetasve të një shteti është baraz me bashkësinë e pjesëtarëve të kombit plus bashkësinë e pjesëtarëve të minoriteteve në atë vend. Gellneri thotë se kombi ka tendencë që t’i zhdukë minoritetet me njërën nga këto tri metoda: 1. Zhdukja fizike dhe dëbimi, 2. Asimilimi 3. Integrimi. Zakonisht kombet primitive përdorin metodën e parë kurse kombet e avancuara të tretën. Nëse kombi përdor metodën e integrimit të minoriteteve atëherë ai transformohet edhe vet. Gjithsesi, thotë Gelllneri, kombi tenton kah ajo që të gjithë shtetasit ta përbëjnë kombin.

 

“Kombi i ndarë”-Kombi policentrik

Një keqkuptim tjetër është po ashtu sa u përket termeve komb unicentrik e komb policentrik. Duke e konceptuar gjithë korpusin etnik shqiptar në Ballkan si një komb të vetëm, disa shkrimtarë kanë sajuar terma si: komb i ndarë, apo komb policentrik. Për nga vet definicioni i kombit, kombi është unik. Nëse është i ndarë ai më nuk është një komb po dy apo më shumë kombe. Disa i referohen faktit se meqë shqiptarët kanë dy kryeqytete atëherë janë komb policentrik. Sigurisht se kombi, qoftë edhe policentrik, nuk mund të ketë marrëdhënie ndërKOMBëtare (pra marrëdhënie ndërmjet kombeve) me veten e vet. E Kosova e Shqipëria mes vete kanë marrëdhënie ndërkombëtare. Komb policentrik është ta zëmë kombi gjerman, ku Hamburgu, Frankfurti, Munihu etj. , konkurrojnë Berlinin si qendra të vendimmarrjes kulturore, ekonomike e politike. Por Vjena është diçka tjetër. Nga Vjena drejtohet një komb tjetër edhe pse gjuha e gjaku i këtij kombi është po ashtu gjerman.

 

Kombi kulturo dhe kombi politik

Një keqkuptim ka edhe rreth termeve komb kulturor dhe komb politik. Në opinionin publik në hapësirat shqiptare është krijuar percepcioni sikur bëhet fjalë për dy lloje të kombeve e jo për kombe në faza të ndryshme të zhvillimit. Zakonisht stadi kulturor i paraprinë stadit politik. Kombi bëhet ekzistent përmes njohjeve nga kombet më të vjetra. Skocia, Uellsi, Irlanda Veriore njihen nga Anglia si kombe kulturore. Ato kanë parlamentet e veta që drejtojnë çështjet kulturore, sportive e arsimore. Pasi njihen nga Anglia njihen nga mbarë bota dhe kombëtaret e tyre bëjnë gara në kampionatet ndërkombëtare. Por në aspektin politik vetëm anglezët janë komb. Himni anglez është himn i Mbretërisë së Bashkuar së Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

 

A është kombi kosovar komb kulturor apo komb politik?

 Nuk ka asnjë mëdyshje që kombi kosovar është një komb kulturor përderisa ai është i pranuar në FIFA, FIBA, UEFA, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar etj. Flamuri kombëtar i Kosovës është ngritur edhe në Rusi dhe himni kombëtar i Kosovës është intonuar atje kur në një turne ndërkombëtare Majlinda Kelmendi zuri vendin e parë. Por kombi kosovar njihet si komb politik vetëm pjesërisht, pasi është i njohur nga 117 kombe, por nuk është i njohur nga 76 kombe tjera dhe nga organizatat politike ndërkombëtare. Natyrisht, mospërfundimi i këtij procesi nuk e liron kombin kosovar nga përgjegjësitë që kanë kombet. Nuk e liron nga përgjegjësia për të trajtuar mirë e drejt minoritetet që jetojnë në Kosovë, dhe nuk e liron nga përgjegjësia morale për t’u përkujdesur për shqiptarët në Luginë të Preshevës, Sanxhak, Mal të Zi e Maqedoni, përgjegjësi të cilën e ka edhe kombi shqiptar. Por raportet mes Kosovës e Shqipërisë tashmë janë krejtësisht tjera nga ato të para vitit 2008. Nuk është më Shqipëria shteti amë i shqiptarëve të Kosovës siç mund ta dëgjojmë shpesh nëpër media madje edhe nga ministra të Arsimit të Kosovës. Nuk mundet më Presidenti i Shqipërisë të mbajë fjalim në OKB se shteti i Kosovës po shkelë të drejtat e shqiptarëve në Kosovë!Thjeshtë Kosova e Shqipëria tashmë i kanë ndarë dhentë e dhitë. Minoritetet shqiptare në Luginë të Preshevës, Sanxhak, Mal të Zi e Maqedoni duhet ta duan më shumë Kosovën apo Shqipërinë në varësi se cili nga këto shtete bënë më shumë për ta. Në rast se Kosova bën më shumë se Shqipëria për ndonjërin nga këto minoritete, atëherë tek ai minoritet flamuri verdh e kaltër duhet të jetë më shumë i pranishëm se ai kuq e zi dhe anasjelltas.