KE përshëndet hyrjen e Kroacisë në eurozonë: Fuqizohet e ardhmja ekonomike e Europës!

KE përshëndet hyrjen e Kroacisë në eurozonë: Fuqizohet e ardhmja ekonomike e Europës!

Bashkimi Europian i dha dritën jeshile adoptimit të euros nga Kroacia nga 1 janari i vitit te ardhshëm, kur vendi do të bëhet anëtari i 20-të i zonës së monedhës së përbashkët.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Bruksel në prani të ministrave të financave të bllokut. Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, ishte ai që kishte rekomanduar që kombi i Adriatikut me 3.9 milionë banorë të lejohej të adoptonte monedhën e përbashkët, pas konstatimit se Kroacia i përmbush kërkesat e nevojshme për çështje që përfshijnë inflacionin dhe borxhin publik.

Valdis Dombrovskis, komisioner i ekonomisë: Një zonë e fortë dhe më e madhe e euros forcon ndikimin e Europës në rrafsh ndërkombëtar. Aprovimi i euros nga Kroacia do të ndihmojë të zgjerohet edhe më shumë themeli i qëndrueshmërisë dhe fuqisë së  ardhshme ekonomike të Europës.

Kroacia vetë e konsideron këtë një moment tejet të rëndësishëm për të.

Zdravko Maric, zv/kryeministër kroat: Kjo është një ditë historike për vendin tonë. Të gjitha këto vendime të marra nga Këshilli shënojnë vërtet dicka të mahnitshme për ne. Por unë besoj me forcë se kjo është një ditë e madhe edhe për vetë Bashkimin Europian, për unionin monetar europian, sepse fakti që Kroacia do të bëhet shteti i 20-të anëtar i Eurozonës është gjithashtu një sinjal i qartë se integrimi europian po vazhdon, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballemi.

Kroacia bëhet vendi i parë që pranohet në zonën e euros që prej Lituanisë në 2015-tën. Ashtu si edhe ky vend baltik, edhe oferta për të duket se pjesërisht, ka synuar të çimentonte rreshtimin perëndimor pas dekadave të sundimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore.

Guvernatori i bankës qendrore kroate, Boris Vujcic, u shpreh se anëtarësimi në eurozonë do të sjellë më shumë siguri, më pak rreziqe, do të rrisë vlerësimin e investimeve si dhe standardin e jetesës për qytetarët, ndërsa shtoi se nuk pret luhatje të konsiderueshme të kunës nga tani deri në datën e konvertimit.