KÇK, filozofi e dorëzimit dhe nënshtrimit

KÇK, filozofi e dorëzimit dhe nënshtrimit

Të lodhur nga pritja e gjatë për të gjetur mundësi më të mira në jetë, të rraskapitur nga trajtimi si skllevër me paga qesharake për të jetuar “dinjitetshëm”, të tmerruar nga fakti se po humbën një punë shumë e vështirë të gjejnë një punë tjetër që të mbajnë veten dhe familjen nëse munden, e thellojnë akoma më shumë dorëzimin, duke shkuar drejt nënshtrimit pa kushte me qëllimin e vetëm, mbijetesën.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Në jetë asgjë nuk ndodh rastësisht edhe pse njerëzit mund të thonë se rastësia është mbret i botës. KÇK, alias, kap ç’të kapësh, është një akronim që vitet e fundit u bë i njohur në shkallë të gjerë. Shpesh përdoret edhe me nota humori, duke iu referuar vështirësive me të cilat përballen njerëzit në jetën e përditshme. Përtej notave të humorit, apo origjinës dhe artikulimit për herë të parë, KÇK është një term që gjithmonë e më shumë po pasqyron një realitet prej të cilit përpiqen të largohen, gjeografikisht sa më larg. KÇK si filozofi e dorëzimit. Njeriu synon të ketë një jetë sa më të paqtë, sa më larg problemeve, shqetësimeve dhe halleve. Kjo është dëshira e tij. Nuk mund të ketë realizim absolut të dëshirave, por sidoqoftë njeriu punon dhe shpreson se mund t’ia dalë që edhe në periudha afatshkurtra të ketë jetë të paqtë. Jeta e paqtë është ndërthurje mes paqes në zemër dhe shëndetit fizik. Të dyja shkojnë paralel. Cenimi i paqes së zemrës ose, më keq akoma, shprishja e saj, sjell çorientimin e njeriut. Për rrjedhojë, nuk arrin të vendosë ekuilibrin e harmonizimit të dëshirave dhe mundësive. Në çastin që ndodh kjo shtohen vështirësitë shpirtërore të jetës së njeriut. Ngushtimi shpirtëror sjell zemërngushtësi, fuqizim të interesave meskinë dhe dëshirës për shtim të të mirave materiale pa pyetur si. Kështu ngjiten në skenë një masë njerëzish, të cilët çdo gjë e matin me kutin e përfitimeve personale. Ngushtësia e zemrës zhbën begatinë e jetës dhe hap dyert e varfërisë. Varfëria ngushton mundësitë për të arritur tek gjërat më bazike për një jetë sa më cilësore, si në konsum të të mirave materiale ashtu dhe në paqen e zemrës. Kur mundësitë kufizohen së tepërmi për shkaqe krejt reale, apo kur i kufizojnë qëllimisht për të shprishur paqtimin e zemrave, mbin filozofia e KÇK. Meqë mundësitë për jetë të dinjitetshme ekonomike dhe shpirtërore nuk janë në nivelin e duhur, atëherë kap ç’të kapësh. Rrëmbe ç’të mundësh, shih vetëm brenda pragut tënd dhe as mos të shkojë ndërmend të bësh bamirësi, jo thjesht në kuptimin ekonomik, sepse është bërë vështirë dhe kur është vështirë gjërat duhen menduar shumë herë. Në këtë frymë që gjallon mjedisi rrethues, KÇK duket të jetë premtuese. Ajo e çliron njeriun nga përgjegjësia personale, të cilën e kalon tek rrethanat shoqërore, dhe i ushqen mendimin për të përfituar ç’të mundet para se të tjerënjerëz t’ia rrëmbejnë prenë. Ata që varfërohen edhe më shumë janë më të ekspozuar ndaj kësaj fryme, sepse instinkti i mbijetesës është më i fortë së parimet që mund të kenë dëgjuar mbi jetën e dinjitetshme. Kjo situatë e çon njeriun drejt dorëzimit ndaj së keqes, sepse dyert e të jetuarit dinjitetshëm janë mbyllur mjaftueshëm. Kap ç’të kapësh se edhe po nuk e kape ti, me siguri do ta kapë dikush tjetër. Të dorëzuar ndaj pamundësisë për të gjetur hapësirën që meritojnë në jetën e përditshme, janë pre e lehtë e dorëzimit. Dorëzimi është hapi i parë drejt nënshtrimit.

 

KÇK si filozofi e nënshtrimit.

Të lodhur nga pritja e gjatë për të gjetur mundësi më të mira në jetë, të rraskapitur nga trajtimi si skllevër me paga qesharake për të jetuar “dinjitetshëm”, të tmerruar nga fakti se po humbën një punë shumë e vështirë të gjejnë një punë tjetër që të mbajnë veten dhe familjen nëse munden, e thellojnë akoma më shumë dorëzimin, duke shkuar drejt nënshtrimit pa kushte me qëllimin e vetëm, mbijetesën. Është kjo frikë e vazhdueshme që shqetëson pjesën e vetëdijshme të njeriut dhe kjo është tortura më e rëndë për shpirtin njerëzor. Frikë që shtohet vazhdimisht, mungesë e shpresës, dhe rritje e shtypjes së aparatit shtetëror në emër të zbatimit të ligjit, bëjnë të mundur që filozofia e KÇK, të duket si oazë e zgjidhjes së vështirësive jetësore. Për aq sa nuk mund të ndryshohet realiteti për mirë ose ndryshimi është i pandjeshëm në raport me standardet që duhet të ketë njeriu në jetë, më mirë me qenë me filozofinë e KÇK se me filozofinë e të jetuarit dinjitetshëm. Domethënë, prano çfarë të jepet, madje quaje dhe si bekim e mëshirë, hesht e mos fol për cilësinë e standardeve që i duhen jetës së njeriut, përpëlitu dhe bëj shyqyr që jeton edhe pse me shumë vështirësi, sepse shumë e shumë të tjerë jetojnë edhe me më shumë vështirësi. Mos kërko ndryshime rrënjësore, por pajtohu me gjendjen dhe rrotullohu bashkë me mokrat e mullirit KÇK.

Të ushqesh vetëdijen çdo ditë me këtë filozofi, kjo është tragjike për shpirtin dhe zemrën e njeriut. Nuk është për t’u çuditur se si zvetënohet më pas njeriu duke humbur fisnikërinë me të cilën vjen në këtë botë. Përballë filozofisë së KÇK duhet ëndërruar dhe punuar për liri. Pas lirisë si qenie njerëzore vjen gjithçka që i duhet njeriut në jetë. A do të jetojmë të lirë apo do të jetojmë, sepse nuk ka ardhur ende koha për të ikur nga kjo botë?