` . Kazani i lashtë 2.800 vjet do të ekspozohet në muzeun turk - TV SHENJA

Kazani i lashtë 2.800 vjet do të ekspozohet në muzeun turk

Një kazan antik që daton 2.800 vjet më parë do të ekspozohet në një muze në provincën lindore Van të Turqisë, raporton AA.

Kazani, që i përket qytetërimit të lashtë Urartu, njihet si një nga katër kazanët e tyre të përdorura për qëllime fetare.

I konfiskuar në një operacion kundër kontrabandistëve në provincën Şanlıurfa në juglindje të vendit dy vjet më parë, kazani do të ekspozohet në Muzeun e Vanit pas restaurimit.

Dy nga tre kazanët e tjerë janë të ekspozuar në Gjermani, ndërsa tjetri është në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

Në një deklaratë për AA, Erol Uslu, drejtor i muzeut, shpjegoi se urartianët, që mbretëruan në një pjesë të madhe të Pellgut të Liqenit Van, ishin mjeshtërinj të metaleve dhe përdorën kazanët me zbukurime demi dhe sirenash në ritualet e flijimit të kafshëve.

“Kjo vepër është unike në muzeun tonë”, tha Uslu.

“Me këtë kazan, Muzeu i Vanit tani ka një koleksion më të pasur të artifakteve urartiane”, shtoi ai.