Katër debutime te Shkëndija në triumfin ndaj Skopjes

Katër debutime te Shkëndija në triumfin ndaj Skopjes

Debutim në ekipin e parë të Shkëndijës së Tetovës për Amir Nuhija dhe Memetriza Hamza, ndërsa për herë të parë në nje ndeshje zyrtare luajti edhe portieri Taleski. Pas rikthimit, luan ndeshjen e parë edhe Cuculi.

Shkëndija bën detyrën në Kupën e Maqedonisë, duke kaluar pa problem Skopjen në 1/8 e finales. Fitore bindëse 5:0 për kuqezinjtë që nuk lënë asnjë mundësi befasie, teksa triumfi erdhi përmes një loje bindëse, pavarësisht se trajneri Qatip Osmani bëri disa ndryshime në formacion. Pushuan Murati e Dita, në pankinë mbetën Zahov, Neziri dhe Cake, ndërsa pas vetëm 45 minutave të para u zëvendësuan Hasani, Doriev dhe Shala.

Debutim në fanellën kuqezi në një ndeshje zyrtare shënoi portieri Davor Taleski, që s’kishte ndonjë detyrë më të vështirë, përveç një goditje të fortë të kontrolluar mirë gjatë 90-të minutave. Titullar ishte edhe Ardian Cuculi që regjistron minutat e parë pas rikthimit në taborin e Shkëndijës.

Në pjesën e dytë rezultati i thellë trajnerit Osmani i mundësoi që të inkuadrojë në lojë edhe dy lojtarë nga ekipi i juniorëve. Mesfushori Amir Nuhija u inkuadrua në lojë në minutën e 62-të, duke debutuar me ekipin e parë, ndërsa të njejtën bëri edhe Memetriza Hamza që hyri në fushë në minutën e 67-të në vend të Bejtullait.