` . Kashmiri ndërmjet dy fuqive bërthamore - TV-SHENJA

Kashmiri ndërmjet dy fuqive bërthamore

“India pa Kashmirin do të pushonte së qeni në një pozitë të rëndësishme në hartën politike të Azisë Qendrore”(Jewaharlar Nehru)

“Kashmiri, ashtu siç mund ta shihni në hartë, është sikurse kapela në kokën e Pakistanit”(Ali Khan)

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Ndonëse tashmë janë më të pakta luftërat që zhvillohen ndërmjet shteteve, krahasuar me luftërat civile, megjithatë ato vazhdojnë të jenë prezentë në skenën e zhvillimeve globale!

Thuajse është epamundur që të shfletosh fletët që trajtojnë studimet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare politike, strategjike e gjeopolitike, pa u ndalur në nënkontinentin indian, përkatësisht në konfliktin ndërmjet Indisë dhe Pakistanit rreth çështjes së Kashmirit! Kjo zonë përbën zonën më të militarizuar të planetit, ndërsa në vitin 2010 Foreign Policy e llogariti kufirin në zonën e Kashmirit ndër kufijtë më të rrezikshëm në botë!

Fakti që vendndodhja e saj është ndërmjet Kinës, Indisë dhe Azisë Qendrore, e bën Kashmirin rajon të një rëndësie strategjike. Sikurse India ashtu, edhe Pakistani e konsiderojnë Kashmirin absolutisht jetësor për kërkesat e tyre strategjike dhe mbrojtëse! Babai i kombit pakistanez, Muhamed Ali Xhinah, për Kashmirin thotë se është “qafa e Pakistanit”!

Në librin “Why Nations go to War” – Përse Kombet shkojnë në Luftë, autori John. Stoessinger, kur flet për Indinë e Pakistanin, pohon që në listën e motiveve për luftë ndërmjet të dyja vendeve përfshihen religjioni, pretendimet territoriale, çekuilibri ekonomik, fatkeqësitë natyrore, aspiratat nacionale, migrimi, si dhe gara nukleare. Nuk është e tepërt të thuhet që motivet e tilla, lart a poshtë, ishin të pranishme edhe nëpër konfliktet tjera ndërshtetërore!

Në fakt, si filloi e tërë ngjarja dhe si erdhi deri tek përleshja ushtarake ndërmjet të dyja shteteve gjatë pjesës sëdytëtë shek. XX, por edhe deri tek situata aktuale e tensionuar!? India e Pakistani, natyrisht edhe Kashmiri në të, para viteve të ‘40-ta bënin pjesë në atë që quhej British India ose India Britanike. Gjatë kohës së kolonizimit britanik Kashmiri – një shtet princëror i njohur me emrin Jammu Kashmir (1846-1947) – edhe pse me pjesën dërmuese të popullsisë ishte myslimane, sundohej nga Maharajët, pra udhëheqësit hindusë! Në vitin 1947 territori që dikur ishte nën kolonizimin britanik u nda. Kësisoj lindi pavarësia e Pakistanit –asokohe edhe Bangladeshi si pjesë e saj, e njohur si Pakistani Lindor deri në vitin 1971 – dhe  pavarësia e Indisë. Ndarja, pra, erdhi si rrjedhojë e dallimeve religjioze dhe, rrjedhimisht, edhe lufta ndërmjet tyre shpeshherë është vështruar nga ky kënd!

Paqartësia e udhëheqësve hindusë mbi të ardhmen e Kashmirit, si dhe invadimi i fiseve dhe ushtarëve pakistanezë në pjesën veriore të Kashmirit, me qëllim të futjes së tij nën sovranitetin pakistanez, bëri që Maharajët të kërkojnë ndihmë ushtarake nga India dhe, si rrjedhojë, vendosën që Kashmirin, përmes asaj që njihet si Instrument i Aderimit, t’ia lënë Indisë, përskaj popullatës shumice myslimane.

Pasi që India i dërgoi trupat e armatosura që ta aneksojnë Kashmirin, një komision i Kombeve të Bashkuara u kërkoi palëve që t’i tërheqin forcat e tyre nga Kashmiri. Rezoluta 47 e Këshillit të Sigurimit të KB-së kërkonte që India t’ia mundësojë Kashmirit një referendum mbi të ardhmen e vet se vallë dëshiron të mbetej nën juridiksion indian apo atë pakistanez. Megjithatë, India kurrë nuk ua lejoi banorëve të Kashmirit mbajtjen e një referendumi të atillë! Këtu, praktikisht, zë fill konflikti dhjetëradekadësh ndërmjet dy fuqive bërthamore të Azisë Jugore, Indisë dhe Pakistanit.

Me arritjen e armëpushimit të vitit 1949 – pas luftës së parë indo-pakistaneze – pjesa e Kashmirit e cila ngeli nën sundimin pakistanez u bë e njohur si Azad Kashmir, kurse Jammu Kashmir tashmë është nën sovranitetin e Nju Delhit! Nuk duhet harruar fakti se rreth 20% e Kashmirit – tanimë e njohur si Aksai Chin – nuk i takon as Indisë e as Pakistanit, por që nga vitet e ’60-ta, si rezultat i luftës ndërmjet Kinës dhe Indisë, është nën kontrollin kinez, por që kontestohet nga India. S’do mend se kjo copë e territorit të Kashmirit, që gjendet në pjesën kineze, është pjesë e rivalitetit gjeopolitik të Indisë e Kinës për dominim në Azinë Jugore. Por, kjo natyrisht nuk është objekt shqyrtimi për ne në këtë artikull!

Në vitet e ’50-ta India, përmes nenit 370 të kushtetutës së saj, Jammu Kashmirit ia dha statusin e veçantë dhe në këtë mënyrë Kashmirit iu mundësua kushtetuta, flamuri, si dhe autonomia për administrimin e brendshëm. Kriza e tanishme ndërmjet Indisë e Pakistanit është pikërisht për shkak se India ia mori këtë të drejtë Kashmirit.

Përveç luftës së parë indo-pakistaneze, India dhe Pakistani zhvilluan edhe dy luftëra të tjera, përkatësisht në vitin 1965, e cila përfundoi me armëpushim dhe kthim në pozicionet e mëparshme, si dhe në vitin 1971-72 që, në të vërtetë, shënoi humbje për Pakistanin dhe çoi në nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit. Kjo marrëveshje, që ndër tjerash u bën thirrje të dyja palëve t’i zgjidhin dallimet e tyre përmes negociatave dhe zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes mbi Kashmirin, sot njihet edhe si Linja e Kontrollit, de facto përbën kufirin aktual ndërmjet Indisë dhe Pakistanit dhe shërben si bazë për marrëdhëniet indo-pakistaneze.

Kohëve të fundit bashkësia ndërkombëtare është dëshmitare e intensifikimit të retorikës luftënxitëse. Kësaj radhe çështja nuk qëndron thjesht vetëm tek heqja e statusit për Kashmirit dhe tek marrëdhëniet bilaterale Indi e Pakistan, por te transformimet që i përjeton rajoni dhe implikimet e aktorëve të tjerë rajonalë e globalë! Kjo mund të vërehet edhe tek pozicioni zyrtar i Kinës në mbështetjen e Pakistanit për ta dënuar vendimin e Indisë për shfuqizimin e statusit të Kashmirit.

Vendimi i qeverisë nacionaliste të Nju Delhit u pa si një çështje provokuese, si për Islamabadin, ashtu edhe për Pekinin. Fakti që qeveria kineze tanimë si vizion të strategjisë së saj globale ka aprovuar Rrugën e Mëndafshtë të shek. XXI, ku përfshihet edhe ndërtimi i korridorit ekonomik që e lidh atë (lexo: Kinën) me portin strategjik të Gwadarit, ndërsa kalon pikërisht nëpër Kashmirin pakistanez, i cili i ekspozohet pretendimit territorial të Indisë, bën që Kina të ndjehet e kërcënuar nga kjo lëvizje e Nju Delhit rreth Kashmirit.

Porti i Gwadarit – i cili shtrihet në jugperëndim të Pakistanit, në detin Arab – i mundëson Kinës që ta transportojë naftën dhe gazin nga brigjet e Pakistanit drejt pjesëve perëndimore të Kinës. Kësisoj, pra, korridori ekonomik pakistanezo-kinez shmang varësinë kineze nga ngushticat e Azisë Juglindore (sidomos Ngushticës së Malakës) dhe e redukton dukshëm distancën rrugore ndërmjet Kinës dhe Gjirit Persik!

Ndërsa administrata amerikane synon për ta zvogëluar hapësirën manovruese të Kinës, por edhe të Iranit – duhet përmendur që me ardhjen në pushtet të kryeministrit pakistanez Imran Khan, ka tendencë të rritjes së relacioneve ekonomike e tregtare të Pakistanit me Iranin – pa dyshim që projekti kinez është një kambanë alarmi edhe për SHBA-në!

Rajoni, pra, është dëshmi e afrimit të Pakistanit me Kinën, rivalit të Indisë, në njërën anë, si dhe të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Indisë dhe SHBA-së, ashtu edhe siç vuri në dukje presidenti Trump muajin kaluar në Hjuston gjatë takimit me kryeministrin indian, Modi, në anën tjetër. E thënë në gjuhën e Berzezinskit, India e ekuilibron Kinën bërthamore “..dhe ambiciet e saj si një lojtar gjeostrategjik nuk janë burim shqetësimi gjeopolitik (për SHBA-në – shën. i ynë).

Me gjasë, duke u nisur nga këto zhvillime, India ndërmori një hap të atillë! Azia Jugore është një fushë rivaliteti nga “të mëdhenjtë” për dominim ekonomik në atë pjesë të botës!