` . Karakteri Kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit - TV SHENJA

Karakteri Kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Menjëherë pas themelimit të Lidhjes Shqiptare, Sulltan Abdulhamiti II i urdhëroi zyrtarët ushtarakë në Prizren, Gjakovë dhe Dibër që të mos e pengojnë veprimtarinë e saj. Duke e pranuar si një fakt të kryer, Porta vazhdoi të shpresonte se mund ta përdorte forcën e saj politike dhe ushtarake për t’i kundërshtuar cedimet territoriale që Kongresi i Berlinit ia imponoi Perandorisë Osmane.

Shkruan: Gentrit SMAKAJ, Skënderaj

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua dhe veproi në një nga çastet më të vështira që i kalonte Shqipëria gjatë shekujve të sundimit osman, në kohën kur Rusia Cariste me Traktatin e Shën Stefanit dhe pastaj Fuqitë e Mëdha me vendimet e Kongresit të Berlinit, jo vetëm nuk e trajtuan Shqipërinë si subjekt të drejtash kombëtare, por shkuan edhe më tej – vendosën t’i copëtonin trojet e shqiptarëve në dobi të monarkive fqinje, duke e rrezikuar kështu ekzistencën e tyre si komb. Në këto rrethana jashtëzakonisht të vështira për fatin e Shqipërisë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mori përsipër detyrën e madhe historike: të bashkonte mbarë popullin shqiptar në luftë për ta afirmuar identitetin e tij kombëtar në arenën ndërkombëtare, për të kundërshtuar copëtimin e trojeve amtare në dobi të shteteve fqinje dhe për të realizuar detyrën madhore të Rilindjes – formimin e shtetit kombëtar shqiptar.
Burimet historike të mirëfillta vërtetojnë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua nga Kuvendi i Përgjithshëm më 10 qershor 1878. Njoftimin më të hershëm e jep konsulli austro-hungarez në Prizren, Jelinek. Në raportin që i drejtonte më 18 qershor 1878 ministrit Andrashi në Vjenë, ai njoftonte hapjen e punimeve të Kuvendit të Përgjithshëm në Prizren më 10 qershor 1878 . Nga ana e tij, konsulli frëng në Shkodër, Du Pons njoftonte eproret më 17 qershor 1878 se në Prizren qenë mbledhur delegatë nga të katër anët e Shqipërisë, pa e dhënë datën, por puna e do që Kuvendi i Përgjithshëm të jetë mbledhur, ashtu siç njoftonte Jelineku, më 10 qershor 1878. Në literaturën historiografike, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor 1878 e dha i pari Xhafer Belegu.
Nga punimet e ditës së parë kemi vetëm një fragment të fjalimit të zjarrtë që mbajti Abdyl Frashëri, delegati i Toskërisë. Abdyl Frashëri tha ndër të tjera:
“Në shqiptarët rrjedhim nga pellazgët. Jemi, pra, populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik, kurse sllavët erdhën vonë. Por duke qenë më të shumtë se ne, na shtynë në jugperëndim të Ballkanit, në këtë rrip të ngushtë ku ndodhemi sot. Nuk mjaftoi grabitja që na e bënë atëherë, por po kërkojnë edhe sot të na shkëpusin toka të tjera. Po ashtu, Greqia do një copë nga Vilajeti i Janinës, që është pjesë e pandarë e atdheut tonë të dashur. Qëllimi i kësaj mbledhjeje sot për sot është t’ua presim hovin armiqve të egër, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na i kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Vetëkuptohet se divergjencat më të mprehta u shfaqën rreth dy çështjeve parimore të dorës së parë, për të cilat të vendoste Kuvendi duhej: rreth karakterit të organizatës dhe programit të saj politik. Për patriotët revolucionarë koha nuk priste. Momenti ishte krucial. Kuvendi po i zhvillonte punimet nën presionin e dy motiveve me rëndësi jetike për fatin e Shqipërisë. Mbi delegatët ushtronte presion, nga njëra anë, nevoja për ta çuar sa me parë zërin e kërkesave të tyre në Kongresin e Berlinit, ku po vërshonin delegacione qeveritare nga të gjitha shtetet ballkanike dhe, nga ana tjetër, ngutësia për ta organizuar sa më shpejt rezistencën e armatosur kundër vendimeve që parashihej se do t’i merrnin Fuqitë e Mëdha në dëm të tërësisë territoriale të atdheut. Divergjencat u dukën sidomos kur u shtrua për diskutim teksti i memorandumit që Kuvendi do t’ia drejtonte Kongresit të Berlinit. Ndryshe nga patriotët revolucionarë, të cilët ngulnin këmbë për një besëlidhje me karakter kombëtar, të a.q. sulltanistë kërkonin që në memorandum të shprehej besnikëria ndaj sulltanit dhe të heshtej për të drejta vetëqeverisëse. Për ta mënjanuar përçarjen, delegatët e të gjitha rrymave u detyruan të linin për më vonë atë që ata i ndante dhe të përqendroheshin rreth asaj që ata i bashkonte, konkretisht rreth vendosmërisë të të gjitha palëve për të kundërshtuar çdo gjymtim të tërësisë territoriale të atdheut, rreth së cilës ekzistonte një unitet i plotë. Ky unitet u arrit duke hequr nga memorandumi si shprehjen e besnikërisë ndaj sulltanit, ashtu dhe kërkesën për reforma autonomiste në Shqipëri.
Kështu, më 10 qershor 1878 të gjithë delegatët e pranishëm, afërsisht 110 veta, dhanë pëlqimin për të formuar një besëlidhje të përgjithshme, me karakter politik dhe ushtarak, pa e cilësuar as “Lidhje Shqiptare”, as “Lidhje Islamike”, por thjesht “Lidhje” ose “Lidhje e Prizrenit”.
Si rrjedhim, Lidhja e Prizrenit, edhe pse më 10 qershor 1878 nuk u shpall zyrtarisht si një organizatë shqiptare, pati qysh në ditën e saj të parë një karakter patriotik. Vendimi i Kuvendit të Përgjithshëm për të themeluar një organizatë politike joislamike dhe për të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, tregonte se Porta e Lartë, me gjithë pjesëmarrjen e delegatëve sulltanistë dhe me gjithë praninë e vëzhguesve qeveritarë, nuk arriti dot t’ua impononte shqiptarëve platformën e saj politike. Vendimi ishte i lidhur aq ngushtë me interesat kombëtare të Shqipërisë, sa Jelineku i shqetësuar e cilësonte atë, ashtu siç qe në të vërtetë, një lëvizje patriotike që kishte dalë nga nisma popullore. Karakteri patriotik dhe popullor i saj dukej në mënyrë të veçantë, sipas tij, te britmat e pakënaqësisë dhe te zemërimi që po tregonin haptazi delegatët kundër Portës së Lartë. Me një fjalë, besëlidhja e Prizrenit u vu mbi binarë të tillë, të cilët nuk mund t’u shërbenin aspak interesave të Perandorisë Osmane. Sikurse pohonte një javë më vonë konsulli frëng G. Pons, Lidhja Shqiptare, në kuptimin patriotik shqiptarë, ishte tashmë një fakt i kryer.
Por, qarqet patriotike shqiptare nuk e konsideruan vendimin e 10 qershorit 1878 si një fitore përfundimtare. Më 10 qershor 1878 në Prizren u shpreh vetëm vullneti i kombit për të krijuar një front të përbashkët të mbarë shqiptarëve përballë armiqve të huaj, që kërkonin ta gjymtonin tërësinë territoriale të atdheut dhe t’ia mohonin Shqipërisë të drejtat e saj kombëtare. Tani duhej që fronti të kthehej në një organizatë politike kombëtare, me fizionomi të deklaruar shqiptare. Lufta për të përcaktuar programin e Lidhjes së Prizrenit filloi qysh të nesërmen e themelimit të saj dhe vazhdoi më tepër se tri javë.
Paralelisht me rritjen e lëvizjes masive në të mirë të platformës kombëtare përfunduan edhe përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm.
Ardhja e delegatëve të krahinave të tjera të vendit përkoi me lajmet shqetësuese që filluan të vinin nga Kongresi i Berlinit. Si rrjedhim, Kuvendi i Përgjithshëm i rifilloi punimet e veta më 1 korrik 1878, në një kohë kur tensionin e brendshëm që e kishin shkaktuar ndërhyrjet arbitrare të sulltanistëve, e rënduan ca më tepër vendimet e padrejta që i kishin marrë Fuqitë e Mëdha në dëm të tërësisë tokësore të Shqipërisë.
Kuvendi i ri i përgjithshëm miratoi Statusin e ri të Lidhjes së Prizrenit, me të cilin Lidhja riemërohet në Lidhja Shqiptare. Në këtë Kuvend u miratua programi i ri politik, i cili i dha Lidhjes ngjyrim të qartë kombëtar shqiptar.
Për sa i përket programit të Lidhjes Shqiptare, njoftimin më të rëndësishëm na e jep konsulli italian në Shkodër, Berio, i cili e shtiu në dorë tekstin e rezolutës që e miratoi Kuvendi i Përgjithshëm më 2 korrik 1878. Sipas tij, ndër të tjera, në rezolutë thuhej: “Lidhja është absolutisht e pavarur nga Porta e Lartë. Lidhja është formuar për të forcuar kombësinë dhe integritetin e vendit. Armët dhe ushqimet (e ushtrisë së) e qeverisë, me qenë se janë pronë shtetërore, tani i përkasin vetë Lidhjes, e cila do t’i përdorë për qëllimin e caktuar. Të gjithë banorët duhet të marrin pjesë në veprën atdhetare me armë dhe me të holla. Për këto qëllime, përfaqësuesit do të shkojnë në vise të ndryshme për të mbledhur të holla dhe për të bërë rekrutime”. Konsulli frëng G. Pons, i cili na jep gjithashtu njoftime të rëndësishme për programin e miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm më 2 korrik 1878, shkruante disa ditë më vonë, se kanuni i ri i Lidhjes së Prizrenit ishte ndërtuar mbi parimin e të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nga raporti i tij del se vendimet në këtë kuvend u morën “në emër të popullit shqiptar”. Sipas konsullit frëng, Kuvendi vendosi që Lidhja Shqiptare të drejtohej nga një Komitet Kombëtar me seli në Prizren, i cili, siç shton Lippihu, do të ndihmohej për çështjet operative të luftës, nga një Shtab Qendror Ushtarak. Nga Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare do të vareshin komitetet krahinore që do të formoheshin në çdo “sanxhak të Shqipërisë”, të cilat nga ana e tyre do të kishin dy nënkomitete të ngarkuara, njëri për çështjet politike dhe tjetri për punët ushtarake. Nënkomiteti për Çështjet Politike do të merrej me mobilizimin politik të masave të popullsisë, me furnizimin e bashkimit kombëtar, me sigurimin e të ardhurave financiare dhe me ruajtjen e rendit publik në sanxhakun e vet, duke drejtuar në të njëjtën kohë edhe veprimtarinë juridiko-gjyqësore. Nënkomiteti Ushtarak do të kujdesej për mobilizimin e forcave vullnetare shqiptare, organizimin e tyre në reparte të rregullta, pajisjen e reparteve ushtarake me armë dhe krijimin e rezervave të domosdoshme me armatime, municione dhe ushqime. Sot për sot mund të thuhet së Kuvendi i Përgjithshëm, u dha fund punimeve duke zgjedhur organet e Larta të Lidhjes Shqiptare: Këshillin e Përgjithshëm ose Këshillin Qendror dhe Komitetin Kombëtar ose Komitetin për Shpëtimin Publik, siç e quajnë disa konsuj të huaj në raportet e atyre ditëve.
Lidhjen e Prizrenit nuk e krijoi Porta e Lartë. Atë e formuan shqiptarët për interesat e tyre kombëtare. Porta e Lartë nuk e kundërshtoi themelimin e Lidhjes mbasi shpresoi se ajo do të formohej si një organizatë islamike për të mbrojtur interesat e veta perandorake. Më tej, kur Lidhja e Prizrenit doli si një organizatë patriotike shqiptare, ajo u detyrua ta pranonte formimin e saj si një fakt të kryer, sepse, sikurse vinte në dukje ato ditë konsulli Jelinek, nuk mund ta ndalte kursin e ngjarjeve dhe, ca me tepër, nuk donte ta linte fuqinë e saj revolucionare të shpërthente kundër Stambollit. Menjëherë pas themelimit të Lidhjes Shqiptare, Sulltan Abdulhamiti II i urdhëroi zyrtarët ushtarakë në Prizren, Gjakovë dhe Dibër që të mos e pengojnë veprimtarinë e saj. Duke e pranuar si një fakt të kryer, Porta vazhdoi të shpresonte se mund ta përdorte forcën e saj politike dhe ushtarake për të kundërshtuar cedimet territoriale që Kongresi i Berlinit ia imponoi Perandorisë Osmane. Faktin që atë e formuan vetë shqiptarët, e pohon edhe konsulli britanik në Shkodër, K. Grin, i cili akuzohej nga diplomatët austriakë si një nga ndihmësit kryesorë të Portës së Lartë në formimin e Lidhjes së Prizrenit. Më 8 shtator 1878 ai e njoftonte ministrin e vet në Londër, lordin Solsbëri, se “Lidhja Kombëtare, ndonëse nuk u sendërtua nga autoritetet turke, ajo u bë një organizatë e fuqishme nën mbikëqyrjen e tyre miratuese. Po ashtu konsulli anglez Grinë, në një raport tjetër dërguar ministrit të Jashtëm, Solsbëri, në nëntor 1878 raportonte së Lidhja, të cilën për shkak të mungesës së një shprehje më të mirë e quajnë kombëtare (national), kishte vendosur që të përballojë çdo sulm, i cili mund të vinte nga elementet e shumtë armiqësorë, të cilët e rrethojnë vendin e tyre – Shqipërinë. Lidhja nuk ka për qëllim të luftojë as kundër Malit të Zi, as kundër Austrisë, Serbisë, Bullgarisë, Rusisë ose Greqisë, por do ta njoftojë botën së Shqipëria është, në një farë mënyre, tokë me trashëgimtarë, dhe se sulltani nuk mund ta nxjerrë në treg as një pëllëmbë të saj pa e marrë pëlqimin e trashëgimtarëve të saj legjitim – të shqiptarëve.
Prirjen që kishte opinioni publik shqiptar për të kërkuar autonominë e Shqipërisë e ndriçon edhe një notë, të cilën Pashko Vasa ia dorëzoi, më 21 tetor 1878, ambasadorit austro-hungarez në Stamboll, Ziçi (Zichy). Në këtë notë parashtrohej me një veshje letrare romantike karakteri popullor i Lidhjes së Prizrenit dhe aspirata e shqiptarëve për të ecur në rrugën e përparimit, pa cilësuar nëse ishte fjala për autonomi ose për pavarësi. “Ndërgjegjja e popullit shqiptar – thuhet aty – ngre krye kundër idesë së nënshtrimit ndaj të huajve… Pikërisht te kjo ndjenjë e ka burimin Lidhja e sotme Shqiptare. Ideja e krijimit të saj nuk është frymëzuar prej askujt. Ajo ka lindur në të njëjtën kohë në ndërgjegjen e të gjithëve dhe asgjë nuk mund t’ia presë hovin asaj”. Dhe, më poshtë: “Populli shqiptar… e ndjen thellë në shpirt se nuk është i lumtur dhe se ka të drejtën që të jetë i lumtur ashtu siç janë kombësitë e tjera. Zëri i shekujve e thërret atë për së largu dhe i thotë që të ecë drejt përparimit dhe qytetërimit”. Nota mbyllej: Ai i thotë Europës “Dua të jetoj, dua të bëj përpara, dua të jem i lumtur! Përse doni të më copëtoni? Jam anëtar i familjes suaj; më ndihmoni të futem përsëri në shoqërinë tuaj, të ndaj me ju të mirat e qytetërimit. Kam një shpirt, një zemër bujare, kam vullnet të mirë, më mësoni, më vini në udhë të mbarë dhe do të shikoni se sapo të hiqen pengesat që mbysin ekzistencën time, do të eci po aq shpejt sa të tjerët. Ja këtë gjuhë flet Lidhja Shqiptare. Ja kjo është dëshira e përgjithshme që shprehin këto krisma armësh dhe këto zhurma prangash që arrijnë në veshin e Europës, të cilat kjo nuk është e zonja t’i kuptojë”.
Një udhëtar anglez që vizitoi Shqipërinë e veriut thuajse një vit mbas themelimit të Lidhjes vërejti: “Që Porta e Lartë në fillim e ndihmoi dhe e inkurajoi fshehurazi lëvizjen, mendoj së për këtë nuk mund të këtë dyshim… Por, Lidhja është rritur jashtë mase për qeverinë – … Njerëzit e Lidhjes, të vetëdijshëm për forcën e tyre, e kanë zgjeruar programin e tyre. Mbrojta e vendlindjes kundër pushtuesve të huaj nuk është tani thirrja e tyre e vetme, mbasi si autonomia ashtu, ashtu edhe hedhja poshtë e zgjedhës osmane, diskutohen tani me guxim në pazare e qyteteve – garnizoneve. Në mund të themi se gjatë periudhës së veprimtarisë së Lidhjes kanë bashkëjetuar të dy qëllimet – ruajtja e integritetit tokësor dhe vendosja e autonomisë administrative – duke u bërë autonomia objekti më i rëndësishëm, sepse çështjet tokësore po zgjidheshin në një mënyrë ose në një tjetër .
Në fund duhet thënë së Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para lëvizje kombëtare çlirimtare, e cila e konsakroi në luftën me pushkë dhe me penë Shqipërinë si atdheun e përbashkët të mbarë shqiptarëve. Ajo e shpalli luftën për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, të Hotit dhe të Grudës, të Kelmendit dhe të Ulqinit, të Dibrës dhe të Çamërisë, jo si çështje të popullsive lokale, por si çështje që i takon mbarë kombit. Me ideologjinë e saj patriotike, ajo frymëzoi, në përpjesëtime të papara deri atëherë, atë ndjenjë të lartë solidariteti kombëtar, atë lëvizje të gjerë vullnetarësh, që pushtoi edhe krahinat larg frontit për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut. Ajo e sanksionoi ndërgjegjen e unitetit kombëtar edhe në shfaqjen e saj më supreme – në llogoret e luftës së armatosur. Udhëheqësit përparimtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vunë në themel të platformës së tyre ideologjike kriterin etnik, sipas të cilit atdheu i një kombi përfshin trungun etnik ose trojet ku pjesëtarët e tij përbëjnë shumicën e popullsisë.