` . Kara Murat Pasha: Shqiptari që u emëruar dy herë sadriazem - TV SHENJA

Kara Murat Pasha: Shqiptari që u emëruar dy herë sadriazem

Në mesin e sadriazemëve shqiptarë kemi shumë që kaluan në këtë post disa muaj ose disa vjet, sepse sulltani ishte ai që e emëronte sadriazemin, e shkarkonte dhe e lëshonte në shtëpi ose në varr. Por, kemi edhe shqiptarë që zunë këtë post dy herë, madje pesë herë, duke realizuar famë e pasuri të mëdha, duke ndërtuar monumente të ndryshme, qoftë në viset shqiptare ose në viset tjera ku kanë shërbyer.

Shkruan: Muhamed MUFAKU, Prishtinë

Në historinë e Perandorisë Osmane u ngritën në maje të pushtetit, përkatësisht në funksionin e sadriazemit ose kryeministrit shumë figura shqiptare që shërbenin më parë si vezirë, valinj, komandantë ushtrie e admiralë deti. Numri i tyre sillet rreth 30-39 sipas asaj që është botuar gjer më tani, duke marrë parasysh se nja 30 identifikohen shprehimisht si shqiptarë (arnautë) ose “me origjinë shqiptare” në burimet osmane e në enciklopeditë turke, kurse për të tjerët ka edhe identifikime tjera (sllavë, çerkezë, grekë etj).

Të gjithë që janë marrë me këtë temë pajtohen se shqiptari i parë që u bë sadriazem ose kryeministër qe Gedik Ahmet Pasha, i cili mbeti në këtë funksion gjatë 1475-1459, përkatësisht në kohën e ngritjes dhe zgjerimit të Perandorisë Osmane, kurse i fundit ishte Ferit Pashë Vlora gjatë viteve 1919-1920, pra kur Perandoria osmane copëtohej pasi humbjes në Luftën e Parë Botërore.

Brenda këtyre dy fazave historike të Perandorisë Osmane u paraqitën në këtë post figura të ndryshme shqiptare që e prezantonin gjendjen momentale të ngritjes ose të rënies, pra kur sulltanët ishin të plotfuqishëm dhe kur sulltanët ishin fëmijë ose të dobët. Në rastin e parë, sadriazemi ose kryeministri ishte nën hijen e sulltanit, duke zbatuar pa dilemë urdhrat e tij sepse përndryshe ose për çfarëdo dyshimi në lojalitetin e tij, ai e paguante edhe me kokën e tij. Në anën tjetër, kemi edhe sadriazemë ose kryeministra të fortë, që arritën në këtë post në momente të krizave që e kërcënonin Perandorinë dhe arritën ta shpëtonin atë duke bërë reforma, siç është rasti me Qyprylinjtë në gjysmën e dytë të shek. XVII.

Në mesin e sadriazemëve shqiptarë kemi shumë që kaluan në këtë post disa muaj ose disa vjet, sepse sulltani ishte ai që e emëronte sadriazemin, e shkarkonte dhe e lëshonte në shtëpi ose në varr. Por, kemi edhe shqiptarë që zunë këtë post dy herë, madje pesë herë, duke realizuar famë e pasuri të mëdha, duke ndërtuar monumente të ndryshme, qoftë në viset shqiptare ose në viset tjera ku kanë shërbyer. Si shembull këtu vlen Sinan Pashë Topojani (1520-1596), i cili ishte pesë herë sadriazem dhe ishte njeriu më i pasur në Perandori pas sulltanit, i cili la shumë monumente në vendet e Lindjes së Mesme.

Në mesin e këtyre sadriazemëve shqiptarë edhe Kara Murat Pasha (1596-1655) paraqet një rast të veçante për disa arsye që do t’i shohim në vijim.

Sipas botimit turk të Enciklopedisë Islame, ai është “me origjinë shqiptare”. Është i lindur më 1004 AH, pra më 1596. I ati quhej Mustafa. Murati i ri shërbeu si jeniçer dhe filloi të avancohet në saje të trimërisë së tij në beteja. Më 1638 mori pjesë në ekspeditën osmane në krye me sulltan Muratin IV kundër Persisë rreth Bagdadit, për çka pas fitores mori titullin e pashait. Ai qëndroi një kohë në Bagdad, kurse më të kthyer në Stamboll filloi të ngrihet shumë shpejtë në saje të rrethanave të kohës. Kështu, me 1645 mori pjesë në luftë kundër flotës së Venedikut rreth Kretës. Pas dy muaj rrethim, më 17 gusht 1645, ra Hajna në duar të ushtrisë osmane, ndërsa Kara Murat Pasha u emërua guvernator i saj.

Më t’u kthyer në Stamboll, Murat Pasha u ngrit shumë shpejtë në maja të pushtetit, pasi kishte rol në ngjarjet e bujshme të 1648-tës, që e tronditën Perandorinë. Si pasojë e luftërave kundër Venedikut, si dhe të korrupsionit të sadriazemit Ahmet Pasha, udhëheqësit e ushtrisë u mblodhën në shtëpinë e tij në 17 gusht 1648 dhe hartuan një plan për rebelim dhe largimit të sadriazemit Ahmet Pasha, si dhe sulltanit Ibrahim (1640-1648). Me lejen e nënës, sulltaneshës Kosem, më 18 gusht, sadriazemi u hoq dhe u vra sikurse edhe sulltani Ibrahim, duke sjellë djalin i tij 7-vjeçar Mehmetin në vend të tij, kjo me pëlqimin e gjyshes, sulltaneshës Kosem. Me këto zhvillime të hovshme, Murat pasha u vendos në krye të ushtrisë jeniçere. Një vit më vonë, më 12 maj 1649, flota osmane pësoi humbje në luftë me flotën e Venedikut, për çka sulltani e shkarkoi sadriazemin Sofu Mehmet pasha dhe e emëroi Murat Pashën në vend të tij.

Mandati i parë i Kara Murat Pashës erdhi në kohë kritike. Sulltani në fron i kishte vetëm 7 vjet, kurse lufta për dominim në saraj u zhvillua menjëherë midis nënës së tij, sulltaneshës Turhan Hatixhe, dhe gjyshes së tij, sulltaneshës Kosem, që e kishin tani titullin më të lartë – “Sulltanesha nënë” (Validesultan). Secila prej tyre u orvat të gëzojë autoritet më shumë me anë të veprave mirëbërëse dhe me anë të lidhjeve me krerët politikë, ushtarakë e fetarë, për çka ajo kohë u quajt “pushteti i grave”. Në këtë gjendje, edhe sadriazemi ishte pjesë e luftës për pushtet, pasi sulltanesha Kosem e favorizonte Murat Pashën, kurse nëna e sulltanit, Turhan Hatixhe, ishte kundër tij. Mirëpo, Murat Pasha nuk ndihej mirë me qëndrimin e ish kolegëve të tij në ushtri. Ndaj, duke preferuar ta ruajë prestigjin e tij, ai më 5 gusht 1650 dha dorëheqje.

Pas dorëheqjes së tij, ai u emërua vali i Budimit, kurse më 1653 u kthye në Stamboll për ta marrë komandën e flotës osmane në kohën e përshkallëzimit të luftës detare me Venedikun në Detin Mesdhe. Në kohën kur flota venedikase i rrethoi Dardanelet, në qershor të vitit 1654, ai u ngarkua me mision për ta çarë bllokimin dhe që të dërgojë në Kretë përforcime osmane. Pasi siguroi anije të reja dhe thirri për ndihmë anije prej Tunizisë e Tripolit, në qershor 1654 doli në krye të një flote me gati 100 anije dhe arriti ta fitojë betejën e madhe kundër flotës venedikase, kjo edhe përkundër humbjeve që i pësoi. Me këtë fitore Murat Pasha u bë figurë me ndikim më të madh në Stamboll.

Kështu, Murat Pasha edhe një herë, më 11 maj të vitit 1655, u emërua sadriazem. Mirëpo, kësaj herë Perandoria ishte në prag të një krizë të madhe ekonomike e politike, kjo si pasojë e luftës me Venedikun dhe kryengritjes në Anadolli në krye me Abaza Hasanin. Komanda e ushtrisë jeniçere, e cila u përforcua gjatë luftës për pushtet midis dy sulltaneshave, nënës dhe gjyshes, tani bënte presion, duke diktuar emërime në poste të ndryshme në kohë të krizës financiare. Murat Pasha e pa se posti do konfrontim me komandën ushtarake, përkatësisht me ish kolegët e tij, andaj preferoi përsëri të japë dorëheqje, më 19 gusht 1655, duke vlerësuar se konfrontimi me ushtrinë jeniçere do të kushtonte shumë. Vërtet, Perandoria Osmane ishte atëherë në një krizë të madhe, saqë duket më se miri nëse marrim parasysh se midis dy mandateve të Kara Murat Pashës, pra prej 25 gusht 1650-11 maj 1655, erdhën në këtë post 6 sadriazemë. Kjo krizë e madhe do të vazhdojë edhe një vit, përkatësisht deri më 14 shtator 1656, kur një shqiptar tjetër (Mehmet Pashë Qypyrli) do ta merrte këtë post e do të bënte reforma të mëdha në ushtri e administratë, duke themeluar një dinasti që do të dallohej në historinë osmane me “Epokën e Qypyrlinjve” 1656-1703 .

Me tërheqjen e tij prej këtij posti, Murat Pasha shprehu dëshirën për të shkuar në haxh që ashtu të largohet prej skenës. Duke marrë parasysh shërbimet e tij, Murat Pasha u emërua në krye të Vilajetit të Damasku, prej nga nisej karvani më i madh për haxh. Ai u nis me disa anije në shtator 1655 drejtë portës Pajas, në jug të Skenderunit. Siç duket, kjo rrugë e gjatë e mundoi, andaj vendosi të pushojë te një figurë e njohur shqiptare në atë vend. Në atë kohë në Levant ishin dy valinj shqiptarë: Muhamed Pashë Arnauti, ish vali i Tripolit të Sirisë gjatë 1640-1653 dhe atëherë (1655) guvernator i Hamasë në Sirinë qendrore, si dhe Mehmet Pashë Qypyrliu, valiu i Tripolit në atë kohë (1655). Kështu, Murat Pasha kaloi në Hama, e cila është në rrugë për në Damask, ku Muhamed Pasha e kishte ndërtuar një pallat që e mahniti Evlia Çelebiun kur e vizitoi atë më 1648. Si bashkëvendës, Muhamet Pashë Arnauti e priti shumë mirë Murat Pashën dhe shfaqi kujdes të madh për të deri kur ai vdiq atje në tetor 1655. Murat Pasha u varros me nderime pranë xhamisë që e kishte ndërtuar Muhamet Pashë Arnauti në Hama, që njihej me emrin e tij “Xhamia e Arnautit”. Sikurse shihet në epigram të varrit, Murat Pasha shënohet si njeri bujar, luftëtar e sadriazem, pa dhënë ditën e muajin e atij viti (1655). Është për të shënuar këtu se ndonëse Hama ishte qendra e sanxhakut në kuadër të vilajetit të Tripolit, në krye të të cilit ishte atëherë Mehmet Pashë Qypyrliu, e ndonëse distanca midis dy qyteteve (Tripoli dhe Hama) nuk është më shumë se 100 km, nuk kemi të dhëna për ndonjë kontakt ose takim midis ish kryesedrazemi Kara Murat pasha dhe valiut shqiptar Mehmet pashë Qypyrli. Mirëpo, vlen të shënohet këtu se Mehmet Pashë Qypyrliu, që la shumë monumente në Siri, u bë sadriazemi i radhës më 1656, me çka filloi “Epoka e Qypyrlinjve” në Perandorinë Osmane.

Varri i Murat Pashës mbeti në vendin e tij deri më 1969, kur Ministria e Vakëfëve vendosi ta rrënojë Xhaminë e Arnautit e të rindërtojë atje një xhami më të madhe. Atëherë, varri i Murat Pashës, sikurse varri i Muhamet Pashë Arnautit, që vdiq më 1658, u bartën dhe u vendosen në Muzeun etnografik të Hamasë, ku gjenden edhe sot. (Vijon)

 

*Për shkak të natyrës së revistës janë hequr të gjitha fusnotat.