Kancelari gjerman: Ukraina është një anëtare e ardhshme e BE-së

Kancelari gjerman: Ukraina është një anëtare e ardhshme e BE-së

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se vendi i tij e sheh Ukrainën si një anëtare të ardhshme të Bashkimit Evropian (BE) dhe do të bëjë gjithçka për të mbështetur rimëkëmbjen dhe përpjekjet e rindërtimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar një grupi biznesmenësh gjermanë dhe ukrainas në Berlin, Scholz nënvizoi se vendet anëtare të BE-së do të vazhdojnë mbështetjen e tyre politike, ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.

“Ukraina është pjesë e familjes evropiane,” theksoi ai dhe u bëri thirrje kompanive gjermane të investojnë në Ukrainë, të mbështesin rimëkëmbjen dhe përpjekjet e rindërtimit.

“Ai që investon sot në Ukrainë, do të investojë në një shtet të ardhshëm anëtar të BE-së, i cili do të jetë pjesë e kuadrit tonë ligjor, tregut tonë të vetëm”, tha ai, duke shtuar: “Kur ne rindërtojmë Ukrainën, ne po e bëjmë këtë duke pasur parasysh synimin për anëtarësim në BE”.

Shumë kompani gjermane kanë hezituar të investojnë në Ukrainë për shkak të luftës në vazhdim e sipër me Rusinë që filloi në shkurt.

Ukrainës iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE në qershor, duke aktivizuar një proces anëtarësimi që mund të zgjasë me vite, apo edhe dekada.