Kanada, rriten me 71 për qind krimet e urrejtjes kundër muslimanëve

Kanada, rriten me 71 për qind krimet e urrejtjes kundër muslimanëve

Krimet e urrejtjes kundër muslimanëve në Kanada shënuan rritje me 71 për qind vitin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “Middle East Eye” (Syri i Lindjes së Mesme) në raportin e publikuar nga institucioni zyrtar “Statistikat e Kanadasë” bëhet e ditur se është vërejtur rritje e theksuar në krimet e urrejtjes kundër muslimanëve në të gjithë vendin.

Në raport thuhet se numri i sulmeve të regjistruara kundër muslimanëve në vitin 2020 ishte 84 ndërsa në vitin 2021 kjo u rrit në 144 dhe në këtë mënyrë brenda një viti është vërejtur një rritje me 71 për qind të krimeve të urrejtjes kundër komunitetit musliman në të gjithë vendin.

Ndërsa në vitin 2019 në të gjithë vendin janë kryer 182 akte kundër komuniteteve muslimane, por që në vitin 2020 është vërejtur rënie.

Këshilli Kombëtar i Muslimanëve të Kanadasë (NCCM) në një deklaratë përmes llogarisë në median sociale potencoi rritjen e krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve kanadezë në vitin 2021 duke theksuar se “Numri i krimeve të urrejtjes është shumë më i lartë se ai që tregojnë statistikat”.

Më tej vihet në dukje edhe një sulm i kryer në vitin e kaluar i cili kishte në shënjestër një familje muslimane në Ontario dhe në të cilin 4 persona humbën jetën ndërsa një tjetër u plagos.

Vitin e kaluar në Ontario, i riu 20 vjeçar Nathaniel Veltman përplasi me kamionçinën e tij në mënyrë të vetëdijshme për vdekje 4 persona nga e njëjta familje të cilët po prisnin në rrugë për të kaluar në anën tjetër.

Policia tha se sulmi ishte “planifikuar më parë” dhe se “buronte nga urrejtja”, ndërkohë që kryeministri kanadez Justin Trudeau e cilësoi ngjarjen si “sulm terrorist”.

– Rritje me 47 për qind në krimet e urrejtjes kundër hebrenjve

Në raport gjithashtu vihet në dukje se sulmet me objektiv hebrenjtë janë rritur me 47 për qind ndërsa sulmet kundër katolikëve me 260 për qind.

Numri gjithsej i krimeve të urrejtjes në vend për vitin 2020 ishte 2.646 ndërsa në vitin 2021 arriti në 3.360 me një rritje prej 27 për qind.