Kamenos braktisë Qeverinë greke, komplikohet ratifikimi i marrëveshjes (Video)

Ashtu siç kishte paralajmëruar muaj më parë, kryetari i partisë së djathtë “Grekët e pavarur”, Panos Kamenos e braktisi sot Qeverinë greke.  Këtë e ka bërë të ditur para takimit me kryeministrin grek, Aleksis Cipras, me të cilin duhej të merreshin vesh rreth ratifikimit të marrëveshjes së Prespës në Kuvendin e Greqisë. Por në këtë takim Kamenos ka njoftuar se do ta braktisë koalicionin qeveritar dhe kryeministri Cipras e ka pranuar dorëheqjen e Kamenos. Ky i fundit njoftoi se patën një takim të gjatë dhe se i ka sqaruar Ciprasit se për çështje kombëtare do të duhet ta përfundojnë bashkëpunimin e tyre katërvjeçar.

Panos Kammenos, lider i Grekëve të Pavarur
“Patëm një bashkëpunim që zgjati plot  4 vite në një qeveri për unitet kombëtar. Ne arritëm shumë së bashku. Falënderova kryeministrin për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i sqarova se për çështje kombëtare, bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë edhe më tej. Ne do të largohemi nga Qeveria”.

Në një prononcim për media pas takimit kryeministri e falënderoi Kamenosin për bashkëpunimin e tij të deritanishëm. Ndërkaq, ai bëri të ditur se në vendin e tij, gjegjësisht në postin e të parit të mbrojtjes  e ka caktuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Evangelos Apostolakis.

Aleksis Cipras, kryeministër i Greqisë
“Për gati 4 vjet kam qenë në një bashkëpunim të ndershëm dhe të sinqertë me Panos Kamenos. Ne vijmë nga familje të ndryshme politike, të gjitha ideologjitë tona të ndryshme janë të njohura në opinion. Për interesin kombëtar kemi punuar sinqerisht dhe kemi arritur shumë. Arritëm ta largojmë vendin nga kriza. E falenderoj Kamenos jo vetëm për kontributin e dhënë, por edhe për bisedën e sinqertë”.

Me qenë se Kamenos gjithashtu pati paralajmëruar se do të tërheq edhe gjithë ministrat e tij nga Qeveria, Cipras u shpreh se është i gatshëm të pranojë edhe dorëheqje të tjera  nga radhët e Grekëve të Pavarur.

Veç tjerash Kamenos drejtoi kërcënime drejt grupit të tij parlamentar duke thënë se do t’i largojë nga partia nëse votojnë pro Marrëveshjes së Prespës. Nga ana tjetër mediat greke shkruajnë se Kamenos nuk ka kontroll ndaj grupit të tij parlamentar dhe se Cipras tashmë ka siguruar shumicën e nevojshme. Emine Ismaili /SHENJA/