Kamberi pas zgjedhjes deputet kërkon që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë

Kamberi pas zgjedhjes deputet kërkon që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë

Pas disa raundeve të përsëritura të zgjedhjeve në Bujanoc, Shaip Kamberi tashmë është konfirmuar deputet në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi pas shpalljes së rezultateve përfundimtare ka kërkuar nga Serbia që të vendos sanksione ndaj Rusisë.

“Themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Ky vendim është në interes të paqes, demokratizimit, zhvillimit e stabilitetit të vendit dhe rajonit”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Kamberi i cili me mund u zgjodh deputet, bëri të ditur se Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës është në komunikim me Partinë e Aksionit Demokratik për ta vazhduar bashkëpunimin.

“Si Koalicion i Shqiptarëve të Luginës jemi në komunikim me ish-partnerin tonë të legjislacionit të kaluar, Partinë e Aksionit Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar me partnerë të tjerë të mundshëm drejt themelimit të një Grupi Parlamentar”, ka thënë ai.

Kamberi ka bërë të ditur se nuk do të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar të Serbisë, por sipas tij, parakusht për ta votuar Qeverinë do të jenë disa kërkesa që do të bëhen publike ditëve në vijim.

Kamberi është deputeti i vetëm i cili do t’i përfaqësojë shqiptarët në Parlamentin e Serbisë. Brenda një kohe të shkurtër, Kamberi ka qenë pjesë e procesit zgjedhor mbi katër herë, kjo për shkak të përsëritjeve të zgjedhjeve disa herë me radhë si shkak i parregullsive të ndryshme.

Ai vazhdimisht është ankuar se shteti serb me qëllim ka dashur që t’ia pamundësojë zgjedhjen e tij si deputet, në mënyrë që zëri i shqiptarëve të mos dëgjohet në parlamentin serb.

Zgjedhjet për herë të fundit janë mbajtur më 27 maj në Tërnoc të Luginës për parlamentin e Serbisë, ku deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme.

Në mbështetje, Kamberit i kishte dalë i gjithë spektri politik në Kosovë.

Ky do të jetë mandati i tretë i tij, si deputet në parlamentin e Serbisë./Telegrafi/