Ka shkuar në 93 numri i të vdekurve nga tërmeti në Kinën perëndimore

Ka shkuar në 93 numri i të vdekurve nga tërmeti në Kinën perëndimore

Numri i të vdekurve nga një tërmet i madh në Kinën perëndimore u rrit në 93 ndërsa kërkimi për të mbijetuarit vazhdon ende, thanë autoritetet.

Një tërmet me magnitudë 6.8 goditi provincën Sichuan javën e kaluar, me pjesën më të madhe të dëmeve të përqendruara në Rajonin Autonom Tibetian Ganze në provincë.

25 persona të tjerë mbeten të zhdukur që nga mbrëmja e së dielës, thanë ekipet e shpëtimit, sipas transmetuesit shtetëror CCTV. Kërkimi për të mbijetuarit dhe gjetja e trupave u ndërlikuan nga reshjet e dendura dhe rreziqet e rrëshqitjeve të dheut, të cilat detyruan disa banorë të zhvendoseshin në strehimore të përkohshme.

Tërmeti preku gjithashtu Chengdu, kryeqytetin e provincës, ku banorët ishin nën kontrolle të rrepta zero-COVID, që do të thotë se ata nuk lejoheshin të dilnin nga ndërtesat e tyre. Pamjet në internet treguan banorët duke goditur portat metalike në pjesën e përparme të komplekseve të apartamenteve ndërsa kërkonin të largoheshin nga ndërtesat e tyre.

Dhjetëra miliona mbeten nën kontrollet e gjera të Kinës me zero-COVID. Qeveria lokale e Chengdu njoftoi se disa rrethe ku nuk kishte pasur raste të reja me COVID-19 do të lejohen të rihapen.  Sidoqoftë, shumica e 21 milionë banorëve të saj mbeten nën izolim. Qyteti raportoi vetëm 143 raste të infeksionit me koronavirus të hënën, më shumë se gjysma e të cilave ishin njerëz që nuk kishin simptoma.

Kina ka qëndruar në sistemin e saj masiv të bllokimeve dhe testimeve masive edhe pse pjesa tjetër e botës ka liruar kufizimet. Qasja e vendit ka minimizuar vdekjet, por ka mbajtur miliona njerëz të mbyllur në shtëpitë e tyre për javë apo edhe muaj në të njëjtën kohë.