` . (Jo)kompetenca e Presidentit të republikës për pranimin e refugjatëve - TV SHENJA

(Jo)kompetenca e Presidentit të republikës për pranimin e refugjatëve

Skena politike kosovare ka qenë shpeshherë arenë përplasjesh mes zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe kjo ka rezultuar edhe me aktivizmin e Gjykatës Kushtetuese në raste të caktuara. Natyrisht se kjo gjë nuk është për t’u lavdëruar.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Trazirat në Afganistan gjatë muajve të verës 2021, që kulmuan me marrjen e kryeqytetit Kabul nga ana e forcave talebane, shpërqendruan paksa opinionin botëror, që gjithë energjinë dhe fokusin e ka kanalizuar në pandeminë COVID-19.

Më 15 gusht 2021, Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, bëri një deklaratë, ku theksoi se përmes ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i ishte përcjellë kërkesa nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit, Blinken, që Kosova të jetë nikoqire për strehimin e përkohshëm të civilëve afganë, të cilët po largohen nga vendi pas rikthimit në pushtet të talebanëve. Sipas Presidentes Osmani, afganët në fjalë ishin bashkëpunëtorë të forcave amerikane.

Për këtë arsye Presidentja Osmani u shpreh: “Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar”. Për këtë ajo radhiti tri arsye: 1) nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’u ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; 2) Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’ua mbyllur derën refugjatëve; 3) duhet t’u qëndrojmë në krah miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq.

Shënjestër e kësaj trajtese më poshtë nuk janë arsyet e dhëna ose të tjerat që mund t’i kishte dhënë Presidentja Osmani. Aspekti gjeopolitik e diplomatik, si dhe ai i kapaciteteve të shtetit kosovar, del jashtë domenit të kësaj analize. Rrjedhimisht, do të shtjellohet vetëm analiza e fjalisë që u përmend më lart, ku Osmani kishte “dhënë pëlqimin për një operacion të tillë”.

Thënë më thukët, Presidentja Osmani ka dhënë pëlqimin e saj për këtë çështje, por a i ka dhënë Kushtetuta, realisht, kompetencë të tillë institucionit të Presidentit?

 

Refugjatët

Për të qartësuar statusin e refugjatit, le t’i hedhim një sy përkufizimit që bën Ligji për Azil i Kosovës (Nr. 06/L- 026). Sipas Ligjit, refugjat konsiderohet “personi i cili për shkak të frikës së bazuar mirë për të qenë i persekutuar për arsye të racës, religjionit, kombësisë, bindjes politike apo përkatësisë së grupit të caktuar shoqëror, është jashtë vendit të shtetësisë dhe nuk ka mundësi apo për shkak të frikës së tillë nuk ka dëshirë të përfitojë mbrojtjen e atij vendi, apo personin pa shtetësi i cili duke qenë jashtë vendit të banimit të mëparshëm të rregullt për arsye të njëjta siç përmenden më lartë, nuk ka mundësi apo, për shkak të frikës së tillë nuk ka dëshirë të kthehet në atë vend” (neni 3/1.18).

Ky ligj përvijon edhe të drejtat e refugjatëve. Në këtë kontekst, refugjati ka të drejtë:të qëndrojë në Republikën e Kosovës; të ketë kushtet themelore të jetesës; të ketë kujdesin shëndetësor; të ketë ndihmën sociale themelore; të ketë ndihmën ligjore pa pagesë; të kërkojë arsimim për aplikuesit fëmijë; të gëzojë lirinë e mendimit dhe besimit fetar; të drejtën e punësimit dhe të drejtën për trajnime profesionale (neni 26).

 

Presidenti i Republikës dhe pranimi i refugjatëve

 Para së gjithash, le të kihet parasysh se në sistemin kushtetues me qeverisje parlamentare të Republikës së Kosovës, Presidentit nuk i janë ndarë kompetenca ekzekutive. Domethënë, Presidenti nuk qeveris me vendin. Këtë detyrë e ka Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri.

Po të ishte Kosova një shtet i qeverisur me sistem presidencial (si në: SHBA, Turqi, etj.), ku shefi i shtetit njëherësh është edhe shef i pushtetit ekzekutiv, atëherë Presidenti do të gëzonte monopol në ushtrimin e detyrave ekzekutive.

Së këndejmi, pranimi i refugjatëve nga një vend i huaj, përpos që është vendim i natyrës politike, po kështu sjell implikime logjistike dhe nga sfera e sigurisë, gjë që dëfton për tiparin ekzekutiv të problematikës. Kësisoj, vlerësimi i kapaciteteve shtetërore për të vendosur pranimin ose jo të refugjatëve ndërlidhet ngushtë me njohuritë teknike të kësaj fushe dhe kjo nuk ka të bëjë me detyrat dhe rolin e Presidentit si instancë dhe organ kushtetues.

Shikuar tematikën nga prizmi juridik, Kosova gëzon legjislacion përkatës për rregullimin e çështjes së refugjatëve dhe të azilit. Legjislacioni i ndan detyrat dhe kompetencat. Sipas Ligjit për Azil, me aspektet procedurale të refugjatëve merret Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim në kuadër të kësaj ministrie. Domethënë, Qeveria.

Madje Ligji përcakton se pasi dikujt i njihet statusi i refugjatit, Ministria, si organ kompetent, sa më parë do t’i lëshojë leje banimi në bazë të kritereve të caktuara (neni 9/2).

Sikurse duket haptas, jokompetenca për këtë çështje e Presidentit si organ kushtetues nuk konstatohet vetëm me interpretimin e natyrës së sistemit parlamentar të Kosovës, por edhe drejtpërsëdrejti me normat ligjore pozitive.

Mungesa e tagrit kushtetues të Presidentit për të vendosur lidhur pranimin a refuzimin e refugjatëve nuk duhet nënkuptuar mospërfilljen ndaj kësaj problematike. Përkundrazi, interesimi dhe angazhimi i Presidentit për të zgjidhur një sfidë të tillë është i mirëseardhur meqenëse Presidenti, si kreu i shtetit që është, përfaqëson unitetin e popullit, përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë dhe garanton funksionimin kushtetues të institucioneve kushtetuese. Për këto arsye, koordinimi i Presidentit me Qeverinë është jetik dhe dëfton kulturë institucionale. Megjithatë gatishmëria për një veprim nuk duhet të shoqërohet me tejkalim të autorizimeve kushtetuese.

Përkitazi me kompetencat kushtetuese të Presidentit në Republikën e Kosovës, në një analizë të publikuar gjatë vitit 2020 në revistën “Shenja”, interalia, kam nënvizuar dy elemente:

Së pari; “Mosrespektimi i kufijve kushtetues nga ana e organeve të shtetit shpie në konflikt kompetencash. Sa i takon rastit të Kosovës, kompetencat kushtetuese kryesisht janë të njohura. Zaten, paqartësitë po shfaqen për dy arsye themelore: deri diku fleksibiliteti i formulimeve të caktuara kushtetuese, paksa me probabilitet ambiguiteti, mbi rregullimin e të drejtave diskrecionale dhe – arsyeja tjetër – më kryesorja, gatishmëria e protagonistëve politikë për të përfituar me çdo kusht copëza nga pushteti politik, paçka duke ofruar edhe komentime kushtetuese aforfe që nuk korrespondojnë me parimet dhe metodat e interpretimit profesional” dhe

Së dyti, “Presidenti është subjekt politik por me detyrë pasive në qeverisje, andaj dhe nuk bart përgjegjësi politike karshi Kuvendit, kurse Qeveria është subjekti aktiv i pushtetit ekzekutiv dhe i përgjigjet Kuvendit për punët e veta. Kjo është arsyeja që ndaj të parit nuk mund të iniciohet procedurë shkarkuese për shkaqe politike, kurse Kryeministri dhe anëtarët e Qeverisë mund t’i nënshtrohen nocionit të mosbesimit. Për më tepër, ndër parimet fondamentale të së drejtës publike është ai që thotë se përgjegjësia i takon atij që gëzon kompetencë“ (Kabashi, Ditar: Domeni i Presidentit në Demokracinë Parlamentare të Kosovës, SHENJA, Viti IX, Nr. 109, Maj 2020, ff. 58-61).

Skena politike kosovare ka qenë shpeshherë arenë përplasjesh mes zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe kjo ka rezultuar edhe me aktivizmin e Gjykatës Kushtetuese në raste të caktuara. Natyrisht se kjo gjë nuk është për t’u lavdëruar.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 prodhuan një Qeveri stabile numerikisht në Kuvend. Nga po këta deputetë arriti të zgjidhej edhe Presidentja Osmani dhe Kosova duket se po merr anë kah stabiliteti institucional. Andaj, duhet shmangur çfarëdo veprimi nga zyrtarët e lartë shtetërorë që mund të prodhojë konflikt kompetencash mes tyre.

Fatmirësisht, pranimi i afganëve nuk është mollë sherri midis krerëve të lartë institucionalë meqë duket se janë në të njëjtën linjë. Zaten kjo temë e ndjeshme, që prek interesin shtetëror kërkon monolit në qëndrim. Megjithëkëtë, në emër të krijimit të dokeve të mira në administrimin e shtetit, secili bartës i organeve kushtetuese duhet të jetë i vetëdijshëm për kompetencat kushtetuese dhe të respektojë proceduralisht dhe esencialisht fushëveprimin e organeve të tjera.