` . Java katastrofale - TV SHENJA

Java katastrofale

Pasi rrëzuan demokracinë dhe rendin kushtetues në Kosovë, ata u përgatitën të shkojnë në Uashington për të diskutuar mbi kufijtë e Kosovës, gjë që ShBA përmes ambasadorit Grenell (por dhe ambasadorëve Palmer e Kosnett) kurrë nuk ka pranuar ta paraqesë si interes të vetin, por që logjikisht është interes i madh i Rusisë.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Teza e Abdi Baletës (16 qershor 2020, Revista Shenja, «Covid 19 dhe loja e tri superfuqive politike në Ballkan) është se perandoritë e mëdha me të cilat shqiptarët kanë pasur atashim simbiotik po bëjnë gabimin e njëjtë në kohë të ndryshme (ajo otomane në fundshek. XIX, ajo amerikane në fundshek. XXI), duke mos i bashkuar e forcuar shqiptarët, gjë që ndihmon perandoritë konkurrente apo aspirante që të shtrijnë kontrollin në këtë rajon (dikur Rusia e fuqitë evropiane filogreke a filosllave, sot Rusia e Kina).

Teza ime është se me sjelljen e tyre në gjeopolitikë, pra si komb, shqiptarët bëhen të shpenzueshëm lehtë.

Mjaft të marrim në konsideratë javën e katërt të qershorit 2020, katastrofale për shqiptarët.

Ajo javë filloi në datën 21, me zgjedhjet në Serbi. Serbia e Vuçiqit po ecën me hap të shpejtë drejt suprimimit të demokracisë së brendshme: ky ishte mesazhi që dëshironte të përcillte opozita serbe duke mos marrë pjesë në ato zgjedhje. Mbi 10 parti serbe nga i gjithë spektri, të majta, të qendrës e të djathta, liberale, progresiste dhe konservatore, shovene, religjioze apo reformuese, të gjitha u dakorduan për një gjë të vetme – me Vuçiqin si president gjithnjë e më të fuqishëm, në Serbi s´ka më kuptim të marrësh pjesë në zgjedhje. Armiku (i brendshëm) i bëri bashkë serbët që me bojkot nuk shpresonin ta ndalnin, por thjesht t´i përcillnin mesazh botës se ky njeri nuk linte hapësirë për demokraci, e se Serbia tashmë kishte rënë në autokraci. Në këtë shkrim nuk kemi për synim të analizojmë në detaj se a qëndron ky pretendim i opozitarëve serbë, por sipas shumë raportimeve nga shtypi i brendshëm e edhe ai ndërkombëtar, ka kohë që ngrihet shqetësimi për rritjen e autokracisë në Serbi.

Nga pikëvështrimi shqiptar, Vuçiqi do të duhej të denoncohej edhe më fort, së paku për dy arsye direkte: së pari keqtrajtimi dhe diskriminimi zyrtar i shqiptarëve të Luginës PMB gjatë sundimit të Vuçiqit, shoqëruar edhe me forcimin e frymës së urrejtjes edhe për shqiptarë të tjerë që jetojnë nëpër Serbi; e së dyti qëndrimi agresiv i Vuçiqit ndaj Kosovës, duke qenë se ky ish-ministër i Sllobodan Milosheviqit jo vetëm që nuk i njeh e nuk i pranon krimet e bëra prej qeverisë së tij në Kosovë, por edhe ka udhëhequr qeverinë serbe në një fushatë të paprecedentë çnjohjesh diplomatike, gjeste që çdo vend tjetër do t´i interpretonte si shpallje të luftës.

Mirëpo siç duket nuk e ka parë kështu Shqipëria zyrtare, ku pushtetin e mban kryeministri Edi Rama dhe diplomacinë e drejton Genti Caka. Me dëshirën e vet ata legjitimuan kurorëzimin e Vuçiqit si autokrat, duke marrë pjesë në fushatën zgjedhore në Serbi. Mbase përfaqësuesit e Tiranës nuk ndiheshin aq të sigurt në këllqet e tyre sa që të këshillonin shqiptarët që të mos merrnin pjesë fare në ato zgjedhje. Mbase bojkoti nuk do të ishte hapi më i mençur për një komunitet të cilin edhe ashtu pushteti abuzues shpesh e trajton si të padukshëm. Por vajtja e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në fushatën zgjedhore të Serbisë, gjest i cili sigurisht që është bërë me lejen dhe pajtimin e autoriteteve serbe, nuk bën gjë tjetër pos i jep mesazhin botës se Vuçiqi nuk mund të jetë aq i keq saç e shohin opozitarët. «Ja» mund të thotë Vuçiqi «edhe shqiptarëve që ankohen kaq shumë e që duan të ndahen fare nga Serbia, ua lejova që t´u vijë në fushatë e t´i përbashkojë ministri i tyre, d.m.th. ai i Tiranës». E ku ka më demokrat e tolerant se kaq?

Pse u bë nga Shqipëria kjo shplarje e imazhit të një autokrati me bëmat e hershme e të vona të të cilit do të mund të ndërtohej ndonjë manual antishqiptarizmi? Mos dritëshkurtësia? Padyshim. Lakmia për të marrë merita me angazhime afatshkurtra apo fare pa angazhim është bërë tipar tipik i shqiptarëve, edhe në politikë. Kështu, me vrap, qysh në mbrëmjen e zgjedhjeve, filluan të gumëzhinin televizionet, portalet dhe rrjetet sociale për rezultatin historik. Shqiptarët paskëshin fituar katër vende në parlament të Serbisë. Bravo Rama që çove Gentin. Vërtet pa opozitë, po ç´na duhet neve opozita e demokracia në Serbi, me rëndësi arritëm rezultatin tonë… Të nesërmen nga pasditja entuziazmi ishte pak më i esëllt. Thuhej se ishin fituar tre vende, që megjithatë do të ishte një arritje elektorale pa precedent për shqiptarët. Por, Rama përmendej më rrallë, se lideri i madh asociohet vetëm me fitore të mëdha. Tani thuhej vetëm «bravo Genti». Të pasnesërmen e zgjedhjeve nuk u fol më në mediat shqiptare pro-pushtet për zgjedhjet në Serbi. U kuptua që shqiptarët kishin marrë vetëm dy deputetë, aq sa kanë fituar edhe në disa zgjedhje të shkuara. Nuk pati asnjë arritje apo rritje për shqiptarët, por vetëm një legjitimim të paturp të Vuçiqit. Pra, kur serbët u ndanë dhe u vendosën kundër një antishqiptari të dëshmuar (për interesat e veta të brendshme), pikërisht atëherë gjenden shqiptarët që i dalin në krah atij, dhe jo shqiptarë çfarëdo por kryeministri dhe kryediplomati i Shqipërisë. «Ç´e do opozitën kur na ke ne»!

Kjo nuk ishte ndërhyrja e parë e Ramës së Shqipërisë në çështjet ballkanike. Në Kosovë ai ka zgjedhur të rreshtohet si një nga mbështetësit më të fortë të Hashim Thaçit, duke fyer publikisht secilin politikan që i ka parë projektet e Thaçit si të dëmshme për Kosovën e për shqiptarët. Afërsia e tij me Thaçin, mishëruar te miku i ngushtë i përbashkët, Baton Haxhiu, jo rrallë u aktualizua si armiqësi ndaj subjekteve të ndryshme të Kosovës, ndër të tjerat edhe Vetëvendosja, subjekti që ka dalë si më i madhi në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2017 e ato të 2019. Rama vendosi që ministrat e parë të Shqipërisë me origjinë nga Kosova t´i rekrutonte nga qarqe qartësisht servile ndaj Thaçit dhe kundërshtare të Vetëvendosjes. E në momentet më të vështira, kur Shqipëria e Kosova përballeshin me pandemi, Rama i mbylli veshët e nuk iu përgjigj fare thirrjes së kryeministrit Kurti për një koordinim në nivelet më të larta shtetërore për çështjet shëndetësore, ekonomike e politike.

Dhe ky qëndrim aspak korrekt prej një kryeministri të Shqipërisë në raport me Kosovën nuk mund të mos linte gjurmë në javën katastrofale që vendosëm të marrim në shqyrtim. Ministri i jashtëm Caka, ende pa iu tharë dafinat e lavdisë prej ndërhyrjes në zgjedhjet e Serbisë, paska fluturuar për në Uashington fshehurazi. Askush nga publiku nuk e dinte që ai kishte shkuar atje, askush nuk e dinte për çfarë. Udhëtimi i tij u publikua vetëm pas disa hulumtimeve të gazetarëve që ranë në kontakt me burime në Uashington. Çne i dërguari i Ramës në Uashington pikërisht në kohën kur pritej të ndodhte një takim i paracaktuar mes Thaçit e Vuçiqit? Nëse Shqipëria angazhohet për Kosovën, këtë duhet ta bëjë duke informuar aktorët politikë të Kosovës, e jo fshehurazi tyre. Mirëpo më shumë se sa Shqipëria-Kosovën gjasat janë që edhe kësaj radhe ka qenë Edi Rama ai që po ndihmonte Hashim Thaçin, pse jo edhe Aleksandër Vuçiqin, që të arrinin synimin e tyre të shpallur prej disa vitesh e që ishte copëtimi i Kosovës, ambalazhuar me petkun e vendosjes së kufijve etnikë.

Pasi rrëzuan demokracinë dhe rendin kushtetues në Kosovë, ata u përgatitën të shkojnë në Uashington për të diskutuar mbi kufijtë e Kosovës, gjë që ShBA përmes ambasadorit Grenell (por dhe ambasadorëve Palmer e Kosnett) kurrë nuk ka pranuar ta paraqesë si interes të vetin, por që logjikisht është interes i madh i Rusisë. Grenell në disa intervista me radhë këmbënguli, edhe në ditët e fundit, se ideja e ndryshimit të kufijve nuk ishte e administratës Trump, por vetëm e ish-këshilltarit për siguri JohnBolton (i cili tash është në armiqësi të hapur me presidentin Trump). Mirëpo Thaçi pikërisht në mëngjesin e ditës që do të nisej për Uashington (24 qershor 2020) përsëriti se atje do të kërkonte që të shqyrtohej mundësia e përfshirjes së Luginës PMB në Kosovë.

U desh një «deus ex machina» që Thaçi të mos thoshte në Uashington atë që edhe vetë Grenell i tha se nuk duhet ta thoshte, pra që të mos hapej çështja e kufijve. Në kushtet e tanishme, kur shqiptarët ekonomikisht e ushtarakisht janë ndër më të dobëtit në kontinent, e kur në rajon janë prezente Rusia e Kina të cilat kanë aspirata perandorake, në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian duket i çoroditur dhe vëmendja e ShBA-ve është tjetërkund, një aventurë e tillë edhe pse mund të hapej nga shqiptari Thaçi do të ishte më së paku në interes të shqiptarëve. Ajo lojë do t´i interesonte direkt Rusisë, për legjitimimin e aneksimit në Krime, për forcimin e agjitimit separatist në Ukrainën lindore, në Transdnjestër të Moldavisë, në Abkhazi e Oseti Jugore të Gjeorgjisë, në Nagorno-Karabak të Azerbajxhanit, si dhe me komunitetet e mëdha ruse në vendet baltike. Mbase do t´i interesonte edhe Kinës e cila ka shumë çështje të hapura, detare e territoriale, prej të cilave njëra së fundmi prodhoi angazhim ushtarak, tension e të vrarë, në verilindje të Kashmirit indian. Sigurisht do t´i interesonte Serbisë që do të nxitonte për të përdorur parimin e njëjtë në Bosnjë, ndërkohë që në Greqi kohët e fundit në tituj kryesorë gazetash kombëtare kanë filluar të shfaqen hera herës çështje të të ashtuquajturit «vorio-epir». Ndërsa në Maqedoni, duke njohur raportin e forcave, shqiptarëve maksimalisht do të mund t´u jepej një farë trekëndëshi Tetovë-Dibër-Gostivar, i cili është ofruar «bujarisht» edhe më parë nga disa «akademikë» maqedonas. Kjo do të thoshte katastrofë për Kumanovën e Shkupin, për Kërçovën e Strugën, se për Manastirin e Ohrin as që bëhet fjalë.

Pra u desh të ndodhte «e pabëra» që të shmangej ajo që kanosej. Po në datën 24 qershor, kur Vuçiqi kishte shkuar në Moskë e teksa Thaçi fluturonte për në Uashington ku tashmë gjendej Caka, Zyra e Prokurorisë së Posaçme të Kosovës doli me një deklaratë për shtyp, ku njoftoi publikun e gjerë për aktakuza të ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe disa të tjerëve.

Spin-doktorët pranë Thaçit, si dhe konspiratistë të ndryshëm me akses medial filluan të tjerrin teori se si aktakuza ishte një hakmarrje që Bashkimi Evropian ia bënte Amerikës, e cila e paskësh përjashtuar prej një procesi të dialogut Kosovë-Serbi, të cilin për vite me radhë e kishte administruar BE-ja. Disa thoshin edhe se hakmarrja ishte kundër Thaçit, i cili për muaj me radhë kishte marrë një pozitë të hapur kundërshtuese, madje edhe ofenduese kundër BE-së. Pati të tjerë që thoshin se jo BE-ja, por kundërshtarët e Trump-it në Amerikë e kishin organizuar këtë «goditje». Pra qarqet pranë Biden, Clinton etj. të cilat dikur kishin mbajtur barrën kryesore për çlirimin e Kosovës, tash paskan vendosur të implikojnë luftën e Kosovës në akuza të tilla. Mirëpo këto tjerrje anashkalojnë, me apo pa qëllim, se Prokuroria e Posaçme udhëhiqet prej një prokurori amerikan të emëruar nga administrata Trump para dy vitesh, dhe se aktakuza për të cilën publiku i gjerë u njoftua në 24 qershor, në fakt është ngritur në 24 prill. Në atë kohë ambasadori Grenell shërbente edhe si drejtues i DNI, pra në një pozitë ku kishte akses në inteligjencë më shumë se kushdo tjetër. Pra jo vetëm që prokuroria drejtohet e kontrollohet prej njerëzve të emëruar nga administrata Trump, por edhe sikur ata të mos ishin luajalë e të vepronin fshehurazi, Grenell ka qenë në pozitë që të mësonte çdo gjë që bluhej aty. Nuk ka asnjë dyshim, Grenell e ka ditur që aktakuza është ngritur. Dhe intervistat e tij, ku thoshte me këmbëngulje se nuk do të flitej për kufij e territore nuk duhen marrë si përshkrim, por si paralajmërim. Siç duket, Thaçi vendosi të mos e marrë parasysh atë paralajmërim.

Dhe kështu java katastrofale vazhdoi me mediat e gjithë botës që shkruanin në kryetituj mbi kreun e shtetit të Kosovës të akuzuar për krime të rënda, duke e lidhur imazhin e vendit me sundimin e grupeve kriminale të impozuara si politike. Ky imazh i keq për Kosovën ka qenë një synim për të cilin Serbia ka punuar shumë.

Sigurisht as unë e asndonjë shqiptar tjetër me mend në kokë nuk i mbështet akuzat ndaj asnjë luftëtari për çlirim, e as i beson ato. Nuk u desh të votohej fare ajo Gjykatë Speciale, të cilën pikërisht Thaçi e solli në fuqi duke detyruar deputetët në vitin 2015 që ta votojnë atë (me të njëjtin zell që i detyroi në 2020 që të votonin rrëzimin e Vetëvendosjes nga qeveria). Mirëpo shija e keqe e aktakuzës, së paku për ne shqiptarët, nuk qëndron te përmendja e krimeve të luftës se ne e dimë që ato janë pallavra. Por te paragrafi i fundit i njoftimit nga Zyra e Prokurorisë, ku përmendet se Thaçi është angazhuar prej një kohe të gjatë në sabotimin dhe pengimin e punës së Gjykatës Speciale. A është spekulim ky pohim? E dimë se Thaçi i ka dërguar fshehurazi një letër Pompeo-s në nëntor të vitit 2019, ku ka kërkuar që të zhbëhet Gjykata Speciale. Ajo letër ka marrë përgjigje refuzuese nga Pompeo. Po ashtu dimë se në 24 prill 2020, pikërisht në ditën kur është ngritur aktakuza, Baton Haxhiu në një emision televiziv (Pressing, T7), ka thënë publikisht se marrëveshja e Kosovës me Serbinë duhet të ketë tre elementë: së pari rrëzimi i Gjykatës Speciale; së dyti amnistia për krimet e luftës; së treti përcaktimi i çështjes së veriut (pra ndryshimi i kufijve). Nëse data e njëjtë nuk është koincidencë, atëherë Baton Haxhiu paska qenë po ashtu në dijeni për aktakuzën e ngritur, dhe ka reaguar menjëherë kundër saj duke kërkuar haptazi rrëzimin e Gjykatës Speciale dhe amnistinë e krimeve të luftës si pjesë të një marrëveshjeje me Serbinë. Të kërkosh amnistinë e krimeve të luftës do të thotë të lësh pa drejtësi mbi 12 mijë të vrarë të Kosovës dhe mbi 20 mijë gra, fëmijë e burra të dhunuar seksualisht. Ndërsa të kërkosh që rrëzimi i Gjykatës Speciale të jetë pjesë e marrëveshjes me Serbinë, nënkupton t´i japësh palës serbe automatikisht të drejtë të kërkojë edhe diçka më shumë, pra t´ia rrisësh asaj çmimin e t´ia ulësh vetes.

Pas thagmës që u publikua, Thaçi do të duhej të fliste. Nëse do të respektohej standardi i vendosur prej shumë ish-luftëtarëve të tjerë, Thaçi do të duhej të jepte dorëheqje nga pozita e presidentit, që të mos implikonte gjithë vendin në procese të tilla. Po ashtu, duke qenë se të gjithë besojmë që është i pafajshëm, të shkonte e të përballej me atë gjykatë të padrejtë, të cilën ia dhuroi Kosovës vetë, me pretendimin se ajo do t´ia pastronte imazhin UÇK-së. Vetë Hashim Thaçi kishte nxituar t´i uronte rrugë të mbarë dhe kthim faqebardhë secilit ish-luftëtari shqiptar që ishte thirrur në gjykata të tilla. Por Kosova nuk i ka dy hashimë, prandaj askush nuk i uroi rrugë të mbarë Thaçit. Asnjë shqiptari nuk i vjen mirë që Hashim Thaçi të shkojë në Hagë. Sa mirë që nuk ka dy hashimë.

Gjithsesi Hashim Thaçi heshti plot pesë ditë. Nuk pati reagime as nga Vuçiqi. Siç duket, prej trojkës së famshme të Ballkanit Perëndimor detyrën për të bërë zhurmë e kishte Rama, i cili mbajti disa fjalime e emisione patetike. Në to tregonte se si Serbia paskësh qenë kriminele e se si edhe vetë klasa drejtuese aktuale e Serbisë paska qenë e përfshirë në ato krime. A thua vetëm tani e mori vesh Rama se Daçiqi kishte qenë zëdhënës i Millosheviqit dhe Vuçiqi ministër i propagandës? A nuk i ka ditur këto gjëra kur bashkë me Thaçin (por edhe ndaras) e takuan Vuçiqin, duke i treguar botës se ky udhëheqës i Serbisë ishte i pranueshëm për shqiptarët, pra nuk kishte arsye që të mos ishte i pranueshëm për të tjerët? Kështu Rama u ankua se ishin prishur balancat e opinionit global, dhe kasapi i dikurshëm po pozonte si viktimë. Vonë e kuptoi se personi që kishte pritur me nderime të mëdha e me të cilin kishte dashur të integrohej në një mini-shengen, paska qenë një kasap e kriminel…

Heshtja e Thaçit përfundoi në datën 29, pra kur java katastrofale kishte kaluar. Mbase për supersticion ai priti të hënën, sepse java 21-28 mund t´i jetë dukur si e nëmur. E nëse nuk ka qenë për supersticion, atëherë e vetmja gjë që mund të ketë pritur ishte ndihma e radhës nga Edi Rama, i cili kësaj radhe erdhi në Prishtinë për t´u përpjekur të luajë rolin e pajtuesit mes subjekteve. Rama i cili publikisht ka sharë e ka përçarë spektrin politik dhe këdo që nuk është pajtuar me Thaçin në Kosovë, tash erdhi për të shtrirë dorën e pajtimit. Ah ironia! Rama i cili në Shqipëri «është kujdesur» të mos përafrojë kurrë qëndrimet me opozitën (as për politikë të jashtme), erdhi t´u thotë subjekteve të Kosovës që të mos ndjekë shembullin e Shqipërisë e të mos polarizohet aq shumë, por të punojnë së bashku për interesat kombëtare…

Pas spektaklit të Ramës me veshjet e tij piktoreske, Thaçi e çeli gojën. Për të thënë se nuk do të jepte dorëheqje pa iu konfirmuar akuza. Le të kujtojmë se Haradinaj kishte vendosur precedent duke dhënë dorëheqje edhe thjesht pse u thirr për intervistë, pa patur fare akuzë. Siç duket Thaçi nuk ndjek të njëjtat principe morale e politike.

Por, dha dorëheqje apo jo Thaçi, ai tashmë, së paku për një kohë, nuk është palë e pranueshme për të përfaqësuar Kosovën ndërkombëtarisht. E deri kur të ketë zgjedhje të reja, Kosova do të përfaqësohet nga Avdullah Hoti e nga ndonjë president që Thaçi do të përpiqet ta zgjedhë vetë, në rast se detyrohet të japë dorëheqjen. Kësisoj shqiptarët e ulin nivelin e përfaqësimit të vet ndërkombëtar, e ulin legjitimitetin e institucioneve të veta, e stërkeqin imazhin e shtetit faqe botës, dhe shndërrohen në brenga, e jo në aleatë për miqtë e mëdhenj ndërkombëtarë.

Baleta thotë se superfuqitë mike gabojnë sepse nuk na forcojnë kur vijnë momentet kyçe të historisë, dhe kështu avancojnë superfuqitë jo-miqësore. Mirëpo shtrohet pyetja, a mund të të forcojë dikush, sado i madh e i fuqishëm, nëse ti vetë nuk do të forcohesh? Forcimi i vendit kërkon zhvillim të institucioneve e demokracisë, ekonomisë e ushtrisë, pra kërkon punë të madhe. Ndërsa shqiptarët (shumica e tyre, shpesh) mendojnë se lehtë, me ndonjë hile e ndonjë shkathtësi prej prestidigjitatori, nën tavolinë apo në prapaskenë, do të arrihen suksese të mëdha, në mos për vendin, për veten. Kështu që, nuk u duket kushedi se sa e veçantë ajo javë katastrofale…