Izraeli në 2018 miratoi ndërtimin e mbi 10 mijë vendbanimeve hebreje

Izraeli në 2018 miratoi ndërtimin e mbi 10 mijë vendbanimeve hebreje

Sipas Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), autoritetet izraelite vitin e kaluar miratuan ndërtimin e 10.298 njësive të reja për vendbanime vetëm hebreje në Bregun Perëndimor, prej të cilave 2.600 u ndërtuan në Kudsin Lindor të pushtuar nga Izraeli, transmeton AA.

Sipas raportit të PLO-së, autoritetet izraelite miratuan një njësi të re, atë Amiha pranë qytetit Nablus në Bregun Perëndimor, së bashku me një lagje të re në njësinë Gush Etzion pranë qytetit Bethlehem.

Raporti po ashtu pohon se për të njëjtën periudhë autoritetet izraelite konfiskuan 3.439 dynym (1 dunum = 1.000 metër katrorë) tokë në Bregun Perëndimor, përfshirë 1.182 dynym në luginën strategjike të Jordanisë.

Më tej, raporti pohon se Izraeli vitin e kaluar çrrënjosi rreth 7.600 pemë ulliri, palma dhe bajame në Bregun Perëndimor si dhe thekson se autoritetet izraelite shkatërruan 538 shtëpi dhe ndërtime, ndërsa lëshonin urdhra të prishjes për 460 ndërtime të tjera.

Këto shkatërrime, thuhet në raport, rezultuan në zhvendosjen e rreth 1.300 palestinëzëve, përfshirë 225 fëmijë.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Më vonë, në vitin 1980 aneksoi qytetin duke e quajtur atë si “kryeqytet të përjetshëm” të vetëshpallur të hebrenjve, lëvizje të cilën komuniteti ndërkombëtar asnjëherë nuk e njohu.

Ligji ndërkombëtar e trajton Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, si “territor të pushtuar”, ndërsa të gjitha ndërtimet izraelite të vendosura atje i konsideron si të paligjshme.