Ivanovi dhe VMRO-ja kundër Ligjit të Gjuhëve dhe Marrëveshjes së Prespës (Video)

Ivanovi dhe VMRO-ja kundër Ligjit të Gjuhëve dhe Marrëveshjes së Prespës (Video)

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka nënshkruar mbrëmë dekretet për publikim në Gazetën Zyrtare të Ligjit për Përdorim të Gjuhëve dhe Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Bashkë me vendimet e Kuvendit, Xhaferi tha se në Gazetën Zyrtare ku në numrin e sotëm u publikuan të dy ligjet, ka dërguar edhe dokumentacionin plotësues, si dhe arsyet për të cilat ai ka dekretuar dy vendimet vetëm me nënshkrimin e tij.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit
“Mbrëmë unë në cilësinë e kryetarit të Kuvendit dhe në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, nënshkrova dy dekrete të cilat mandej, bashkë me tekstet përkatëse i dërgova për publikim në gazetën zyrtare. Të dy dekretet i dërgova në gazetën zyrtare në bazë të nenit 52 dhe nenit 75 paragrafi 1 dhe 2 i Kushtetuës së Maqedonisë dhe me sqarim plotësues të arsyeve pse dekreti është nënshkruar vetëm nga ana ime”

Xhaferi tha se i ka dhënë kohë të mjaftueshme presidentit Gjorgji Ivanov, që të ndryshojë mendje dhe të kryej obligimin e tij kushtetues për të dekretuar dy ligjet. Por pasi ky i fundit nuk ndërmorri asnjë veprim që nga miratimi i dy ligjeve, Xhaferi tha se mbrëmë ka vendosur vetëm të realizojë obligimet e tija kushtetuese për të zyrtarizuar vendimet e miratuara nga institucioni më i lartë ligjvënës në vend. Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua përfundimisht në Kuvend më 14 mars, ndërsa ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës më 5 korrik. Dy ligjet u miratuan në tre lexime dhe të njëjtit presidenti Ivanov nuk i dekretoi duke i vlerësuar si antikushtetues. Arben Zeqiri /SHENJA/