Italia shpall gjendje të jashtëzakonshme në rajonet veriore për shkak të thatësirës

Italia shpall gjendje të jashtëzakonshme në rajonet veriore për shkak të thatësirës

Italia shpalli gjendje të jashtëzakonshme të hënën në pesë rajonet veriore që janë më të prekura nga thatësira, raporton Anadolu Agency (AA).

Kabineti qeveritar i drejtuar nga kryeministri Mario Draghi, vendosi të nxjerrë dekrete emergjente për Emilia-Romagna, Friuli-Venezia Giulia, Lombardi, Piemonte dhe Veneto, si rrjedhojë e thatësirës në lumin Po dhe pellgjet lindore të Alpeve.

Qeveria ndau 36.5 milionë euro për tejkalimin e krizës. Pjesa më e madhe e fondeve (10.9 milionë euro) do t’i jepet rajonit Emilia-Romagna.

Italia është përballur me thatësirën më të rëndë në 70 vitet e fundit. Sasia e reshjeve në rajonet veriore të vendit është përgjysmuar që nga fillimi i këtij viti krahasuar me vitet e mëparshme.

Disa komuna në veri u detyruan të imponojnë masa kufizuese për përdorimin e ujit të pijshëm dhe ujitjes bujqësore për shkak të nxehtësisë ekstreme të përjetuar në javët e fundit.

Ekspertët kanë paralajmëruar se kriza e thatësirës në të gjithë vendin kërcënon 30 për qind të prodhimit bujqësor dhe deri më tani ka shkaktuar humbje në vlerë prej afro 3 miliardë eurosh në sektorin e bujqësisë.