Italia po përjeton vitin më të nxehtë që nga viti 1800

Italia po përjeton vitin më të nxehtë që nga viti 1800

Viti 2022, i cili numëron ditët e fundit, ishte më i nxehti në Itali që nga viti 1800, kur filluan matjet e temperaturës, njoftoi të martën Qendra Kombëtare e Kërkimeve të Italisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Rekordi vjetor i referohet temperaturave të larta dhe mesatare, sipas klimatologut të qendrës, Bernardo Gozzini, ndërsa rekordi për temperaturat e ulëta u regjistrua në vitin 2018.

Në natën e ndërrimit të viteve në të gjithë vendin pritet që temperaturat të jenë deri në gjashtë gradë Celsius mbi mesataren.

Italia përjetoi këtë vit thatësirën më të madhe në 70 vjet për shkak të nxehtësisë ekstreme dhe mungesës së reshjeve gjatë gjithë vitit.

Thatësira shkaktoi një humbje prej gjashtë miliardë eurosh, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, sipas Coldiretti, organizata më e madhe e fermerëve në nivel kombëtar dhe evropian me një milion e gjysmë anëtarë.