Irani fillon pasurimin me 60 për qind të uraniumit në impiantin Fordow pas rezolutës së IAEA-së

Irani fillon pasurimin me 60 për qind të uraniumit në impiantin Fordow pas rezolutës së IAEA-së

Irani njoftoi vendimin për rritjen e prodhimit të uraniumit në impiantin nëntokësor bërthamor Fordow, në përgjigje të rezolutës së fundit të miratuar nga organi mbikëqyrës i programit bërthamor të OKB-së, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit, siç citohet nga media shtetërore, tha se filloi të prodhonte uranium deri në 60 për qind të pastër në objektin Fordow, që ndodhet 20 milje në verilindje të qytetit iranian Qom.

Gjithashtu bëhet e ditur se u bë inspektimi dhe futja në funksionim e dy kaskadave të reja centrifugash, IR-2m dhe IR-4 në objektin bërthamor Natanz në provincën qendrore Isfahan, ndërsa dy të tjera do të furnizohen në ditët në vijim.

Po ashtu ka plane për zëvendësimin e centrifugave IR-1 në Fordow me centrifuga të avancuara IR-6. Procesi i pajisjes së një salle në objekt me tetë zinxhirë të rinj do të realizohet në disa faza.

Agjencia bërthamore e Iranit tha se kishte informuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) përmes një letre lidhur me vendimin, duke e quajtur atë një “përgjigje të fuqishme” ndaj rezolutës së fundit të agjencisë.

Bordi i guvernatorëve prej 35 anëtarësh i mbikëqyrësit të OKB-së miratoi rezolutën javën e kaluar, duke i kërkuar Iranit të bashkëpunojë urgjentisht me hetimin e tij për gjurmët e uraniumit të gjetura në tre vende të padeklaruara.

Në deklaratën e saj drejtuar bordit, pasi rezoluta u miratua me 26 vota pro dhe dy abstenime, SHBA-ja tha se Irani “tani duhet të sigurojë bashkëpunimin e nevojshëm dhe se nuk ka më premtime boshe”.

Pasurimi deri në 60 për qind, megjithëse është nën 90 për qind sa nevojitet për të arritur nivelin e shkallës së armëve, është shumë më i lartë se sa Irani ishte dakorduar të pasurojë uraniumin sipas marrëveshjes mbi programin bërthamor të vitit 2015.

Në dy vitet e fundit, Irani ka rritur ndjeshëm aktivitetet e tij të pasurimit të uraniumit nga 3,67 për qind sa ishte parashikuar në marrëveshje në 60 për qind, duke shkaktuar shqetësime në Perëndim.

Autoritetet iraniane thonë se do t’i përmbahen nivelit të përcaktuar nëse SHBA kthehet në marrëveshjen që braktisi në maj 2018 dhe të heq sanksionet e vendosura nga administrata e mëparshme amerikane.

Pas rezolutës së fundit të IAEA-s, zyrtarët e lartë iranianë kishin paralajmëruar për “masa hakmarrëse”.

I dërguari i Iranit në IAEA, Mohsen Naziri, hodhi poshtë rezolutën dhe tha se ajo mund të “ndikojë në marrëdhëniet konstruktive midis Teheranit dhe agjencisë”, duke e akuzuar agjencinë për “qëllime politike”.

Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, në fjalën e tij të dielën iu referua hapave që Teherani synon të marrë në përgjigje ndaj rezolutës, veçanërisht në Fordow dhe Natanz, duke shtuar se zbatimi do të fillojë menjëherë.

Kjo është rezoluta e dytë e miratuar nga IAEA këtë vit, që i bën thirrje Iranit të bashkëpunojë në hetimin në tre lokacione të padeklaruara, të cilat janë shfaqur gjithashtu si një pikë kyçe penguese në bisedimet rreth programit bërthamor.

Negociatat maratonë midis Iranit dhe vendeve P4+1 (Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania) në Vjenë që nga prilli i vitit të kaluar kanë ecur paralelisht me përplasjen midis Teheranit dhe IAEA-s.