Iran, vazhdojnë protestat që nisën pas vdekjes së Mahsa Aminit

Iran, vazhdojnë protestat që nisën pas vdekjes së Mahsa Aminit

Protestat të cilat nisën në Iran pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua me arsyetimin se “nuk respektonte rregullat e shamisë”, vazhduan në ditën e 6-të ndërsa në disa qytete protestuesit i vunë flakën automjeteve të policisë dhe ambulancave, raporton AA.

Sipas imazheve të shpërndara në rrjetet sociale, protestat të cilat nisën me vdekjen e Mahsa Aminit më 16 shtator, e cila u dërgua në spital dhe ra në koma pasi u ndalua nga patrullat e Irshadit të njohur si “Policia e moralit” në Teheran më 13 shtator, u përhapën në shumë provinca, rrethe dhe qytetet e vendit.

Deri më tani, protesta janë mbajtur në shumë qytete, veçanërisht në Teheran. Në shumë pika pati përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, protestuesit sulmuan një stacion policie në rrethin Bojnurd të provincës së Khorasanit të Veriut mbrëmë dhe i vunë flakën stacionit të policisë. Në pamjet shihet se si digjet një shkollë fetare në qytetin e Bandar Abbas.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Pedram Pakayin tha se 61 autoambulanca janë shkatërruar ose djegur nga protestuesit gjatë ngjarjeve në mbarë vendin, pa dhënë asnjë informacion për numrin e personave që kanë humbur jetën. Aktivistët në mediat sociale argumentojnë se protestuesit kishin në shënjestër ambulancat sepse protestuesit e ndaluar u transportuan me autoambulanca.

Pavarësisht kufizimeve në rrjetet sociale në vend mbrëmjen e djeshme, vala e protestës po zgjerohet. Ndonëse ende nuk ka të dhëna të sigurta për numrin e të vdekurve, të plagosurve dhe të arrestuarve në protesta, sipas deklaratave të autoriteteve të paktën 9 persona, mes të cilëve 2 roje sigurie, kanë humbur jetën gjatë protestave që u kthyen në dhunë. Autoritetet mohojnë që forcat e sigurisë qëlluan protestuesit, duke pretenduar se ata u vranë nga opozitarë të armatosur.

“Në protesta u vranë 3 anëtarë të Basij”

Autoritetet e Iranit njoftuan se 3 anëtarë pro-regjimit “Basij” u vranë nga protestuesit në qytetet Mashhad, Tabriz dhe Qazvin. Thuhet se në qytetin Mashhad, një anëtar i ‘Basij’-it i quajtur Muhammed Resul Dust Muhammedi është vrarë nga një sulm me thikë nga një grup me motoçikleta.

Burimet e opozitës pohojnë se viktimat në protesta janë shumë më të larta.

Në lajmet për protestat e publikuara në gazetën “Keyhan”, e cila njihet për afërsinë e saj me liderin iranian, Ayatollah Ali Khamenei, policia dhe forcat e sigurisë u thirrën që “të mos bëjnë kurrë lëshime ndaj kriminelëve”.

Grupi ndërkombëtar i hakerëve “Anonymous” njoftoi në llogarinë e tij në Twitter se më shumë se 300 kamera sigurie në të gjithë vendin u sulmuan me sulme kibernetike si përgjigje ndaj qeverisë iraniane.

Vdekja e Aminit më 16 shtator, e cila u dërgua në spital në gjendje kome pasi u ndalua nga patrullat e Irshadit të njohur si “Policia e moralit” në Teheran më 13 shtator, shkaktoi zemërim në vend.

Pas funeralit të Mahsa Aminit në vendlindjen e saj në Saqqez më 17 shtator, filluan protesta në Teheran dhe në qytete në perëndim të vendit.