Iran, 3 të vrarë në protestat për vdekjen e një gruaje në paraburgim

Iran, 3 të vrarë në protestat për vdekjen e një gruaje në paraburgim

Të paktën 3 persona janë vrarë në protestat disaditore në provincën Kurdistan të Iranit për vdekjen e javës së kaluar të një gruaje 22-vjeçare në paraburgim nga policia, transmeton AA.

Siç raporton agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve ‘Fars’, guvernatori i provincës Kurdistan, Ismail Zarei Koosha njoftoi se 3 persona janë vrarë “në mënyrë të dyshimtë” në demonstratat e mbajtura në qytetet e provincës.

Vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini ka çuar në protesta të gjera në të gjithë Iranin.

Koosha tha se dy persona janë vrarë me armë ndërsa shkaku i personit të tretë është duke u hetuar.

Të premten, Amini u dërgua në një stacion policie në kryeqytetin Teheran nga anëtarët e policisë morale për një shkelje të dyshuar të kodit islamik të veshjes. Sipas pamjeve CCTV të publikuara nga policia, brenda stacionit të policisë në rrethana misterioze asaj i ra të fikët dhe më vonë u shpall e vdekur në një spital në Teheran.

Policia e ka mohuar keqtrajtimin e 22-vjeçares dhe thotë se ajo ka humbur jetën nga një sulm në zemër. Autoritetet thonë se kanë nisur një hetim.

Teherani dhe qytetet e tjera të mëdha iraniane janë tronditur nga protestat në ditët e fundit për vdekjen e 22-vjeçares, me protestuesit që bëjnë thirrje për drejtësi dhe përgjegjësi.

Dje, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë në një njoftim vdekjen e gruas iraniane e cilësoi si një “fyerje të tmerrshme dhe skandaloze ndaj të drejtave të njeriut”.