Inzaghi “përkëdhel” Asllanin: Vlerë e shtuar te Inter

Inzaghi “përkëdhel” Asllanin: Vlerë e shtuar te Inter

Kristjan Asllani e ka shfrytëzuar maksimalisht faktin që Marcelo Brozovic vijon pushimet. Ylli shqiptar i mesfushës ka shkëlqyer në dy miqësoret e para të Interit në këtë fillim të sezonit.

20-vjeçari shënoi në testin e parë, teksa konfirmoi cilësinë në miqësoren e fituar 4-1 ndaj Luganos, ku e nisi si titullar. Ai dha asistin e golit të parë, me autor D’Ambrosio.
Paraqitjet nuk kaluan pa u vënë re nga trajneri Simone Inzaghi: “Kërkuam me çdo kusht ta kishim në skuadër dhe prej ditëve të para Asllani tregoi personalitet, pavarësisht moshës tejet të re. Brozovic është titullari ynë i padiskutueshëm, por Kristjani do të jetë një vlerë e shtuar gjatë sezonit”.

Talenti kuqezi luajti në rolin e organizatorit para mbrojtjes. Një rol që zakonisht mbulohet nga Brozovic. Sipas stafit teknik të Interit, por edhe specialistëve në Itali, sinjalet e dhëna nga Asllani në këtë pozicion ishin mjaft pozitive.