` . Intervistë me kryetarin e Institutit të Mendimit Islam, Mehmet Görmez - TV SHENJA

Intervistë me kryetarin e Institutit të Mendimit Islam, Mehmet Görmez

Kryetari i Institutit të Mendimit Islam Prof. Dr. Mehmet Görmez iu përgjigj pyetjeve të portalit “Mesazhi.com” nga Kosova.

  1. Profesor, po përjetojmë një fatkeqësi që quhet koronavirus. Të krishterët në mesjetë, të tilla fatkeqësi ia atribuonin zemërimit hyjnor. Këtë botëkuptim e kanë edhe muslimanët. Si është e vërteta?

Të kuptuarit dhe interpretimi i fatkeqësive si epidemitë e mëdha apo tërmetet, ka shkaktuar kriza të shumta si në historinë e feve, ashtu edhe në atë të filozofisë. Mund të thuhet se krisja e madhe në mendimin perëndimor i ka fillimet në debatet që ngjalli një fatkeqësi e tillë. Tërmeti i 1755-ës i Lizbonës i vuri përballë këndvështrimin materialisto-fizikalist dhe atë teologjiko-shpirtëror, duke ndezur fitilin e konfliktit mes fesë, shkencës dhe filozofisë. E vërteta është se sa ç’është i përciptë, i gabuar dhe i mangët këndvështrimi fizikalist ndaj qenies dhe universit që shkakun e gjithçkaje e kërkon vetëm në një shkakësi mekanike, po aq i përciptë, i gabuar e i mangët është edhe botëkuptimi teologjik që çdo fatkeqësi e sheh si dënim dhe zemërim hyjnor.

Të tilla fatkeqësi shkenca i shpjegon, filozofia përsiat mbi to duke i kaluar nëpër filtrin e arsyes, kurse feja u jep kuptim. Por kuptimi që jep feja – kur bëhet fjalë për Islamin – nuk e hedh poshtë shpjegimin e shkencës dhe përsiatjen e filozofisë. Shkenca është ekzegjezë e shenjave që Zoti ynë ka vënë në gjithësi, kurse arsyeja dhe mendimi janë dhurata e tij më e madhe për njeriun. Shkenca na e shpjegon koronavirusin; si pëson mutacione, si kthehet nga epidemia në pandemi dhe si përhapet në mbarë botën, por nuk mund t’i japë kuptim të gjithë kësaj. Nuk shpjegon dot urtësinë e kësaj. Nuk mund ta dijë se çfarë mësimesh duhet të nxjerrim nga kjo. Nuk e sheh dot përmasën shpirtërore dhe metafizike të fenomenit. Këtë gjë e bën feja. Por edhe një gjoja njeri i fesë me një botëkuptim të mangët për shkencën dhe gjithësinë, që nuk e njeh sunnetullahun (ligjet e Zotit në natyrë), nuk mund t’i japë kuptim si duhet.

Të tilla fatkeqësi në Kur’an trajtohen jo vetëm si dënime dhe zemërim hyjnor, por si shenja për të marrë mësim. Këto fatkeqësi nuk janë zakone hyjnore, por shenja hyjnore dhe shenjat lexohen sipas mësimeve që përmbajnë. Fjala ibrah – mësim, në Kur’an tregon një mënyrë të kuptuari. Të marrësh mësim nuk do të thotë t’i kuptosh gjërat literalisht, por të përsiasësh mbi shkaqet dhe pasojat e gjërave.

T’U RUHESH TRI GABIMEVE

Për t’i kuptuar drejt të tilla ngjarje, nuk duhen bërë këto tri gabime:

Së pari, t’ia atribuosh këto fatkeqësi një personi, një ngjarjeje, një shoqërie dhe një mëkati të caktuar. Sepse në të tilla fatkeqësi nuk vdesin vetëm mëkatarët, por edhe të devodshmit, njerëz të pafajshëm e fëmijë. Gjatë murtajës së Amuasit në kohën e Hazreti Omarit humbën jetën edhe sahabë të shumtë.

Së dyti, t’i mendosh të tilla epidemi të mëdha si të pavarura nga bëmat e njerëzve, nga gabimet e njeriut në marrëdhënien e tij me natyrën. Sepse, “Nga bëmat e njerëzve, janë shfaqur shkatërrime në tokë e në det.” (Rum, 30: 41)

Së treti, t’i vlerësosh të tilla ngjarje duke e shpërfillur Zotin, Krijuesin. Prandaj kundrejt të tilla ngjarjeve duhet bërë kujdes të mos thuhen gjëra të pamenduara mirë.

VDEKJA E FËMIJËVE

  • Botëkuptimi që fatkeqësitë natyrore ku humbin jetën edhe fëmijë e të pafajshëm i quajn “dënime”, a bie ndesh edhe me atributin e Zotit si “i Drejtë”?

Po t’i cilësojmë vetëm si “dënim”, kjo bie ndesh me atributin e Zotiti “i Drejtë”, edhe me atributet “i Mëshirshëm” dhe “Mëshirues”. Siç u shpreha edhe më lart, për t’i kuptuar drejt këto gjëra, duhet t’i vështrojmë në mënyrë tërësore.

Ata që besojnë se ekziston vetëm jeta e kësaj bote, të cilët qenien e reduktojnë në materie dhe njeriun në trup, të cilët i shpërfillin përmasat transhendentale, metafizike e shpirtërore të qenies dhe të cilët nisen nga një përfytyrim fragmentar për botën dhe të mangët për shkencën, e kanë të vështirë t’i kuptojnë e t’u japin kuptim fatkeqësive të tilla. Madje pa u kuptuar qëllimi i ekzistencës dhe urtësia e krijimit, pa u formuar një përfytyrim i saktë për gjithësinë dhe pa besimin në jetën e amshuar, nuk mund të shpjegohen e keqja, dhimbja e vuajtja në këtë botë.

Kur fatkeqësitë i kuptojmë si shenja, edhe këto sëmundje e kanë një kuptim, një qëllim, një urtësi dhe filozofi. Madje mund të shihen jo si dënim, por si mëshirë. “Në shumëçka që nuk ju pëlqen, ka hajër për ju e në shumëçka që ju pëlqen, ka dëm për ju…” (Bakara, 2: 216) Askush nuk ka të drejtë ta paraqesë Zotin tonë të Mëshirshëm e Mëshirues si një Zot që derdh zemërimin e dënimin e Tij mbi njerëzit nga qiejt.

Fatkeqësitë i shërbejnë qëllimit për të cilin është krijuar njeriu. Nga kjo pikëpamje, fatkeqësitë janë paralajmërime hyjnore që na kujtojnë urtësinë e krijimit tonë. Në fakt fatkeqësitë nuk janë as vetëm paralajmërime hyjnore. Për disa janë mëshirë. Për disa janë larje mëkatesh. Për disa janë ngritje e shkallës shpirtërore. Ndonjëherë fatkeqësitë janë për t’i mbrojtur të pafajshmit nga fatkeqësi më të mëdha.

E MIRA DHE E KEQJA

  • Këtu vijmë në një problem shumë të madh teologjik, të cilin edhe ju e keni trajtuar mjaft në veprat tuaja: Si duhet ta kuptojmë parimin se “e mira dhe e keqja (hajri dhe sheri) janë nga Zoti”?

Këtu duhet të dallojmë tri gjëra: të keqen ontologjike, të keqen morale dhe potencialin që i është dhënë njeriut për të bërë keq.

Lidhur me të keqen ontologjike, unë mendoj si Imam Maturidiu. Domethënë, në botën e qenies nuk ka të keqe absolute. E keqja nuk është diçka në vetvete. Dhe asnjë e keqe nuk mund t’i atribuohet drejtpërdrejt Zotit.

Për të keqen morale, i vetmi përgjegjës është njeriu. Edhe në Kur’an thuhet: “E mira të vjen nga Zoti, kurse e keqja nga vetja jote.” (Nisa, 4: 79)

Kurse potenciali për të bërë keq që i është dhënë njeriut, është pjesë e urtësisë së krijimit dhe të ekzistencës. Ashtu siç nuk mund ta kuptojmë dritën pa errësirën, nuk mund ta njohim të vërtetën pa gënjeshtrën, nuk mund ta kuptojmë drejtësinë pa padrejtësinë, nuk mund ta perceptojmë të mirën pa të keqen. Por shkakun e asnjë padrejtësie apo gënjeshtre, ekzistencën e asnjë të keqeje nuk mund t’ia atribuojmë Zotit. Sikur të mos ekzistonte e keqja në tokë, ku do të mbetej urtësia e krijimit? Sikur të mos ekzistonte e keqja, njeriu nuk do të ishte qenie me vullnet dhe e lirë. Njeriu nuk do të qe lënë i lirë për t’u bërë i mirë ose i keq, besimtar apo jobesimtar. Vendosjen e mirësisë, drejtësisë dhe të mëshirës mbi tokë dhe zhdukjen e së keqes, të padrejtësisë e të mizorisë, Zoti i përmend si qëllimin e ekzistencës njerëzore. Duke qenë kështu, a kemi të drejtë t’i kthehemi Zotit e t’i themi pse e ke krijuar të keqen, pse nuk e pengon të keqen? Njeriu, me natyrën e tij, me ndërgjegjen, arsyen, pejgamberët dhe librat që i janë dërguar, ka përgjegjësinë për ta mposhtur të keqen dhe për të bërë të sundojë e mira.

PSE ËSHTË E RËNDËSISHME METODA?

  • Të gjitha veprat tuaja janë mbi “metodën” ose usul-in. Pse është e rëndësishme metoda? 

Në epokën tonë, ku çdo lloj dijeje është shndërruar në kapital, ku dija fetare e ka humbur tërësinë dhe është fragmentuar, problemi më i madh për sa i përket dijes nuk është injoranca, por mungesa e metodës. Në këtë kohë ku kaosi i dijes dhe anarkia e interpretimit i kanë mjegulluar të vërtetat e thjeshta e të kulluara të fesë, e keqja më e madhe është ta interpretosh fenë pa njohur parime, rregulla e baza. Kjo është një nga arsyet pse këmbëngul lidhur me metodën. Një tjetër arsye është përpjekja për ta kuptuar fenë pa e humbur sistemin e burimeve dhe të argumenteve. Sepse fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një feje është humbja e tërësisë burimore, e sistemit të burimeve dhe të argumenteve si dhe e hierarkisë së vlerave që kanë gjetur stabilitet ndër shekuj. Të gjitha këto tregojnë se sa e nevojshme është metoda për ta kuptuar dhe zbatuar drejt fenë.

Metoda në mendimin islam nuk konsiston vetëm në veprat e shkruara me titujt metodë e fesë (usul ed-din) dhe metodë e jurisprudencës (usul el-fikh) si dhe në parimet e parashtuara në këto vepra nga juristët dhe teologët. Në kuptimin më të gjerë, metoda thur dhe përcakton marrëdhënien e fenomeneve si njeriu, bota, arsyeja, e drejta, shkenca, kultura, arti etj., me fenë. Metoda gjithashtu është kuptimi, shpjegimi dhe bartja e mëshirës së fesë në të gjitha kohërat dhe hapësirat duke bërë dallimin mes fesë dhe kulturës, zakonit dhe adhurimit, universales dhe kulturores, të ndryshueshmes dhe të pandryshueshmes. Nuk ka dyshim se metoda nuk ka zbritur nga qielli, por të gjitha marrëdhëniet që ummeti ka ndërtuar mes rrënjëve dhe qiellit, gjenden tek metoda. Metoda është një lexim kurdoherë i nevojshëm për ta dalluar mes tyre revelatën dhe ekzegjezën, për të mos e ngritur këtë të fundit në shkallën e së parës dhe për të mos e nxjerrë feje asnjë musliman për shkak të ekzegjezës.

Për të gjitha këto arsye, edhe në punimet e mia, edhe në institutin tonë, i kemi dhënë përparësi metodës.

680

A ËSHTË LIGJ KUR’ANI?

  • Në ligjëratat dhe librat tuaj i kritikoni selefinjtë radikalë se “tekstet fetare i perceptojnë si tekste ligjore”. Pse nuk duhet kuptuar Kur’ani si një “tekst ligjor”?

Kur’ani nuk është një libër që na ka rënë mbi kokë nga qielli, por përmes një pejgamberi njeri është manifestuar në një jetë reale të cilën e quajmë sunnet. Të gjitha ulje-ngritjet e asaj jete 23 vjeçare janë marrë parasysh. Kur’ani është një përkthim i botës së qenies. Nga kjo pikëpamje, në Kur’an ka histori, ka rrëfime, ka qenie, ka natyrë, ka kozmologji, ka njeri, shoqëri, moral, besim, adhurim. Prandaj çdo sentencë e Kur’anit është quajtur ajet, shenjë. Ajetet nuk janë ligje. Por ajetet janë udhërrëfyes për të gjitha ligjet. Ligji e nxjerr ajetin së qeni ajet. Kjo nuk do të thotë se në Kur’an nuk ka ajete që shpallin dispozita.

T’i japësh një teksti vlerën e ligjit, është thjesht një interpretim dhe një formulim i mendjes njerëzore. Ajeti nuk mund të shndërrohet drejtpërdrejt në një formulim mendor. Shtrembërimi i Torës ka ndodhur duke u shndërruar në ligjet e rabinjve. Nëse Kur’ani nis të perceptohet vetëm si ligj, largohet së qeni udhërrëfyes drejt së vërtetës, moralit, drejtësisë, mëshirës dhe drejt të gjitha ligjeve. Atëherë të gjithë përpiqen të nxjerrin nga Kur’ani mendimet dhe interpretimet e tyre. Kur’ani është udhërrëfyes. Po ta ktheni në një tekst ligjor, nuk është më udhërrëfyes dhe i cënohet universaliteti. Sigurisht, Kur’ani ka ligjet e veta universale dhe çdo ajet duhet kuptuar në kuadër të atyre ligjeve.

PEJGAMBERI NJERI

  • Në librin tuaj të sapobotuar Sünnet ve Hadisi Anlama Kılavuzu (Udhërrëfyes për të kuptuar sunnetin dhe hadithin) thoni se: “Sunneti duhet kuptuar duke i dalluar veprimet e të Dërguarit të Zotit si njeri dhe ato si profet.” A mund ta shtjelloni këtë me ndonjë shembull?

Para se të jap shembull, dua të them këtë: Në përpjekjen për ta kuptuar dhe interpretuar sunnetin dhe hadithin sot, duhet të kemi parasysh gjithmonë të vërtetën e universalitetit sipas së cilës Pejgamberi është dërguar për të gjitha botërat si dhe të vërtetën e përjetësisë sipas së cilës ai u flet të gjitha kohërave. Këto janë dy tipare madhore të pejgamberisë së Muhammedit. Për ta kuptuar dhe për t’i dhënë kuptim si duhet sunnetit, duhet bërë dallimi mes veprimeve të të Dërguarit të Zotit si njeri dhe si pejgamber, siç kanë bërë të gjithë metodistët. Duhet bërë dallimi mes të ngjarit atij (teshebbuh) dhe marrjes shembull të tij (teessi). Asnjë profet nuk e ka kthyer në rregull universal fetar kulturën e popullit të vet. Shtrembërimi (bidati) më i madh që mund të shfaqet në një fe është shndërrimi në fe i traditës, zakoneve dhe kulturës së popullit tek i cili është dërguar profeti. Prandaj për ta kuptuar drejt sunnetin, duhet bërë dallimi mes zakonit dhe adhurimit, lokales dhe universales, fetares dhe kulturores.

Një dallim të tillë e ka bërë vetë i Dërguari i Allahut. Në raste të panumërta, sahabët nuk kanë ngurruar ta pyesin: “O i Dërguari i Zotit, kjo është nga Zoti, apo mendimi yt?” dhe kanë shprehur, madje preferuar, mendimin e tyre kundrejt mendimit të Profetit, i cili këtë qëndrim të sahabëve kurrsesi nuk e ka konsideruar si një qëndrim kundër sunnetit.

“NUK ËSHTË NGA ZOTI, POR MENDIMI IM”

Për shembull, para Betejës së Bedrit, kur Pejgamberi a.s e vendosi ushtrinë për të fushuar diku, sahabi i ri Hubab ibën Mundhiri e pyeti: “O i Dërguari i Zotit, a Zoti të ka udhëzuar për të fushuar këtu? Në qoftë kështu, nuk e diskutojmë. Apo ky është mendimi yt?” Kur Pejgamberi i Allahut iu përgjigj se ky ishte mendimi i tij, Hubabi i sugjeroi një vendfushim më strategjik. I Dërguari i Allahut e pëlqeu sugjerimin e Hubabit dhe e ndryshoi vendfushimin.

Po ashtu, gjatë Betejës së Hendekut, kur i Dërguari i Zotit po konsultohej lidhur me një marrëveshje të mundshme me fisin Gatafan për t’u dhënë një të tretën e hurmave të Medines për atë vit nëse tërhiqeshin nga koalicioni armik, Sa’d ibën Muadhi dhe Sa’d ibën Ubade e pyetën: “O i Dërguari i Zotit, a po e bën për ne këtë? Apo të ka urdhëruar Zoti të veprosh kështu?” Pas konsultimit, si përfundim i Dërguari i Zotit hoqi dorë nga marrëveshja me fisin Gatafan sipas sugjerimeve të sahabëve.

Një tjetër shembull nga një sahabe: Me kërkesën e të shoqit nga i cili donte të ndahej, Profeti e thirri Beriren dhe i tha: “Ai është edhe burri yt, edhe babai i fëmijës tënd. Pse nuk kthehesh tek ai?” Berire e pyeti: “O i Dërguari i Zotit, a po më urdhëron si i Dërguari i Zotit?” Kur Profeti iu përgjigj se ai thjesht po ndërmjetësonte, Berire tha: “Nuk kam nevojë për të!” dhe u nda nga i shoqi.

  • Po në librin tuaj flisni për “parimet e përgjithshme të qarta dhe objektive të arsyes”. Si e shihni problemin arsye-revelatë?

Në ditët e sotme, disa e hedhin poshtë të gjithë sunnetin dhe hadithet për shkak të disa transmetimeve që bien ndesh ose duket sikur bien ndesh me arsyen, kurse disa të tjerë, me qëllimin për t’i mbrojtur këto transmetime nuk e kuptojnë se kompromentojnë shpalljen.

Por në këtë fe ku thuhet se “Ata që nuk e përdorin arsyen, i lëmë në të keqe,” arsyeja është peshore dhe nga kjo peshore varet edhe përgjegjësia. Kushdo është përgjegjës për aq arsye sa gëzon dhe kushdo do të merret në llogari sipas arsyes që gëzon. Pandaj asnjë fjalë dhe mendim që bie ndesh me arsyen e shëndoshë apo që e poshtëron arsyen, nuk mund t’i atribuohet Islamit. Në të kuptuarit dhe interpretimin e haditheve, është parim i rëndësishëm që të mos hidhet poshtë arsyeja për hir të revelatës dhe revelata për hir të arsyes.

Gazaliu e ka përcaktuar vendin e arsyes në fe duke thënë se, “Arsyeja është një pjesë nga drita e Zotit. Kush e hedh poshtë arsyen, ka hedhur poshtë edhe sheriatin, sepse drejtësia e sheriatit kuptohet përmes arsyes.” Kurse disa dijetarë si Isfahani i kanë dhënë hakun arsyes me fjalët: “Revelata është arsye që i është dhënë njeriut nga jashtë. Kurse arsyeja është revelatë që i është dhënë njeriut nga brenda.”

Edhe Ibën Tejmijje dhe Ibën Kajjimi të cilët disa bartës të retorikës antiracionale sot i shohin si pararendësit e tyre, në fakt nuk kanë thënë gjëra fort të ndryshme. Lidhur me këtë çështje Ibën Tejmijje thotë se, “Diçka e rrokshme nga arsyeja e qartë, nuk mund të bjerë ndesh me sheriatin. Transmetimi i qartë nuk bie ndesh me arsyen e qartë.” Kurse Ibën Kajjimi thotë: “Gjithçka në sheriat përputhet me arsyen dhe nuk bie ndesh me të.”

Sigurisht që dijetarët do t’i diskutojnë këto gjëra mes tyre. Por diskutimi i vazhdueshëm i këtyre transmetimeve në nivele civile në kohërat moderne, nuk ngjan me asgjë tjetër veçse me debatet fetare në periudhat e rënies e të shpërbërjes së qytetërimeve. Është jashtë mendjes që fjalët e Profetit tonë të cilat na e forcojnë besimin, na shtyjnë në punë të mira dhe na e mësojnë më së miri karakterin e bukur, të mbeten nën hijen e një grushti transmetimesh që duken sikur bien ndesh me arsyen.

8.      Si një njohës i mirë i muslimanëve të Ballkanit falë detyrave tuaja të mëparshme, çfarë mund të thoni për përvojën islame në këtë rajon siç e keni parë ju?

Së pari dua të them se Islami Ballkanik, pas Andaluzisë ndoshta ka pasur ndërveprimin më të madh me botën evropiane dhe përbën një përvojë të ndryshme të Islamit në marrëdhënie organike me Islamin e Anadollit. Po ta bëjmë që në fillim këtë konstatim, sot mund t’i shohim me një vështrim më të shëndetshëm muslimanët e Ballkanit. Këta e kanë formuar konceptin e tyre për Islamin gjatë periudhës osmane dhe më vonë, falë pozitës së tyre gjeografike, kanë përjetuar një nga ndërveprimet më të dendura me të gjitha lëvizjet ideore të Evropës në periudhën e moderne. Pikërisht këtë rrjedhë historike të Islamit Ballkanik pasqyron edhe jeta e mendimi i Alijas. Alija ishte musliman, por që në rini qe i hapur ndaj ideologjive dhe ideve të ndryshme, madje u ndikua prej tyre. Më vonë, rrënjët e tij të forta muslimane e shtynë të rikthehej tek thelbi i tij. Por Alija njëkohësisht është edhe një intelektual perëndimor dhe nevojën e kritikës e ka mësuar në burimet perëndimore që ka lexuar.

Arsyeja pse po i theksoj këto dinamika është se dua të vë në dukje se disa konceptime të Islamit që disa po përpiqen t’i importojnë nga rajone të largëta, nuk mund të gjejnë harmoni kurrsesi me konceptimin e lashtë fetar të muslimanëve të Ballkanit. Prandaj muslimanët e Ballkanit para së gjithash duhet t’i përqafojnë më shumë konceptimet fetare që përputhen me kulturën dhe traditat e tyre. Për shembull, edhe sot e kësaj dite, muslimanllëku i Ballkanit ndryshon shumë pak nga muslimanllëku i Anadollit. E megjithatë ndryshon. Kjo duhet mbajtur gjithmonë parasysh. Me muslimanllëk të Anadollit kam parasysh atë përvojë të madhe që i dha vazhdimësi qytetërimit islam dhe më pas barti edhe përvojat selçuke e osmane me në krye qytetërimin e Azisë Qendrore, duke vendosur marrëdhënie të drejta me të gjitha fushat, si njeriu, natyra, shkenca, jeta, historia, kultura, filozofia, tasavvufi etj. Muslimanllëku i Ballkanit këtyre u ka shtuar edhe përvojën e Perëndimit e të Andaluzisë. Kjo është një përvojë mjaft e rëndësishme.

Çështja e dytë e rëndësishme janë luftrat e mërgimet e mëdha që kanë përjetuar vëllezërit tanë muslimanë në Ballkan dhe ndërgjegjet e plagosura që kanë prodhuar dhimbjet e traumat. Rrymat radikale selefite për fat të keq kanë filluar të ushtrojnë mjaft ndikim vitet e fundit në Ballkan. Sidomos të rinjët muslimanë në Ballkan, të lënduar dhe me vetëbesim të humbur kësisoj, mund të radikalizohen më lehtë se njerëzit në viset e tjera. Prandaj në këto çështje duhet bërë shumë kujdes. Të gjithë vëllezërit tanë të rinj muslimanë shqiptarë, boshnjakë, turq, pomakë, torbeshë, goranë, romë e të gjithë të tjerët që nuk i përmend dot, duhet t’i ruajmë nga çetat e rrezikshme e radikale gjoja me pretendime “islame”. Kjo do të bëhej e mundur me paqimin e dijetarëve të përgatitur të vetë Ballkanit me traditën fetare që përfaqësojnë.

Të mos harrojmë se një nga kontribuesit më të mëdhenj për përfshirjen e dijeve islame në programet universitare në Turqi nëpërmjet themelimit të fakulteteve të teologjisë dhe për përgatitjet e programeve të para mësimore, ka qenë dijetari boshnjak Tajip Okiç. Figura nga Shkupi si Ataullah Efendiu, Fettah Efendiu, Hafiz Idriz Efendiu, Sherif ef Ahmeti, Hafiz Sabri Koçi dhe Husejin ef Xhozo janë përpjekur t’i mbajnë gjallë e t’i mësojnë në shtëpitë tyre dijet islame në Ballkan, pa gjetur dot as hapësira shkollore, me staf shumë të vogël dhe përkundër çdo persekutimi. Në këtë mënyrë falë Zotit tradita ka vazhduar. Sa më shumë që muslimanëve të Ballkanit t’u përtërihet e t’u forcohet përkatësia ndaj kësaj tradite të madhe, sa më shumë të kalojnë nga faza e imitimit në atë të konfirmimit, aq më shumë do të shtohet paqja e besimi. Sa më shumë të dobësohet kjo përkatësi, do të shtohet elementet e huaja dhe ndërgjegjet e plagosura.

9. Islamofobia, ashtu si në Perëndim, shpesh nxjerr krye edhe në Ballkan. Si mund t’i reduktojmë pasqyrimet e këtij problemi global në rajonin tonë?

Kur përvoja që gëzojnë muslimanët e Ballkanit të marrë tipare shkencore, do të bëhet udhërrëfyese edhe për Evropën e cila përfaqëson qendrën e urrejtjes islamofobike. Muslimanët e Ballkanit kanë shumë për të thënë si për të kaluarën edhe për të sotmen për sa i përket multikulturalizmit dhe bashkëjetesës harmonike të elementeve të ndryshme. Prandaj është një përgjegjësi e muslimanëve të Ballkanit që t’ua përcjellin këtë përvojë evropianëve me të cilët ndajnë një kontinent dhe t’ua tregojnë me shembuj se bashkëjetesa është e mundur. Rastet të urrejtjes islamofobike ndoshta përjetohen edhe në vetë rajonin tuaj. Por ky nuk është një problem i prodhuar në Ballkan. Ky është një mentalitet i sëmurë i eksportuar nga Evropa. Prandaj Ballkani, në vend që të merret me pasqyrimet në rajon, ka një përvojë aq të gjerë sa të përçojë edhe në qendrën e kësaj mendësie raciste.

10. Si mendoni, në ç’fazë është rajoni ynë për sa i përket mësimdhënies së dijeve islame?

Edukimi fetar i muslimanëve të Ballkanit sot vëmë re se është në një gjendje shumë të mirë krahasuar me të kaluarën, qoftë në medrese, qoftë në fakultetet e teologjisë. Nuk mund të mohohen kontributet që u kanë ofruar muslimanëve të rajonit fakultetet e teologjisë në qytete si Sarajeva, Prishtina e Shkupi. Tradita e dijes që kanë trashëguar këto fakultete vazhdon duke u forcuar. Por duhet thënë se ende ka shumë rrugë për t’u bërë. Ky rajon ka tipare të veçanta e shumë të pasura dhe duhet të nxjerrë dijetarë të rinj dhe emra me autoritet në dijet islame.

Këtu dua të cek edhe një çështje tjetër të rëndësishme. Pushtimi i institucioneve historike të arsimit fetar dhe hapja e një institucioni të arsimit të lartë fetar në këtë rajon nga FETÖ, që tashmë ka dalë qartë në shesh se është një projekt global, u ka shkaktuar një humbje të madhe kohe muslimanëve të Shqipërisë. I ka penguar ata të përtërijnë e rindërtojnë traditën e tyre dhe ka dashur të ngulisë një koncept të shtrembër që vë në qendër personat. Vëllezërit tanë në Shqipëri duhet t’i japin fund sa më shpejt abuzimit me fenë nga kjo organizatë.

Kohët e fundit nga fakultetet e teologjisë në Turqi janë diplomuar shumë studentë nga Ballkani, shumica e të cilëve janë kthyer në vendet e tyre. Kjo do të japë kontribut të madh në arsimin fetar në Ballkan. Gjithmonë u them studentëve të mi nga Ballkani: Turqia gjithmonë ka shumë për të mësuar nga tradita islame e rajonit tuaj. Zoti u dhëntë bereqet të gjithë profesorëve në punën e tyre

Çfarë bëni në Institutin e Mendimit Islam që keni themeluar?

Që qytetërimi islam sot të fitojnë vazhdimësi duke u përtërirë pa u shkëputur nga natyra dhe e vërteta e vet, është bërë më e rëndësishme se kurrë që të prodhohet dije e mendim lidhur me një metodologji të re në të gjitha fushat e fesë, që të prodhohet vlerë me këtë dije e mendim dhe që këto të ndahen me mbarë njerëzimin.

Përvoja historike na tregon se në kohërat e vështira për qytetërimin tonë, në periudhat kur kemi pësuar humbje të mëdha, mendimtarët, filozofët dhe dijetarët tanë gjithmonë janë orientuar drejt dijeve metodologjike që mësojnë se si duhen vështruar problemet brenda një tërësie, se si duhen trajtuar bashkë realiteti dhe revelata.

Nisur nga kjo nevojë, në vitin 2018 në Ankara u themelua Instituti i Mendimit Islam, i varur nga Fondacioni Ndërkombëtar i Mendimit Islam. Instituti i Mendimit Islam është një institut që zhvillon veprimtari rreth metodës dhe metodologjisë në mendimin islam në kuadër të katër parimeve që janë rinovimi i mendimit, përtëritja e dijes, përmirësimi i metodës dhe rindërtimi i moralit, përmes dy njësive kryesore që janë IMI Akademia dhe IMI Kërkime. Instituti ynë është një nga katër institutet e mendimit në botë që veprojnë në këtë fushë specialiteti.

IMI Akademia organizon seminare të certifikuara në nivel pasuniversitar në fushat e përcaktuara. Kurse IMI Kërkime ka si parim qasjen tërësore të Islamit ndaj njeriut, qenies, jetës dhe dijes lidhur me këto. Në drejtim të kësaj qasjeje tërësore, synon të kryejë punime shkencore që mund ta rindërtojnë integritetin e brendsëhm të traditës islame, pa e klasifikuar dijen në fetare e jofetare dhe pa i vënë përballë njëra-tjetrës burimet e dijes të Islamit. Gjithashtu synon të parashtrojë “propozime të reja” në një shtrat të përbashkët me pjesën tjetër të njerëzimit për ta përshkruar në mënyrë kuptimplote për mbarë njerëzimin propozimin e Islamit, pa i kthyer në mosmarrëveshje këto përpjekje shkencore dhe pa i ngatërruar të pandryshueshmet me të ndryshueshmet e fesë, zakonin me adhurimin dhe lokalen me universalen.

Si i duhet rrëfyer Islami “perceptimit të epokës”?

Për t’iu përgjigjur drejt kësaj pyetjeje, duhet bërë e qartë se çfarë kihet parasysh me “perceptim të epokës”. Përndryshe kjo mund të sjellë shumë keqkuptime. Akoma debatohet për vargjet të ndjerit, bashkëkombasi i juaj, shqiptari Mehmet Akifit: “Nga Kur’ani duhet ta marrim drejtpërdrejt frymëzimin/Perceptimit të epokës duhet ta bëjmë t’i flasë Islamin.”

Nëse me perceptim të epokës nënkuptojmë realitetet ku ka arritur njerëzimi përmes zhvillimeve sipas ligjeve të ndryshimit që ka krijuar Zoti, këto realitete duhen marrë parasysh, duhet zhvilluar një gjuhë e ligjërim i ri lidhur me to, duhen bërë ixhtihade të reja dhe duhet marrë parasysh ekuilibri i hollë mes vazhdimësisë e ndryshimit. Duke vendosur një marrëdhënie të saktë mes fesë dhe jetës, revelatës dhe njeriut, arsyes dhe tekstit fetar, pa u ndarë nga të pandryshueshmet e Islamit, për problemet e reja duhen prodhuar zgjidhje nisur nga fryma e Islamit. S’ka dyshim se Islamit që do të na ndriçojë rrugën deri në Ditën e Gjykimit, do të na i ofrojë të gjitha mundësitë për këtë. Parimi se “Ndryshimi i kohërave dhe ndryshimi i dispozitave janë të pamohueshëm,” nuk është vetëm një parim i Mexhelesë, por një ligj i parashikuar nga Islami.

Nëse me “perceptim të epokës” nënkuptojmë ato çka njerëzimi i quan të drejta, qofshin edhe të gabuara, Islami nuk pajtohet me këtë.

Nëse me këtë nënkuptohet një perceptim që e ka humbur moralin, drejtësinë, mëshirën, duhet të ndërtojmë një gjuhë të re drejtësie e mëshire.

Çfarë ligjërimi fetar na duhet? Një ligjërim fetar që në marrëdhënien mes fesë dhe njeriut nuk i vë përballë fetaren dhe njerëzoren, që duke kritikuar humanizmin nuk e harron vlerën që Islami i ka dhënë njeriut. Një ligjërim fetar që kur përcakton marrëdhënien mes fesë dhe botës, nuk e poshtëron këtë të fundit, nuk i vë përballë fenë dhe botën, që duke kritikuar shekullarizimin nuk heq dorë nga detyra dhe përgjegjësia për ta ndërtuar botën. Një ligjërim fetar që, kur përcakton marrëdhënien mes fesë dhe arsyes, nuk i vë përballë revelatën dhe arsyen, që kur kritikon racionalizmin, nuk e shpërfill vlerën që Islami i jep arsyes. Një ligjërim fetar që, kur përcakton marrëdhënien mes fesë dhe shkencës, nuk i vë përballë njëra-tjetrës këto të dyja, por që shkencën e lexon si ekzegjezë të shenjave në gjithësi, që kur kritikon pozitivizmin, nuk e poshtëron shkencën. Një ligjërim fetar që arrin të bëjë dallimin mes fetares dhe kulturores, që besimin dhe adhurimin e sheh si një të tërë që në qendër të fetarisë vendos karakterin e lartë, drejtësinë dhe mëshirën.

KUSH ËSHTË?

Kryetari i Institutit të Mendimit Islam Mehmet Görmez, shërbeu si Kryetar i Departamentit të Fesë (Diyanet) mes viteve 2010-2017. Veprat e tij shkencore janë mbi metodën. Librat e tij të botuar nga Otto Yayınevi: Sünnet ve Hadisin Anlaşılması ve Yorumlanmasında Metodoloji Sorunu: Vepra më e rëndësishme e Görmez-it që shpjegon rëndësinë e metodës. Hadis İlminin Temel Meseleleri: Studim mbi metodën e duhur për t’i kuptuar drejt sunnetin dhe hadithin. Gazali’de Sünnet, Hadis ve Yorum: Studim mbi këndvështrimin e Gazaliut ndaj çështjeve të sunnetit dhe të hadithit. Sünnet ve Hadisi Anlama Kılavuzu: Libri i tij i fundit. Synon të ofrojë kontribut për vendosjen në një shtrat të saktë e të moderuar të debateve mbi sunnetin dhe hadithin që luhaten mes ekstremeve në Turqi dhe në botën islame.