INTERVISTA/ Pëllumb Xhufi: Shqipëria po përjeton epokën e zhbërjes!

INTERVISTA/ Pëllumb Xhufi: Shqipëria po përjeton epokën e zhbërjes!

Pëllumb Xhufi, vjen sot ekskluzivisht në Voxnews.al në një bisedë të gjatë, por nga ato që nuk i ndjen kur lexohen dhe përfundojnë shpejt, si buka e ngrohtë.

Historian, me përvojë në politikë, Xhufi i bën një analizë momentit që po përjeton sot Shqipëria. Situatës politike, ekonomike, sociale, ndërsa futet edhe në lëmin ku ai ndihet më mirë, historia.

Një bisedë që të bën të mendosh, reflektosh, por edhe të ndihesh i keqardhur për situatën ku ndodhet vendi ynë dhe kjo… falë politikanëve.

Kur e pyesin z. Xhufi nëse kriza që po përjetojmë tani vjen për shkak të luftës, ai nënqesh dhe bindshëm thotë se “ne kemi 30 vite në krizë!”.

“Krizë ekonomike? Po ne jemi vendi i krizave të përhershme e të gjithanshme: kriza ekonomike, energjetike, demografike, kriza arsimore, kulturore, albanologjike, kriza morale, kriza besimi, kriza identiteti…E mbi të gjitha, kriza politike. Kriza politike, që është mamia e të gjitha krizave, dhe që në momente të caktuara shpërthejnë në mënyrë virulente”.

Si e analizon Xhufi situatën sotme në Shqipëri, pesimizmin, mungesën e vëmendjes ndaj historisë dhe shkencave albanologjike, faktin që të rinjtë dhe intelektualët duan të largohen nga vendi dhe pse sipas tij jemi në një dëshpërim të tillë. A ka të bëjë kjo edhe me kulturën dhe mënyrën tonë të të punuarit?! Për të gjitha këto z. Xhufi jep mendimin e tij.

Kësaj bisede mund t’i nxjerrësh shumë tituj, ky i joni është vetëm një variant, ndaj çdo lexues mund të gjejë titullin e tij.

Profesor, prej një muaj kemi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke rikthyer kohën e përplasjeve ushtarake. Bota është më e pasigurt dhe Shqipëria totalisht e zbuluar si një shtet me fuqi të vogël. Si e shikoni këtë konflikt?

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës shënon fundin e një iluzioni. Rënia e murit të Berlinit duhej të sillte një ekuilibër të ri botëror, që nuk e solli. Vërtet perandoria sovjetike u shpërbë, shtetet e ish-kampit socialist vrapuan të bëheshin pjesë e demokracive perëndimore dhe vetë ish-republikat e Bashkimit Sovjetik u konstituuan si shtete të pavarura dhe zbuluan vokacionin e tyre evropian. Këto procese ndodhnin në vitet ’90 nën vështrimin e venitur të ariut rus, që nuk mund të bënte asgjë për ta ndalur atë. Por iku Jelcini dhe erdhi Putini. Ky, me të ardhur në pushtet, akuzoi publikisht paraardhësit e tij, Gorbaçovin e Jelcinin, si shkaktarë të kolapsit të ish BRSSS e të kthimit të tij nga një superfuqi, në një mbretëri të urisë e të skamjes. Kjo qe fryma që solli Vladimir Putin kur erdhi në pushtet në vitin 2000. Ishte e njëjta frymë që ndezi Hitleri në Gjermani pas Luftës I Botërore. E dalë e humbur nga lufta dhe e poshtëruar nga fitimtarët, Gjermania e viteve 1920 ra pré e lehtë e Hitlerit dhe e skuadristëve të tij, të cilët u premtuan gjermanëve kthimin në lavdinë e dikurshme të Reich-ut.

Lufta e Dytë Botërore i atribuohet pikërisht frymës së revanshit ndaj “Evropës së plutokratëve e bankierëve” të mbjellur nga një propagandë shurdhuese e të përhapur në mënyrë kapilare të shoqërisë gjermane. Këtë rrugë ndoqi edhe Putini. Për më shumë se 20 vjet, ndërsa shitej si një evropian e liberal i bindur, duke pozuar herë si cowboy, herë si karatist, si lojtar hokei në akull, si peshkatar, si gjuetar e qitës, si pilot e si pianist, si këngëtar blues apo si orator, Putini nguliti në mendjet e rusëve ndjenjën e revanshit ndaj një Perëndimi që nuk e pranon, që ia ka me hile e që kërkon ta mbysë Rusinë, shpirtin dhe kulturën ruse. Shfrytëzoi pasuritë e pafundme të Rusisë dhe urinë e madhe të tregut për to, për të fuqizuar makinën ushtarake; u paraqit në skenën botërore, sa me pamjet e llahtarshme të Groznit e Aleppos, aq edhe me portretet enigmatike të oligarkëve të saj, pronarë vilash, ishujsh, portesh, jahtesh, klubesh futbolli e protagonistë absolutë të kronikës rozë të Londrës, Parisit, Vjenës, Romës, të ftuar nderi në sallonet e sovranistëve trumpistë, orbanistë, bolsonaristë, salvinistë. Dhe ja ku jemi: pas krizave të brendshme të demokracive perëndimore, pas dështimeve të bujshme të SHBA, NATO-s e BE në Irak, Siri, Libi, Afganistan, pas rritjes së pakënaqësisë së përgjithshme ndaj politikës e, në fund, pas plagëve njerëzore, ekonomike, psikologjike që la pandemia Kovid-19, Putini mendoi se kishte ardhur koha e “bing-bang-ut” të tij.

Shpërtheu agresionin mbi Ukrainën për të treguar dhëmbët e për të thënë se kishte mbaruar epoka e hipokrizisë: Rusia “ishte kthyer”! Le ta mësonin këtë Ukrainasit, Letonët e Estonët, Moldavët e Gjeorgjianët, Polakët, Rumunët e Hungarezët…Pse jo, edhe Amerikanët e Evropianët, madje edhe Kinezët! Por, asnjëra nga këto llogari nuk i doli, duke filluar nga qëndresa e “vëllezërve” ukrainas. Provokacioni mjaft i rëndë që ai i bëri botës mbarë solli efekte të kundërta. Ukrainasit, përfshirë edhe ata të zonave lindore, sot ndjehen më të ndryshëm nga kurrë më parë, për shkak të Putinit. NATO është më e bashkuar se kurrë, për shkak të Putinit. Lidhjet transatlantike po ashtu, janë më të forta se kurrë po për shkak të Putinit e të agresionit të tij. Më pyesni se ku është Shqipëria në këtë situatë? Zëre se nuk ekziston.

Kjo luftë ka nisur të ndjehet edhe në vendet që nuk janë të përfshira, ku pas sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë dhe bllokimit tregtar janë rritur çmimet për të gjitha produktet. A rrezikojmë të shkojmë në një krizë ekonomike?

Krizë ekonomike? Po ne jemi vendi i krizave të përhershme e të gjithanshme: kriza ekonomike, energjitike, demografike, kriza arsimore, kulturore, albanologjike, kriza morale, kriza besimi, kriza identiteti… E mbi të gjitha, kriza politike. Kriza politike, që është mamia e të gjitha krizave, dhe që në momente të caktuara shpërthejnë në mënyrë virulente. Dhe kjo ndodh, si për çudi, sa herë që në botën rreth nesh ndodhin zhvillime interesante. Filloi procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë, në Shqipëri u programua të ndodhë një “revolucion demokratik” i përgjakshëm. Filloi procesi i pavarësimit të Kosovës, në Shqipëri ndodhën hatarat e përgjakshme të 1997-1998. Filloi lufta e armatosur e UÇK në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavi, në Shqipëri opozita “demokratike”, në fakt pro-serbe, protestonte në shesh gjoja kundër qeverisë komuniste të Tiranës. Në fakt, protestonte kundër ndërhyrjes së NATO-s, tëpkë siç protestonin turmat e Milosheviçit në Beograd. Dhe ja tani, kur Putini sulmon Ukrainën duke u premtuar mbështetësve të tij rikonfigurimin e botës sipas modelit post-sovjetik, në Beograd e në Tiranë ridalin në skenë mjeshtrit e krizave politike. Këtu tek ne, kryemjeshtri, i cili ka shpallur fillimin e “revolucionit konservator”, në fakt sllavo-serbo-putinian.

Z. Xhufi, si historian me përvojë edhe pse historia analizon të shkuarën, sipas intuitës suaj, si do përshkruhet apo cilësohet periudha që po kalojmë tani në historinë e Shqipërisë?

Pëllumb Xhufi: Siç e thashë më sipër, këto janë 30 vjetët e krizës totale, që i ka lënë shqiptarët pa punë, pa bukë, pa drejtësi, pa rend, pa mbrojtje, pa shkollë, pa ideale, pa moral, pa nder, pa dinjitet. Ky është mëkati i pafalshëm i klasës sonë politike të kësaj periudhe 30-vjeçare, e cila duhet të kishte qenë periudha e një zhvillimi e progresi spektakolar. U zhbë gjithçka. Fusha bregdetare, nga Kopliku i Shkodrës në Vrinë të Sarandës, e sistemuar, bonifikuar, ujitur, dranazhuar u kthye në truall banimi dhe sot është jashtë funksioni. Miliarda dollarë pune masakruese e të papaguar të shqiptarëve shkuan dëm. Dhe ne sot jemi pa grurë e pa qepë. E njëjta gjë ka ndodhur me fushat pjellore të Dibrës e të Korçës. U privatizuan, u shfrytëzuan barbarisht e sot janë kthyer në kohët parahistorike minierat e kromit, ku sot njerëzit rrezikojnë kokën për të nxjerrë me hejbe ndonjë copë minerali. U privatizua, u mol e u vodh barbarisht industria e naftës, ajo e hidro-energjisë. U mbyllën e u shitën për skrap uzina e prodhimit të plehrave azotike në Fier, me teknologji të avanguardës, e ndërtuar nga kompania italo-amerikane Mont-Edison. U mbyllën e u dërguan për skrap uzina e telave-Shkodër, uzina e shkrirjes së kromit-Burrel, Uzina e përpunimit të naftës-Ballsh, uzina e instrumentave-Korçë, kombinati siderurgjik-Elbasan, uzina e traktorëve-Tiranë e të tjera e të tjera. Babëzia e fitimit i çoi politikanët tanë sy-shqyer e sy-skuqur të bëhen predikues të një bote pa ushtri e pa armë. Kështu, në vitin 2006 një ministër i mbrojtjes organizoi në Hotel Sheraton një konferencë ndërkombëtare me logon gjigande: “Shqipëria-lider në çarmatim”(!!!). Me të cilën kalimtarët e rastit bënin gallatë: “Lider pa armë e pa brekë”?! Dhe kështu, ministrat e kryeministrat tanë të të gjitha ngjyrave, shitën për skrap tanket, avionët, topat, mitrolozat, kallashnikovët, raketat, predhat, fishekët, deri tek copa e fundit. Deri sa plasën, bashkë me Gërdecin e babëzisë së tyre. Shkatërrimi i ushtrisë e në përgjithësi i gjithë mekanizmave të sigurisë kombëtare, është një nga gjëmat më të mëdha antikombëtare që politikanët e këtyre dekadave të fundit i kanë bërë vendit të vet. Dhe të jeni i bindur, se historia do i dënojë. Por për inatin e turpin tonë, atëherë ata do jenë duke bërë gjumin e përjetshëm, “si derra të kënaqur”, do të thoshte i madhi Migjen.

***

Në periudhën e komunizmit, historia shkruhej jo vetëm nga fitimtarët, por edhe sipas direktivave të Partisë. Kemi 30 vjet që flasim për rishkrim të historisë, por ka pak rezultat. Sa është bërë në këtë drejtim, dhe cilat duhet të jenë periudhat që kanë nevojë të menjëhershme që duhen riparë?

Në periudhën e komunizmit, si në përgjithësi në fushën e arsimit e të kulturës, u bënë edhe boll punë të mira. Një nga këto ishte edhe krijimi i shkollës historiografike shqiptare, me kuadro të formuara sa në universitetet shqiptare, aq edhe në universitetet e huaja, të lindjes e të perëndimit. U krijuan grupe studiuesish e specialistësh, njohës të gjuhëve të rralla, që mund të shfrytëzonin dokumentacionin në osmanisht, latinisht, greqisht e sllavishte të vjetër. Kështu u botuan serialë të tërë me dokumente për historinë e lashtë, mesjetare e moderne të Shqipërisë. U shkrua teksti i parë akademik i Historisë së Shqipërisë në dy vëllime, më 1959, pastaj një tjetër botim në 4 vëllime, në 1984. Ndërhyrjet politike në trajtimin e historisë kanë qenë vërtet të forta, sidomos për periudhën e regjimit të Zogut, periudhën e Luftës II Botërore dhe akoma më shumë për atë të pasluftës. Kushtëzimeve të natyrës ideologjike, në trajtimin e këtyre periudhave u shtoheshin edhe vështirësi praktike, që kishin të bënin me mungesa literaturë e pamundësi për të shfrytëzuar arkivat shqiptare e të huaja.

Për rrjedhojë, pas përmbysjes së sistemit monist, pritej që historia e viteve 1921-1991 të ndriçohej e të shkruhej, të paktën në nivelet që ishte shkruar historia e lashtësisë, e mesjetës dhe e Rilindjes Kombëtare. Për fat të keq, historianët këto vite kanë punuar nën një presion akoma më brutal të politikanëve e të drejtuesve partiakë të institucioneve, akademike e universitare. Mjafton të kujtoj dramën e një kolegu, që ka shkruar historinë e luftës antifashiste. Në vitet 1980 ky mbrojti disertacionin me studimin: “Organizatat tradhëtare të Ballit Kombëtar e të Legalitetit”. Pas vitit 1991, ky historian zbuloi vokacionin e vet “nacionalist”, dhe ka botuar tonelata me tekste shkollore e tekste “akademike”, ku patriotë na dalin ministrat e qeverive kuislinge, kurse antishqiptarë e tradhëtarë qenkan “sllavo-komunistët”, pikërisht ata djem e vajza që dolën malit e u vranë për të çliruar vendin.

Dhe kjo ndodh, në një kohë kur materialet arkivorë, brenda e jashtë vendit, janë në dispozicion të plotë të studiuesve dhe kur jashtë Shqipërisë janë botuar studime autoritare mbi Luftën II Botërore, të cilat, bazuar në dokumente autentike, ekzaltojnë luftën antifashiste të popullit shqiptar, madje edhe më fort e shumë më bindshëm nga çka bërë historiografia komuniste. Ndërkohë, kolegu im është paguar mirë nga taksapaguesit shqiptarë, si në komunizëm edhe në demokraci, e sot gëzon një pension të majmë të pamerituar. Të pamerituar, sepse thjesht ka gënjyer.

A ka një figurë që historia e ka anashkaluar, ose edhe e ka keqinterpretuar, nga çka qenë në realitet? Kush është ai?

Për mendimin tim, mbetet për t’u shkruar nga e para historia e të gjitha figurave të rëndësishme, duke filluar nga Ahmet Zogu e deri tek Enver Hoxha, dhe e gjithë të tjerëve që ndodhen mes tyre. Deri tani, të gjitha ato figura kanë përjetuar si apoteozën, ashtu edhe denigrimin historik. Mbetet që të gjejnë paqen duke zënë vendin që vërtet meritojnë në histori. Vini re se si ngjarjet në Ukrainë ndryshojnë perceptimin për historinë. Sot populli martir i Ukrainës ka fituar simpatinë e dashurinë e mbarë opinionit për qëndresën heroike ndaj agresionit rus: askush, as vetë papa i Romës, nuk flet për “rezistencë pacifiste”, për bashkëpunim me pushtuesin “në emër të interesave kombëtare”. Kryefjalë e ditës janë ushtarët, rezervistët e vullnetarët ukrainas, që luftojnë pikërisht me ato armë, që politikanët tanë i shitën. Janë gratë, pleqtë e fëmijët që mbrohen në ato vendstrehime të kohës së komunizmit, që politikanët tanë i mallkuan, i tallën e më në fund i kthyen në kantina vere e vende argëtimi.

A ka ardhur koha të përshkruhet figura e Enver Hoxhës, siç ishte me të mirat dhe të metat e veta. Mendoni se ka historianë në Shqipëri që mund ta bëjnë këtë?

Koha astronomike ka ardhur për t’i shkruar si duhet historitë e Enverit e të çdokujt tjetër. Por, siç dihet ne shqiptarët shquhemi për vonesa historike. Atyre që duam sa janë gjallë, u prishim varrin sapo vdesin. Pra, edhe po të shuhet vlaga e adhuruesve, ka marrë zjarr urrejtja e varrmihësve. Ndaj, kemi nevojë për dyfishin e kohës për të fituar qetësinë e duhur për një gjykim të pjekur e të paanshëm. Për sa më përket, unë jam historian i mesjetës dhe në këtë drejtim ndjehem i privilegjuar që shkruaj për ngjarje e personazhe të para njëmijë vjetëve. Zoti mos e dhëntë, që fatin për të lexuar një histori të saktë të Zogut, Esatit, Enverit, Saliut e kompani ta kenë brezat që do vijnë pas njëmijë vjetësh.

Duke parë nivelin e studentëve që mbarojnë studimet për Histori, a jeni optimist se në të ardhmen do kemi historianë të mirë dhe objektiv?

Shpresoj më mirë për të ardhmen. Aktualisht, shkencat albanologjike, në përgjithësi, përjetojnë një periudhë krize. Katedrat e historisë pranë universiteteve publike janë rrudhur në veprimtarinë e tyre. Veprimtaria shkencore e tyre gjithashtu. Ndonjë punim vërtet me vlerë është frut individual, jo institucional. Në universitetet private shkencat albanologjike janë të përjashtuara. Kuptohet, duan shpenzime e nuk sjellin fitim. Për rrjedhojë, universitetet nuk prodhojnë specialistë të historisë, gjuhës, arkeologjisë, antropologjisë. Po shterojnë studiuesit që zotërojnë gjuhët e rralla të domosdoshme për studimet albanologjike: orientalistë, helenistë, latinistë, sllavistë. Kulti i gjuhës angleze ka mbytur domosdoshmërinë e njohjes së gjuhëve të rralla e sidomos të gjuhëve fqinje, në të cilat është shkruar dokumentacioni më i shumtë e më interesant për një historian apo për një gjuhëtar të shqipes.

Z. Xhufi, vëmë re një lloj pesimizmi në shoqëri, njerëz që ankohen për shumëçka, vështirësi ekonomike, infrastrukturore, mungese shprese se cilësia e jetës mund të përmirësohet, nëse edhe ju e vëreni, çfarë na ka sjell në këtë situatë? A ka ndikim politika?

Po, siç e thashë, politika është mamaja e dështimeve, zhgënjimeve, dëshpërimeve. Por shtrati i tyre është edhe më i gjerë. Ecjen tonë përpara e pengojnë edhe kultura e paktë e punës, plogështia endemike, parazitizmi, hipokrizia sociale, fanatizmi fetar e politik, krahinarizmi. Në fund të fundit, klasa politike, për të cilën po ankohemi kaq shumë, është produkt i këtyre veseve të shoqërisë shqiptare. Ajo keqqeveris duke u mbështetur në këto veset tonat.

Po si mund të zgjidhet kjo, kur në politikë nuk ka shumë alternativa? Ata që janë kanë krijuar një sistem që i zë frymën çdo tentative që del për të ndërruar establishmentin…

Kjo zgjidhet duke përdorur mjetet demokratike që kanë përdorur popuj më të mençur se populli ynë. Duke përdorur si duhet votën (që shumëkush nga ne e shet), duke protestuar për të zgjidhur problemet, e jo për të zgjedhur kreun e fisit (që, për më tepër është i njëjti, deri sa të vdesë). Për fat të keq, në këta 30 vjet unë kam parë vetëm dy protesta të vërteta qytetare: atë të studentëve para Ministrisë së Arsimit, në 2019, dhe atë të fundit kundër rritjes së pajustifikuar të çmimit të naftës. Si për çudi, të dyja këto protesta e dhanë një rezultat. Të tjerat, ato të zhurmshmet, na kanë sjellë vetëm Saliun e makar Edin.

Aktualisht kemi një Shqipëri të shpopulluar, zona të tëra rurale të braktisura, rinia në emigracion, edhe ata që mbarojnë studimet më së shumti e dëshirojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit, a ka një ngërç që po i ndodh Shqipërisë apo çfarë?

Po, është e vërtetë, rinia ikën, intelektualët ikin, njerëzit e punës ikin. Ikin, sepse këtu politika e mbrapshtë ka ngritur mbretërinë e frikës, të egërsisë, padrejtësisë, të krimit e të korrupsionit.

Zoti Xhufi, pas 30 vitesh nga rrëzimi i sistemit komunist sot kemi një mazhorancë që kontrollon thuajse gjithçka, dhe një opozitë që copëzuar dhe që i ka lidh fatet e veta te një person që është shpallur “non grata” nga SHBA. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Të isha besimtar do të thoja se Perëndia na ka dërguar ne shqiptarëve ndëshkimin që meritojmë për mëkatet tona. Disa prej tyre i rreshtova më sipër.

Si e vlerësoni qeverisjen e zotit Rama? Cilat janë tre gjërat që ai i ka bërë mirë dhe do të mbahet mend, dhe tre gjërat që do të jenë turpi i tij?

Zoti Rama sigurisht nuk është z. Berisha. Nuk ka bërë ndonjë krim e nuk ka bërë ndonjë turp, përveç asaj shëtitjes së lirshme në plazh. Ka ndërtuar rrugë, ka sjellë në binarë disa sheshe qytetesh (por ka prishur e shëmtuar sheshet e Tiranës), ka bërë njerëzor shërbimin shëndetësor e ndonjë tjetër punë të mirë. Por, fatkeqësisht, edhe pas 9 vjetëve të qeverisjes së tij, ne jemi vend pa bujqësi, pa industri pa arsim, pa shkencë, pa kulturë, pa drejtësi, pa ushtri, pa administratë. Po, kemi një tregti që lulëzon, por kjo është tregti “dembelash”, ku malli kalon nga dora e parë në dorën e dytë, të tretë e kështu me radhë. Qeverisja vazhdon të jetë pa vizion ose me vizione të gabuara. I është dhënë rëndësi e jashtëzakonshme turizmit, duke abstraguar nga nevojat prioritare, nga infrastruktura reale dhe nga mungesa e një kulture të trashëguar në këtë sektor. Mirëpo, ja që vjen tërmeti, pastaj pandemia, e pastaj-pastaj lufta në Ukrainë, që tremb turistët dhe i mban larg plazheve tona.

Dhe kështu, ajo që është projektuar si një mundësi e madhe, turizmi, kthehet në një problem të madh ekonomik e social. Personalisht mendoj se turizmi është një nga mundësitë, por jo mundësia e vetme e zhvillimit dhe e prosperitetit. Në kushtet e mungesës së ligjit e të kulturës, turizmi “pa frena” mund ta kthejë Shqipërinë në një “bordello”, ku të mblidhen derra e dosa, trafikantë e kriminelë, vjedhës e vrasës, agjentë, prostitutë e prostituta nga e gjithë bota. Siç e ka provuar përvoja e këtyre viteve e ditëve të fundit, turizmi sjell një zhvillim të paqëndrueshëm. Ndaj, syri duhet të mbahet tek pasuritë e mbidheshme e të nëndheshme, tek bujqësia, blegtoria, pasuritë minerare dhe industria e përpunimit të produkteve të tyre.

Mendoni se mungesa e një alternative e ka dëmtuar edhe kryeministrin gjatë qeverisjes së tij? Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike që të tentojë të bëhet shumicë në vend? A është Sali Berisha i vetmi që mund të përballet me Ramën?

Kam patur rast ta them edhe më herët, arsyeja e mungesës së alternativës qëndron në sistemin e ngritur me kujdes prej maniaku nga Sali Berisha, Kaç Islami dhe vetë Edi Rama në vitin 2008, duke ndryshuar Kushtetutën e duke sajuar një kod zgjedhor vrastar, që i njeh të drejtën e jetës PD-së e PS-së,të mishëruar në përjetësinë e krerëve të tyre.

Pas pak javësh do të zhvillohet procesi i zgjedhjes së presidentit të Republikës. Keni një emër, ose një profil se si duhet të jetë kreu i shtetit?

Si gjithë shqiptarët, do dëshiroja një president të pëlqyeshëm (grata), të vendosur, të ndershëm, të edukuar, të pakorruptuar, atdhetar. Një sintezë mes presidentëve Meidani e Moisiu.