Inteligjenca gjermane: Putin shpalli luftë kundër Perëndimit

Inteligjenca gjermane: Putin shpalli luftë kundër Perëndimit

Udhëheqësi i shërbimit sekret të Gjermanisë, Bruno Kahl, e ka konsideruar luftën e Rusisë në Ukrainë si “shpallje e luftës” kundër gjithë botës demokratike perëndimore.
Duke folur para një komiteti parlamentar, Kahl, ka thënë se lufta e presidentit rus, Vladimir Putin nuk ka pasur synim primar territorin e Ukrainës.
Putin do të vazhdojë të përdorë forcën e tij – siç e ka bërë në Çeçeni, Gjeorgji, Siri, Krime dhe Donbas – për të arritur qëllimet e tij politike, ka thënë ai.
Kur ka qenë fjala për konfliktin në Ukrainë, ai ka thënë se pret që luftimet të vazhdojnë edhe vitin tjetër, pasi asnjëra palë nuk është e gatshme të lëshojë territor.
Kahl ka thënë po ashtu se paralajmërimeve të shërbimit që ai udhëheq nuk u është kushtuar vëmendje e madhe.
“Fatkeqësisht është bërë traditë në diskursin publik, në dekadat e fundit, që vazhdimisht të injorohen dhe të shtypen kërcënimet reale – dhe të konsiderohen nga autoritetet e sigurisë si frikësuese apo pompoze”.
Zhvillime të tilla, sikurse lufta në Ukrainë, tregojnë pse Gjermanisë i duhen autoritetet e sigurisë, ka thënë ai.
Në mesin e zhvillimeve tjera globale përfshihet edhe ajo e një “Kine autokratike që synon të bëhet fuqi globale”, ka thënë Kahl.
Bordi i shërbimit sekret gjerman zakonisht takohet fshehurazi, mirëpo, një herë në vit, udhëheqësit e institucionit përgjigjen publikisht.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel