Integrimi sjell vetintegrimin

Integrimi sjell vetintegrimin

“Për mua, ka vetëm një përgjigje të sigurt për të ardhmen tonë kombëtare, pikërisht që të vazhdojmë përpjekjet tona të mençura dhe të përllogaritura, sovrane e dinjitoze për ndërtimin e dy shteteve demokratike shqiptare, me institucione serioze dhe të balancuara, bazuar në parametra pluralistë, socialë e njerëzorë të nivelit evropian, me ekonomi sa më të zhvilluara e të ndërthurura midis tyre dhe bashkëpunuese me ato të vendeve të tjera”, thotë Meidani.

Intervistoi: Ismail SINANI

 Ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani, shpreh qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet aktuale në Shqipërisë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Si një personalitet me bagazh të fuqishëm politik dhe intelektual, Meidani konsideron se politika shqiptare në përgjithësi duhet të jetë në përputhje me të gjitha zhvillimet gjeopolitike, por gjithmonë duke iu shmangur servilizmit dhe nënshtrimit. Ai jep vlerësimet e tij edhe për projektin “Ballkani i Hapur” dhe për impaktin rajonal të kësaj nisme. Në intervistë i është vënë theksi edhe politikave nacionaliste serbe të sponsorizuara nga Moska. Prof. Rexhep Meidani ka qenë President i Republikës së Shqipërisë në periudhën 1997-2002.

 SHENJA: Politika shqiptare në Shqipëri tashmë një periudhë të gjatë është eklipsuar nga përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike, por që në një farë mënyrë po e implikojnë edhe një dozë të antiamerikanizmit në qarqet e rreshtuara proBerishës. Parë nga ky prizëm, sa po e dëmton kjo mosmarrëveshje brendapartiake e PD-së imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë dhe si do të mund të reflektonte kjo katandisje politike në raport me të ardhmen (gjeo)politike të shqiptarëve?

MEIDANI: Në gjykimin tim, një përplasje sado e ashpër brenda një force politike, sidomos po të respektohen procedurat dhe rregullat demokratike, nuk ka pse ta cenojë imazhin e Shqipërisë apo të ndikojë në të ardhmen gjeopolitike të shqiptarëve. Por, nëse e keni fjalën për ngjarjet e 8 janarit 2022, në selinë e PD-së, nisur nga roli, përmasa e pasojat, ato ngjarje sado të pakëndshme, kanë një peshë të papërfillshme politike (sidomos ndërkombëtare), krahasuar me ngjarjet e 6 janarit 2021, kur mbështetësit e presidentit republikan, Donald Trump, e sulmuan ndërtesën e Kongresit, ku, krahas dëmeve materiale dhe, mbi të gjitha, të imazhit ndërkombëtar, humbën jetën pesë persona, përfshirë dhe një zyrtar policie.

Në një shikim të parë, përplasja aktuale në PD duket se e dobëson reagimin opozitar e qytetar dhe, në njëfarë mënyre, e favorizon shumicën parlamentare. Pra, me dashje apo pa dashje, ajo e ushqen arrogancën qeverisëse dhe atë parlamentare; por, kam bindjen se, shumë shpejt, do të shfaqen dhe “shenjat” e gjallërimit dhe të një ripërtëritjeje njerëzore-politike në skenën partiake shqiptare. Aq më tepër që, këto vitet e fundit, opozita në tërësi dhe në radhë të parë PD-ja, mori disa vendime dhe aksione me pasoja të rënda për jetën normale demokratike, institucionale e partiake. Të tilla, në mënyrë të veçantë, ishin braktisja e parlamentit ose mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, pra dhe humbja e pozicioneve bazike politike dhe elektorale për “kontroll-balancimin e pushtetit”, por, në perspektivë, edhe për një përballje të ardhshme zgjedhore. Po ashtu, vendime dhe aksione të këtij lloji janë jo vetëm të gabuara, por edhe mishërojnë një rrugëzgjidhje jodemokratike dhe një konceptim joinstitucional, pra, në njëfarë kuptimi, kanë dhe një përmbajtje joperëndimore, joevropiane apo antiamerikane. Për çudi dhe për fat të keq, për një vendimmarrje të tillë askush nuk mori asnjë përgjegjësi dhe nuk dha dorëheqje! Vetëm, shumë më vonë, u belbëzua thjesht njëfarë kritike (autokritike) e shpejtë, e zbehtë, efemerike…

SHENJA: Duke qenë se keni qenë pasardhës i Berishës në postin që e kishit në periudhën 1997-2002, si mendoni se do të precipitojë situata? A është Berisha aq problematik, saqë kampin e tij politik do ta sjellë buzë greminës?

MEIDANI: Në fakt, përplasja brenda PD-së duket sikur po e gjallëron politikën shqiptare, duke e nxjerrë atë nga rutina e deritanishme, madje aktualisht po intensifikohet dhe kontakti me anëtarësinë dhe qytetarët. Nga ana tjetër, me sa kuptohet sot, shanset për dy grupimet e PD-së që të merren vesh midis tyre duken tepër të zbehta, gati-gati zero. Një nga zgjidhjet mund të jetë dhe ajo gjyqësore, por, për fat të keq, ajo mund të arrihet vetëm në “kalenda greke”. Zgjidhja tjetër është ndarja dhe krijimi i dy partive politike me karakteristikat e veta programore. Madje, me sa shoh, nuk ka pse të pritet më gjatë në realizimin e saj. Sidoqoftë, pavarësisht zgjidhjes konkrete, një përplasje e tillë, edhe pse u “iniciua” me një ndikim dhe shtysë nga jashtë partisë dhe u realizua me një vendimmarrje individuale jokolegjiale, nuk mund ta çojë dhe nuk ka si ta çojë opozitën në greminë. Sepse, në thelb, opozita është, në radhë të parë, vetë reagimi qytetar dhe ky i fundit diku e paraprin udhëheqjen opozitare politike-partiake, diku e provokon dhe diku e prodhon atë, meqë për udhëheqje ka nevojë gjithmonë! Pikërisht, në këtë rol, besoj, është rikthyer këto muajt e fundit dhe z. Berisha, mbështetësit e të cilit nuk janë të pakët.

 

SHENJA: Pse gjithë ky mosdurim intrashqiptar? Pse gjithë ky mllef për tjetrin me të cilin deri dje kemi qenë bashkë? A i ngjan mentaliteti politik periudhës së viteve të ’20-ta të shekullit të kaluar, kur qeveritë ndërroheshin ndonjëherë edhe brenda disa javësh e ditësh?

MEIDANI: Nuk po futem, këtu, në analizën e durimit dhe mosdurimit individual apo kolektiv të shqiptarit ose akoma, siç po e quani ju, “intrashqiptar”. Por, nuk duhet të harrohet në asnjë mënyrë historia jonë dhe përjetimi i saj: persekutimi dhe abuzimi, shtypja dhe dhuna e pushtuesit, vuajtja dhe varfëria, mungesa e infrastrukturës fizike dhe social-kulturore. Ato të gjitha kanë krijuar vonesa dhe pengesa në shekuj për të kultivuar dialogun, konsensusin dhe mirëkuptimin në procesin e ngadaltë të shoqërizimit të një popullsie më tepër rurale sesa urbane, pa institucione, me institucione koloniale ose institucione të dobëta shtetërore e partiake, krahasuar me peshën e konsiderueshme të familjes së madhe apo klanit. Por, ama, ia vlen të krenohemi për solidaritetin njerëzor karakteristik, humanizmin, mikpritjen dhe besën shqiptare.

Është e vërtetë se mangësitë e kësaj sjelljeje politike-institucionale kanë qenë të dukshme gjatë viteve 20-të, pra pak pas shpalljes së pavarësisë, por nuk kanë munguar as në dekadat e mëvonshme. Për fat të keq, shoqërizimi i mirëfilltë, organizimi kolektiv social dhe kultura politike pluraliste, partiake e institucionale nuk arritën të huazoheshin, të krijoheshin apo të kultivoheshin si duhet dhe sa duhet, madje edhe u bllokuan ose nuk u lejuan gjatë dy “sajesave politike” shqiptare: mbretërisë zogolliane dhe diktaturës enveriste. Realisht, kemi përjetuar vetëm 30 vjet pluralizëm, edhe pse të vështirë dhe me jo pak halle. Por, ama, dhe ashtu siç është ai, po e godasim dhe e “sulmojmë” atë nga të gjitha anët me elementë të autokracisë dhe paaftësisë partiake e institucionale, diku me megalomani dhe arrogancë, diku tjetër me jo pak verbëri dhe kokëfortësi individuale.

SHENJA: Shqipëria dhe Kosova, sipas jush, a do të ndërtohen si dy shtete të ndryshme apo do të vijë dita kur detyrimisht njëra-tjetra do të ngërthehen mes vete? A është euro-integrimi rruga e vetme për t’u bashkuar këto shtete apo duhet menduar edhe për alternativa të tjera të bashkimit?

MEIDANI: Po të ishte vetëm në dorën tonë, kjo mund të kishte ndodhur vite më parë. Por, në një botë globale gjithmonë e më të ndërvarur, një gjë e tillë nuk është e lehtë. Sa për dijeni, në një raport të kohëve të fundit të Institutit Amerikan të Politikës së Jashtme John Hopkins”, lidhur me Ballkanin Perëndimor, theksohet, midis të tjerash, se një ndër hapat e ndërmarrë të administratës së presidentit Joe Biden “është emërimi i të “Dërguarit Special për Njohjen e Kosovës”, krahas paralajmërimit të shprehur të SHBA-së për sanksione ndaj çdo lideri në Shqipëri e në Kosovë, që promovon apo bën thirrje për “bashkim” mes të dyve vendeve të pavarura”.

Sidoqoftë, le të kthehemi te “detyrat tona të shtëpisë”. Lidhur me to janë krijuar dhe vonesa të pafalshme në këtë objektiv shtetëror e kombëtar. Ndërkohë, edhe goditjet kanë qenë tepër serioze, madje deri në nivelet më të larta të udhëheqjeve shtetërore shqiptare, sidomos këtë vitin e fundit. Natyrisht, kjo ka ardhur, sado pak, edhe nga sjellja e korruptimi ynë, nga gabimet e makutëria jonë, nga paqartësitë e naiviteti politik. Ndryshe nuk mund të shpjegohet që, brenda një periudhe gati njëvjeçare, një kryetar shteti shqiptar, së bashku me dy ish-kryetarë kuvendi, është dërguar në Gjykatën Speciale, të miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe të vendosur çuditërisht në Hagë, një ish-kryetar tjetër shteti dhe ish-kryeministër është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe një i tretë është shkarkuar nga detyra me një ngut të paprecedent dhe procedurë të përshpejtuar, madje jashtë limiteve normale të lejuara, prej një parlamenti të paplotë, pothuajse njëngjyrësh dhe, tashmë, ai pret vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Kushdo, me të drejtë, pyet veten: Pse po ndodh diçka e tillë? A është ajo e rastit?!…

Në vlerësimin tim – pavarësisht një trysnie të brendshme apo të jashtme – mungesa e dinjitetit dhe e integritetit, servilizmi dhe nënshtrimi nuk prodhojnë zgjidhje afatgjata, as individuale, as kolektive. Prandaj, për mua, ka vetëm një përgjigje të sigurt për të ardhmen tonë kombëtare – pikërisht që të vazhdojmë përpjekjet tona të mençura dhe të përllogaritura, sovrane e dinjitoze për ndërtimin e dy shteteve demokratike shqiptare, me institucione serioze dhe të balancuara, bazuar në parametra pluralistë, socialë e njerëzorë të nivelit evropian, me ekonomi sa më të zhvilluara e të ndërthurura midis tyre dhe bashkëpunuese me ato të vendeve të tjera. Sa më i drejtë të jetë një proces i tillë, aq më i sigurt dhe më i afërt do të jetë dhe vetë procesi i integrimit evropian, fillimisht i Shqipërisë dhe më tej i Kosovës. Pikërisht me anëtarësimin e dy shteteve tona në BE, do të krijohen dhe kushtet për mundësimin e lejueshëm dhe të pranueshëm, nga ana ndërkombëtare, të bashkimit kombëtar shtetëror. Integrimi sjell dhe vetintegrimin! Sidoqoftë, para arritjes së kësaj etape, duhet të vazhdohet në mënyrë intensive për një bashkëveprim të gjithanshëm, pse jo dhe për një ngërthim sa më fuqishëm të dy shteteve me njëri-tjetrin në të gjitha rrafshet, përfshirë politikën e jashtme e diplomacinë ose ndërveprimin infrastrukturor (të tipit “hard” apo “soft”), dhe, pa dyshim, bashkërenditjen në mënyrë sa më të plotë të programeve tona me natyrë ekonomike-institucionale e social-kulturore.

 

SHENJA: Ju keni qenë president para dy dekadash. Duke qenë numri një i shtetit, ju keni pasur edhe vizionet tuaja për ndërtimin e shtetit shqiptar. Edi Rama, prej disa vitesh, tashmë po e drejton Shqipërinë. A është kjo Shqipëri ajo që ju e keni ëndërruar apo ka devijuar nga kursi që ju e keni preferuar?MEIDANI: Nuk është ajo që unë kam menduar dhe ëndërruar. Unë e kuptoj dhe e pranoj që një zhvillim ekonomik e social i shpejtë dhe i gjithanshëm nuk është gjë e lehtë dhe kërkon punë e sakrificë, zemër e mendje, ndershmëri e kërkesë, por që, pas 30 vjetëve pluralizëm, të arrihej të cenohej demokracia aq thellë, saqë parlamenti të ishte njëngjyrësh apo pushteti vendor të mbetej vetëm në duart e një partie politike, këtë nuk e kisha imagjinuar kurrë! Po të isha pjesë e qeverisjes dhe të kisha të drejtën kushtetuese të vendimmarrjes, nuk do ta lejoja kurrë një situatë të tillë, sa regresive, po aq dhe absurde!…

SHENJA: Ndërkohë në Kosovë po shihet se është rritur presioni ndërkombëtar për të gjetur një marrëveshje me Serbinë. I dërguari amerikan, ditë më parë, por edhe Sekretari Blinken këto ditë, dërguan mesazhe për domosdoshmërinë e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, porse kjo do të duhet të kalojë përmes një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë. Sipas jush, a është e gatshme Qeveria Kurti 2 të shkojë deri në shkallën e arritjes së marrëveshjes, e cila gjithsesi se mund të jetë e dhimbshme? Apo mund të ndodhë që edhe presioni ndërkombëtar vetëm në dukje të jetë i madh, pasi që siç e dimë, rajoni i ngushtë po përpëlitet nga tensioni që po e shkakton Dodiku në Bosnjë, e që vetvetiu nënkupton se fokusi i ndërkombëtarëve këtë viti më shumë do të jetë i përqendruar në Sarajevë e Banja Llukë sesa në Prishtinë e Beograd? Apo, mos ndoshta, Kosova e Bosnja do të gjenden në pakon e njëjtë të zgjidhjeve?

MEIDANI: Një problem kyç, prej afro dy dekadash, ka qenë dhe mbetet njohja e Kosovës nga Serbia. Kjo e fundit, edhe pse e di që e ka humbur Kosovën, synon që të krijojë ngërçe e pengesa në rrugën evropiane të shtetit të ri. Me sa kuptohet, Serbia, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe sidomos të SHBA-së, do të vazhdojë ta “luajë vallen e saj” për mosnjohjen e Kosovës dhe për këtë e ka mbështetjen e plotë të Rusisë. Beogradi, pra, do të vazhdojë që të pretendojë se Serbia është gjoja e gatshme dhe tepër e zellshme për një dialog konstruktiv, por, ndërkohë, do të synojë, me çdo mjet dhe në çdo rast, që ta pengojë njohjen e Kosovës nga shtete të tjerë ose organizata rajonale e ndërkombëtare. Paralelisht, ajo do të intensifikojë përpjekjet për armatimin e saj ushtarak, sa më modern, me ndihmën e Rusisë, por dhe për një fuqizim të mëtejshëm ekonomik, në bashkëpunim me Rusinë, Kinën e Turqinë. Në këto kushte, detyra e Qeverisë Kurti 2 është sa e rëndësishme, po aq dhe tepër delikate; madje, kërkohet sa vigjilencë e koordinim, po aq dhe konsekuencë parimore e konsensus ndërpartiak; sa rezistencë politike, po aq dhe intelektuale. Edhe pse, ndoshta, ndonjë rol sado minimal mund të luajë, me dashje apo pa dashje, edhe subkoshienca! Sepse, me ndërgjegje apo pa ndërgjegje, nuk i shpëton dot faktit që si Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, spanjolli Josep Borrell, ashtu dhe Përfaqësuesi Special për dialogun Prishtinë-Beograd, sllovaku Miroslav Lajçak (i propozuar po nga i pari), vijnë nga pozicione me peshë prej dy vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës!…

Por, ju keni të drejtë dhe për fokusimin aktual ndërkombëtar mbi situatën në Bosnjë-Hercegovinë. Aktualisht, pas disa përplasjeve Prishtinë-Beograd, situata në Bosnjë-Hercegovinë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Tepër problematik është sidomos aty aktivizimi i anëtarit serb të Presidencës treshe, Milorad Dodik. Ai ka kërcënuar me tërheqjen e Republikës Sërpska nga institucionet shtetërore, përfshirë këtu dhe ushtrinë. Ndaj tij janë vendosur tashmë sanksione nga SHBA-ja, për akuzën e korrupsionit, por dhe për rrezikshmërinë e tij në lidhje me stabilitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Madje, kohët e fundit, në një deklaratë të Departamentit të Thesarit, sqarohet se sanksionet kundër Dodikut janë pjesë e përpjekjeve të administratës së presidentit Joe Biden për t’iu kundërvënë individëve që “e minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata”.

Po këtë gjë e ka deklaruar edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Sipas tij, lideri serb i Bosnjë-Hercegovinës, Dodik, është një prej politikanëve më të korruptuar në Europë. Madje, në një intervistë për CNN-in, ai shprehet se Dodik po përpiqet që të kultivojë dhe shfrytëzojë përçarjen etnike si një rrugë për të cenuar integritetin e vendit. Më konkretisht, në intervistën e dhënë gazetares Christiane Amanpour, e cila ka raportuar afro 30 vjet më parë luftën në Sarajevë, ai foli dhe për rreziqet që po i “vërviteshin” marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Në fakt, në tetor, Dodik bëri thirrje që Republika Sërpska të tërhiqej nga institucionet kryesore shtetërore dhe të krijonte institucionet e veta parashtetërore, duke shkelur Traktatin e Paqes dhe Kushtetutën. Me të drejtë, në atë kohë, Christian Schmidt, Përfaqësuesja e Lartë e Bosnjës, i ka quajtur lëvizjet e Dodikut “të barasvlershme me shkëputjen”, duke paralajmëruar se ato mund të nxisin ndarje dhe konflikte të mëtejshme. Por, Dodiku e vazhdoi “programin” e tij. Më 10 dhjetor, parlamenti i Republika Sërpskas miratoi një sërë ligjesh, të cilat i mundësojnë entitetit serb aty që të formojë institucionet e veta dhe ushtrinë e tij deri në majin e ardhshëm…

Parë, në tërësi, politikani serb Dodik është realisht i rrezikshëm, por, megjithatë, për mua, nuk është ai problemi i vetëm më se shqetësues dhe i pakapërcyeshëm, sepse prapa tij, si fuqi dhe frymëzim, është në të vërtetë vetë presidenti i Serbisë, Vuçiq, dhe, më tej, pas tij, edhe presidenti rus Putin. Por, në këtë rast, sipas shprehjes tonë popullore “s’ka ç’i bëhet gomarit, i bihet samarit”. Ajo flet më se qartë!

Po ashtu, një nxitje për sjelljen e dukshme të Dodikut është dhe prapaskena serbomadhe me tezën “bota serbe”. Ky koncept u përdor për herë të parë në shtator të vitit 2020. Që nga ajo kohë në Ballkanin Perëndimor janë konstatuar disa ngjarje paralajmëruese serioze. Në fakt, në njëfarë mënyre, ky “dyfjalësh” po rikujton dhe rinxjerr në skenë aspiratat e politikës zyrtare serbe, që çoi, në fillim të viteve 1990, dhe në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Me të drejtë, eksperti në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, Toby Vogel, e konsideron atë si “një vazhdim të projektit të “Serbisë së madhe”të Sllobodan Millosheviqit, por tani me mjete paqësore dhe një artikulim të vizionit të presidentit Vuçiq, si udhëheqës i të gjithë serbëve”. Dhe, diku tjetër, ai shton: “Ideja themelore është që përderisa “Serbia e madhe” mbetet një ëndërr, “Bota serbe” mund ta zëvendësojë atë… Por, duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitet 1990, është e qartë se kjo gjithmonë do t’i bëjë fqinjët e Serbisë jashtëzakonisht nervozë, dhe për këtë kanë arsye, sepse ajo është një ide destabilizuese”.

Për ta mbyllur këtë përgjigje të gjatë, po rikujtoj këtu dhe një letër që një grup eurodeputetësh ia kanë dërguar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për të hetuar aktivitetin e komisionarit të BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi, në lidhje me marrëdhëniet e tij me Dodikun. Kjo letër, e nënshkruar nga 30 deputetë, i kujton Komisionit, “si një palë neutrale me ndikim të konsiderueshëm”, se ai ka një rol kyç në garantimin e respektimit të marrëveshjes së paqes të Dejtonit. Dhe, këtu, vërejtja e kritika konkrete ishte për komisionarin Oliver Varhelyi.

SHENJA: Kur e shikoni Kosovën, vërehet qartë një përplasje e saj me institucionet drejtuese të Bashkimit Europian por edhe me ato të SHBA-së. Sipas jush, cila do të duhej të ishte rruga më e mirë e ndërtimit të këtyre raporteve me Brukselin dhe Uashingtonin, pasi që po shihet qartë se sikur nuk po manifestohet ndonjë sensi veçantë për të kaluarën e hidhur të shqiptarëve në raport me Serbinë?MEIDANI: Për mendimit tim, janë përafrime apo “teknologji’ që diferencohen në detaje e mjete konkrete, diku më shumë e diku më pak. Natyrisht që ato dhe mund të variojnë sadopak edhe prej përfaqësimeve konkrete të jashtme apo të brendshme, që janë pasqyrime si të vizioneve politike, ashtu dhe të votës qytetare. Me këtë shpjegohet dhe fakti që pozicionimi amerikan ndryshon deri diku nga ai europian. Kështu, për shembull, qëndrimi amerikan është më i drejtpërdrejtë, zgjidhës e zhvillues, kurse i dyti është më i tërthortë, më afër status quo-së dhe “balancës” së brishtë. I pari pasqyron një kondensim të qartë institucional e përfundimtar, ndërsa i dyti një shpërhapje fuqie me bazë konsensusi.

Për veçoritë e tij specifike po i rikthehem raportit të përmendur më sipër të institutit amerikan. Aty sqarohet, në fakt, dhe qasja e Perëndimit ndaj Kosovës ose, në përgjithësi, ndaj situatës në Ballkanin Perëndimor. Në atë raport theksohet qartë se, nëse shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do të ndryshojnë qëndrim, kjo gjë përbën dhe çelësin e stabilitetit rajonal. Madje, një njohje e tillë do ta detyrojë Beogradin dhe Prishtinën që të lëvizin nga pozicionet e tyre; pra, ajo, në një mënyrë apo tjetrën, do ta përshpejtojë zgjidhjen. Po aty vihet në dukje se Perëndimi (sidomos SHBA-ja) po punon me Greqinë për njohjen e Kosovës. Madje, një gjë e tillë do t’i hapte rrugën Kosovës për të qenë edhe anëtare e NATO-s. Ja ç’thuhet diku në raport: “Ky pretendim vlen dhe për krizën që vijon të mbajë të ngërthyer Bosnjë-Hercegovinën. Sanksionet e forta të SHBA-së, të vendosura në fillim të janarit 2022, edhe nëse shtrihen në një gamë më të gjerë figurash të korruptuara në vend, nuk do të shërojnë paralizën e Bosnjës prej dekadash. Nga ana tjetër, njohja e Republikës së Kosovës nga katër anëtarët e NATO-s, si Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, do ta transformonte dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe të gjithë rajonit, duke përfshirë edhe Bosnjë-Hercegovinën. Të bindësh këto katër shtete – dhe një të pestë, Qipron, e cila është anëtare e BE-së, por jo e NATO-s – për ta njohur Kosovën nuk është aq e lehtë. Kjo do të kërkojë një përpjekje të vendosur nga administrata e presidentit Joe Biden, së bashku me aleatët kryesorë, për të bindur ata që ende nuk e njohin atë që të ndryshojnë qëndrimin e tyre”.

SHENJA: Po kështu, ku e shihni edhe pozicionin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët tashmë e kanë rrokur shumë fort numerikisht pushtetin ekzekutiv (gjysma e kabinetit qeverisës janë shqiptarët) në këtë vend? Duke e marrë parasysh se kurrë në historinë e këtij shtetit – nga viti 1945 e këndej – shqiptarët nuk kanë qenë kaq shumë të përfaqësuar në Qeveri, sa mendoni se edhe në praktikë do të ndihet fuqia reale e këtij komuniteti?

MEIDANI: Më gëzon një fakt i tillë, madje, personalisht, kam qenë i bindur për këtë gjë, shumë kohë më parë. Në fakt, gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar shteti, në bisedat me kolegët maqedonas, kam shprehur bindjen dhe kam theksuar e ritheksuar me durim nevojën për shpejtim kohor dhe rritje të përfshirjes së etnisë shqiptare në jetën politiko-institucionale dhe social-ekonomike të vendit, në funksion të stabilitetit dhe ecjes përpara të tij, por dhe të vetë shoqërisë maqedonase. Sa më e sinqertë dhe e ndershme, sa më dashamirëse dhe respektuese të jetë kjo praktikë e drejtë përfaqësimi, aq më e garantuar do të jetë e sotmja dhe e ardhmja, vetë perspektiva europiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 SHENJA: Në fund, dëshirojmë ta dëgjojmë mendimin tuaj edhe për nismën “Open Balkan”. Ndonëse është thënë se është nismë për përfshirje të shteteve të Ballkanit Perëndimor, aty deri tash kanë zënë vend vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, gjë që ishte vërejtje edhe e të dërguarit special amerikan, Escobar. Si ju duket kjo nismë dhe a shihni perspektivë të rajonit përmes këtij tipi të bashkëpunimit rajonal?

MEIDANI: Me thënë të vërtetën, vetë termi “Open Balkan” përbën një kontradiktë, të cilën latinët do ta kishin emërtuar “contradicto in ajecto”, gjë që nënkupton dhe kundërshtinë midis dy pjesëve të një argumenti. Dhe, në fakt, nuk mund të flitet për “hapje” kur dy vende ballkanike, Kosova dhe Serbia, nuk e njohin zyrtarisht njeri-tjetrin! Parë më këtë sy, po të shfrytëzohej një terminologji termodinamike, mund të përdorej me të drejtë një dyfjalësh i kundërt: “Ballkan i Mbyllur”…

Këtë problem nuk e zgjidh dot as termi fillestar i propozuar, ai i “minischengen”-it. Në fakt, menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë, në takimet rajonale e ndërkombëtare, me qëllim u përdor termi “minischengen” dhe u propaganduan liritë europiane, si parapërgatitje për integrimin e rajonit si i tërë në BE. Kishim, pra, një objektiv konkret, një pikësynim të qartë: kundërvënien ndaj prirjes europiane për një integrim pjesë-pjesë të rajonit në BE apo dhe ndaj tezës së presidentit francez Jacques Chirac për 3 shpejtësi integrimi. Në fakt, pas Greqisë (1981), me integrimin e Sllovenisë (2004), Bullgarisë e Rumanisë (2007) dhe Kroacisë (2013), u tejkaluan dhe 3 shpejtësitë e integrimit dhe, me sa duket, tashmë, ka mundësi që të “shpiken” dhe shpejtësi të tjera!…

Pra, “teknologjia e minishengenit”, për mendimin tim, nuk i rezistoi kohës dhe e humbi, në thelb, vlerën e saj. Natyrisht, gjatë kësaj kohe, krahas hapave të ngadaltë në procesin e integrimit europian, u hodhën në eter apo u zhvilluan edhe disa nisma të tjera europiane, njëra prej tyre, sado modeste në rezultate, është dhe “Procesi i Berlinit”, për të cilin, me daljen nga loja të krijueses së këtij procesi, Angela Merkel, nuk kuptohet qartë dhe nuk parashikohet dot, sot, vazhdimësia e mëtejshme e tij.

Si BE-ja, ashtu dhe SHBA-ja, janë shprehur plotësisht në mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe kjo është më se normale në saje të dobishmërisë së gjithanshme të këtij bashkëveprimi. Por, ama, ata kanë theksuar se nëse të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëhen pjesë e tij, atëherë nisma konsiderohet e dështuar. Por, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, janë skeptikë jo vetëm për shkak të brishtësisë institucionale dhe sidomos të strukturave të kontrollit dhe të sigurisë, në rajon dhe në vendet e tyre; por, mbi të gjitha, dhe për shkak të rolit të Serbisë, gatishmërisë dhe tendencës së saj për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të këtyre tre vendeve, aq më tepër në Kosovë, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Serbia.