Integrimi si akt politik dhe transformimi si proces i ndërlikuar

Integrimi si akt politik dhe transformimi si proces i ndërlikuar

Pavarësisht ecurisë së procesit të anëtarësimit zyrtar të kësaj pjese të Ballkanit në BE, ekziston edhe një anë tjetër e rrëfimit, përtej formalitetit, e që është vendimtare për qëndrueshmërinë e idesë së progresit në suaza të integrimit europian: sa ka arritur ky rajon ta brendësojë idenë dhe vlerat e Bashkimit Europian?

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

 

Në një kohë kur ekonomia dhe siguria janë kthyer në shqetësim goxha serioz për Europën dhe jo vetëm, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian mbetet nevojë e pazëvendësueshme dhe e menjëhershme. Duke marrë shkas nga ndryshimi i parametrave të sigurisë dhe të ekonomisë botërore, veçanërisht në dy vitet e fundit, ky anëtarësim kërkon përkushtim serioz, ngase rajoni vetëm në një formacion të tillë, si BE-a, mund t’u bëjë ballë kërcënimeve të kësaj natyre. Prandaj Bashkimi Europian, për këtë rajon, nuk është zgjedhje, por nevojë e natyrshme dhe projekt i gjithmbarshëm e i paalternativë.

 

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, një hap më afër BE-së

Përpjekjet e fundit të faktorit ndërkombëtar e atij vendor lidhur me heqjen e vetos nga ana e Bullgarisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, që do të shënonte edhe tejkalimin e problemit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes mbi identitetin, gjuhën dhe historinë, duket të shkojnë në rrugën e duhur. Miratimi, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i “propozimit francez” për zgjidhjen e kësaj çështjeje, propozim ky shtatëpikësh, që u kërkon të dyja palëve disa lëshime, e ndau politikën dhe shoqërinë në dysh. Teksa bashkësia ndërkombëtare bëri thirrje që ky propozim të kalohet në kuvend, qeveria e RMV-së dhe faktori shqiptar në qeveri, por edhe ai në opozitë, e përkrahu këtë propozim, ndërsa opozita maqedonase, bashkë me disa intelektualë dhe OJQ, ishin kundër. Madje, Shkupi u bë qendër e kundërshtimit të këtij propozimi nën arsyetimin se ai synon bullgarizimin e popullit maqedonas, ndërsa protestat u shndërruan në dhunë. Pasi u miratua ky propozim, tani pritet që Maqedonia e Veriut ta zbatojë kërkesën që derivon nga propozimi francez që t’i bëjë ndryshimet kushtetuese dhe të njihet pakica bullgare. Në këtë mënyrë RMV-ja e nis procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE, duke zgjidhur kështu njërën nga nyjat që e pengonin procesin në fjalë.

Nga ana tjetër, edhe Shqipëria e nisi procesin e bisedimeve për anëtarësim duke shënuar kështu një sukses të rëndësishëm për proceset tjera në vazhdim. Dhe, këto dy momente shënojnë një akt të rëndësishëm në vënien e themeleve të stabilitetit të gjithmbarshëm për rajonin. E kundërta do të përbënte rrezik serioz. Janë dy situata, që me disa dallime do të paraqisnin kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin. Në Shqipëri, status-quo-ja do të zgjaste destabilitetin socio-ekonomik (meqë në planin etnik nuk ka ndonjë problem të trashëguar që do të diktonte ndonjë destabilitet potencial) dhe do të siguronte kohë ideale për kriza të tjera të brendshme, që për nga natyra janë të ndryshme nga ato në RMV. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, ku faktori rus është më prezent, gëzon një simpati e afirmim nga një traditë politike vendore, është më legjitim dhe më i pranishëm në sferën politike e publike, do të mund të ishim dëshmitarë të skenarëve të tjerë regresivë në kuptimin etnik e identitar. Ky kontekst, pra, ka potencial për ta vënë vendin në një rrugë tjetër, madje edhe të zbatojë skenarë destabilizues në aspektin etnik që do ta ndikonin edhe të ardhmen e rajonit. Prandaj, hapat e mëtejmë, që do të ndërmarrë Këshilli Europian, janë vendimtarë për evitimin e çdo lloj skenari të pakëndshëm.

 

Mosintegrimi do të thotë zgjatim i mandatit të status-quo-së

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, nga ana tjetër, ndodhen në një proces delikat. Këto dyja paraqesin shansin ideal për botët joperëndimore e antiperëndimore. Janë arena ndikimi, që ngërthejnë një fije shprese e mjedis veprimi për elementin sllav e rus. Pa u përshpejtuar rruga e anëtarësimit të tyre, ne do të përballemi me rritjen e rrezikut për skenarë të pakëndshëm. BE-ja duhet të jetë më e vetëdijshme sa i përket boshllëkut që lë në rast se neglizhon këtë pjesë të kontinentit, që do të shënonte një kanosje serioze edhe për vetë BE-në. Nuk do të duhej që një shtet a popull të pësojë patjetër një katastrofë, në mënyrë që të jetë kandidat i denjë për t’u anëtarësuar.

 

Integrimi formal përballë transformimit faktik shoqëror

Pavarësisht ecurisë së procesit të anëtarësimit zyrtar të kësaj pjese të Ballkanit në BE, ekziston edhe një anë tjetër e rrëfimit, përtej formalitetit, e që është vendimtare për qëndrueshmërinë e idesë së progresit në suaza të integrimit europian: sa ka arritur ky rajon ta brendësojë idenë dhe vlerat e Bashkimit Europian? Sa kanë arritur këta popuj dhe qeveritë e tyre ta integrojnë idenë e lirisë, barazisë, paqes e tolerancës në opusin e ideve e vlerave të tyre lokale e nacionaliste? Sa kanë arritur këta popuj dhe qeveritë e tyre ta brendësojnë motivin për një shtet ligjor, të drejtë e të barabartë dhe idenë për mirëqenie? Sa janë shartuar këto principe në mendësinë lokale, si të një qytetari të rëndomtë, ashtu edhe në programet e politikëbërjes lokale e nacionale? A janë ballafaquar mjaftueshëm popujt e rajonit dhe establishmentet e tyre me të kaluarën, për të gjetur kështu një modalitet për paqen? A është ende nacionalizmi instancë legjitimiteti dhe kriter në politikën publike dhe sa merr ai mbështetje nga elitat? A është arritur mjaftueshëm barazia sociale dhe a janë respektuar mjaftueshëm të drejtat dhe liritë e njeriut në secilin nivel të jetës shoqërore? A është korrupsioni institucion i shtrirë e gjysmë legjitim apo është përjashtim? Sado që të tingëllojë si një thirrje moraliste, për sa kohë që nuk ua dimë përgjigjet këtyre pyetjeve, anëtarësimi formal do të jetë një dhuratë e përkohshme, një mëshirë nga “nëna Europë” dhe një formalitet pa taban e qëndrueshmëri. Prandaj, para anës formale, duhet të shohim përtej suazës politike, duhet të shohim thelbin e qenësimit shoqëror, botëkuptimin dhe besimin në disa vlera e principe për të matur kështu disponimin e popujve se nga duan të shkojnë dhe a duan të shkojnë diku.

 

Besimi në vlera e principe derivon shoqëri e institucione stabile

 Dhe, ky brendësim i principeve të lirisë e barazisë, që do të përbënin themelin e një shoqërie të nesërme më të mirë se kjo e sotmja dhe se ajo e djeshmja, ndonëse do të kërkonte mbështetje nga lart, varet kryekëput nga dëshira, vullneti, vizioni dhe serioziteti i aktorëve lokalë. Kështu do të mund të ndërtoheshin disa “Europa” të vogla e secila e mbijetueshme dhe e lirë ne veten e vet, edhe në kushtet kur BE-ja potencialisht nuk do të ishte e pranishme në tërësinë e formatin e saj të sotëm, në kuptimin statik e institucionalist të saj. Prandaj, besimi në këto principe, tranformimi shoqëror e politik janë parakusht i çdo ecurie tjetër politike drejt europianizimit të rajonit. Esenca para formales, mendësia e institucionet shoqërore para atyre politike, botëkuptimi për publiken e kolektiven para ligjeve e rregulloreve, edukimi e vetëdija për vlerat kryesore shpirtërore e politike, do të ishin themeli konceptual e vleror për një rrugëtim më të qëndrueshëm të këtyre popujve drejt një të ardhme më të mirë. Nëse ndërtohet një shoqëri e sistem mbi këto principe, atëherë anëtarësimi politik e formal në Bashkimin Europian nuk do të ishte as më pak e as më shumë se një rrjedhojë e natyrshme dhe një rezultat i nënkuptueshëm.