Inflacioni si tregues ekonomikë

Inflacioni si tregues ekonomikë

Nga raportet e publikuara nga ana e ASK-së, ngritje më të mëdha vërehen te përpunimi i produkteve ushqimore (5.6 %), e pastaj te prodhimi i pajisjeve elektrike (2.7 %). Nga ky ndikim i rritjes së çmimeve u prek edhe industria e mjeteve motorike (2.2 %), prodhimi i metaleve (1.6 %), por edhe prodhimi i pijeve pati ngritje të lehtë (1.6 %).

Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë

Rritja e vazhdueshme e nivelit të çmimeve të ekonomisë së një vendi e ka kuptimin e inflacionit. Prandaj, sipas teorisë ekonomike, janë shumë faktorë të cilët ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të inflacionit. Rritja e kërkesës agregate mund të jetë si pasojë e rritjes së ofertës për para, e rritjes së shpenzimeve qeveritare, e rritjes së eksporteve, Inflacioni i shkaktuar nga kostoja ndodh kur rriten çmimet e faktorëve të prodhimit, të cilat çojnë në rritjen e kostove. Rritja e kostove të prodhimit shkaktohet si pasojë e uljes së ofertës agregate, në kushtet kur kërkesa agregate nuk ka ndryshuar.

Një faktor tjetër i cili ndikon në rritjen e vazhdueshme të çmimeve është edhe mungesa e politikave ekonomike parandaluese. Ne jemi dëshmitarë se shtetet e rajonit nuk kishin politika të mirëfillta parandaluese duke iu dorëzuar ndikimit ndërkombëtar. Kështu edhe Republika e Kosovës iu nënshtrua një ndikimi të tillë, duke u ndikuar në rritjen e çmimeve, sidomos të produkteve të shportës së konsumatorit, çelikut, çimentos, energjisë elektrike e shumë produkteve të tjera jetësore.

Agjencia e Statistikave të Kosovës e konstaton nivelin e çmimeve me katër indekse, të cilat i publikon në periudha të rregullta kohore. Ato janë: indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK), indeksi i çmimeve të prodhimit, indeksi i çmimeve të importit dhe indeksi i kostos së ndërtimit.

 

Indeksi i çmimeve të prodhimit

 

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) e mat ndryshimin e nivelit të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga njësitë ekonomike familjare për konsum vetjak. Indeksi llogaritet duke e përdorur strukturën e konsumit final të njësive ekonomike familjare.

Në Republikën e Kosovës, në tremujorin e katërt 2021, indeksi i tërësishëm i çmimeve u rrit për 0.6 për qind, krahasuar me tremujorin paraprak, ndërkaq krahasuar me TM4/2021 me TM4/2020, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 7.2 për qind.

Edhe në Shqipëri, sipas INSTAT-it, indeksi i çmimeve të prodhimit kishte ngritje. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2021 ishte 3,7 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 1,1 për qind. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2021, krahasuar me nëntor 2021, është 0,8 për qind. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2021 është 2,0 për qind nga 1,6 për qind që ishte në vitin 2020.

Nga raportet e publikuara nga ana e ASK-së, ngritje më të mëdha vërehen te përpunimi i produkteve ushqimore (5.6 %), e pastaj te prodhimi i pajisjeve elektrike (2.7 %). Nga ky ndikim i rritjes së çmimeve u prek edhe industria e mjeteve motorike (2.2 %), prodhimi i metaleve (1.6 %), por edhe prodhimi i pijeve pati ngritje të lehtë (1.6 %). Prodhimi produkteve kimike pati ngritje për 1.4 për qind, ndërsa energjia elektrike, gazi dhe avulli me 1.0 për qind.

Kjo rritje ka hasur në kundërshti të madhe nga ana e partive opozitare edhe e qytetarëve të vendit. Për pasojë, ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës e kishte dërguar në gjykatë kërkesën për anulim të tarifave të reja. Andaj gjykata e ka pezulluar këtë ngritje deri në një vendim përfundimtar. Ky stopim i ka irrituar tej mase shumë qytetarë që tashmë kanë paguar faturat me rritje.

Tabela1: Indeksi i çmimeve të prodhimit 2020-2021

 

Indeksi TM4-2021/ TM3-2021 TM4-2021/TM4 2020
Gjithsej IÇP 0.6 7.2
07 Nxjerrja e xehes së metalit -17.7 -5.6
08 Xeherorët dhe guroret e tjera 1.5 1.0
10 Përpunimi i produkteve ushqimore 5.6 7.3
11 Prodhimi i pijeve 1.6 1.2
15 Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës -0.1 1.0
17 Prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës -0.4 0.0
20 Prodhimi i produkteve kimike 1.4 2.6
22 Prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës -1.2 2.7
23 Prodhimi i produkteve minerale jometalike -0.7 1.6
24 Prodhimi i metaleve 1.6 13.1
25 Prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike -0.2 4.8
27 Prodhimi i pajisjeve elektrike 2.7 5.5
28 Prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t -2.5 0.4
30 Prodhimi i mjeteve motorike (të transportit). 2.2 2.1
31 Prodhimi i mobilieve -3.2 6.0
35 Energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar 1.0 16.2
36 Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë 0.0 0.7

 

Burimi: ASK

Rënia e çmimeve te nxjerrja e xehes së metalit ishte karakteristike prej -17.7 për qind. Gjithashtu, sipas burimeve, edhe prodhimi i mobilieve shënon rënie – 3.2 për qind.

 

Grafiku 1: Krahasimi i TM4/2020 dhe TM4/2021

 

Nga kjo kuptohet se prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve ishte -2.5 për qind, prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës -1.2 për qind, prodhimi i produkteve minerale jometalike -0.7 për qind; prodhimi i letrës dhe produkteve të saj -0.4 për qind; prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve -0.2 për qind; dhe prodhimi i lëkurës dhe produkteve të saj me -0.1 për qind.

 

Indeksi i kostos së ndërtimit

 

Indeksi i kostos së ndërtimit e mat ecurinë e çmimeve të: materialeve të ndërtimit, kostos së punës, makinerisë, transportit, energjisë dhe kostove të tjera që përdoren në ndërtim.

Edhe indeksi i ndërtimit, sipas ASK-së, kishte ngritje për 1.8 për qind në TM4/2021, krahasuar me tremujorin e tretë TM3/2021. Ngritja më e madhe ishte te materialet (2.3 për qind); kostot e tjera (2.1 për qind); energjia (1.0 për qind) dhe pagat (0.5 për qind). Prandaj sektori i ndërtimit po ballafaqohet me situatë jo të lehtë: në njërën anë ka mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa anën tjetër rritja e çmimeve të materialeve i ka ngadalësuar projektet e tyre.

Krahasuar me TM4/2021 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM4/2020), Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati ngritje për 16.0 për qind dhe nga ky ndikim i rritjes u rritën edhe çmimet e banesave dhe lokaleve.

Ngritja e indeksit sipas ASK-së kryesisht u vërejt te këto kategori: materialet (20.6 për qind); energjia (16.4 për qind); transporti (6.7 për qind); kostot e tjera (6.6 për qind); pagat (3.4 për qind) dhe makineritë (2.8 për qind).

 

Indeksi i Çmimeve të Importit

 

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë, nga raportet e ASK-së, shënoi ngritje për 4.9 për qind në TM4/2021, krahasuar me TM3/2021. Vërehen ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve te artikujt e gurit, llaçit, produkteve të qeramikës dhe të qelqit (19.7 për qind), pastaj druri dhe artikujt e tij (18.4 për qind), produktet minerale (16.6 për qind), vajrat ushqyese (11.3 për qind), shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve (3.2 për qind), metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (2.9 për qind), instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës (2.2 për qind); pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike 1.9 për qind, pastaj artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (1.9 për qind); produktet bimore (1.7 për qind); produktet e industrive kimike (1.1 për qind); mjetet e transportit (1.0 për qind); tekstili dhe artikujt e tekstilit (1.6 për qind); këpucët (0.9 për qind); si dhe plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (0.4 për qind).

Çmimet e importit në Kosovë patën ngritje në një mesatare prej 19.6 për qind ndërmjet TM4/2021 dhe TM4/2020. Agjencia e Statistikave ka vërejtur ngritje më të mëdha të çmimeve në sektorët e metaleve bazë dhe në artikujt e tyre (58.1 për qind), produktet minerale (53.5 për qind); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (32.7 për qind), druri dhe artikujt prej tij (29.1 për qind); vajrat ushqyese (26.1 për qind); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (20.0 për qind).

 

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK)

 

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë, në një mesatare prej 1.1 për qind në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin janar 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit: bukë dhe drithëra (0.8 për qind); mish (0.8 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (2.0 për qind); vajra dhe yndyra ushqimore (1.0 për qind); pemë (1.5 për qind); perime (9.6 për qind); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (1.4 për qind); ujë, pije joalkoolike, lëngje të pemëve dhe perimeve (1.0 për qind); veshje (0.7 për qind); pajisje shtëpiake (1.4 për qind); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (5.5 për qind); shërbime hoteliere (0.6 për qind), gjithë kjo me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.1 për qind në IHÇK, thuhet në raportet e ASK-së.

 

Grafiku.2: Ndryshimi në tremujor 2020/2021

 

Theksojmë se, sipas INSTAT, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) e mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final.

Mungesa e politikave ekonomike parandaluese është faktor kyç i cili i kontribuon situatës së inflacionit. Kështu e kemi rastin e ngritjes së vajit ushqimor, i cili ngjalli panik të qytetarët e Kosovës dhe kjo erdhi si rezultat i manipulimit nga ana e disa tregtarëve, të cilët për ta rritur panikun e blerjes, i fshehën sasitë e tyre në depo, duke i dëmtuar tej mase qytetarët konsumator.

Shteti ose inspektorati ishin ne gjumë. Vetëm pasi erdhi një reagim i fuqishëm në rrjetet sociale, atëherë edhe inspektorati ndërmori masa, por vetëm pasi që konsumatori u dëmtua me dhjetëra miliona euro.

Tregtarët të cilët manipulojnë me ngritje çmimesh në këtë situatë, duhet të parandalohen nga ana e shtetit me politika parandaluese, të cilat i sanksionojnë qartë veprimet e tilla. Kosova, pothuajse, as edhe një kilogram miell nuk e importon nga Ukraina, mirëpo kishte tendencë të rritjes së çmimit të miellit si pretekst i krizës atje.

Si politikë parandaluese ndaj rritjes së çmimeve duhet ndërmarrë disa hapa, të cilët e lehtësojnë situatën aktuale: ulja e akcizës për derivate, ulja e TVSh-së për produktet esenciale ose shportën e konsumatorit, hartimi i politikave të mirëfillta fiskale, shqyrtimii ligjeve të cilat e atakojnë sektorin e ekonomisë, parashikimi i situatave të tilla të krizës.

 

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka prekur shumë familje kosovare. Sipas ligjit, kompetenca e rritjes së energjisë elektrike bie mbi Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Mungesa e furnizimit me energji elektrike ka penguar në masë të madhe konkurrencën e ekonomisë kosovare. Pothuajse të gjitha anketat e bëra me biznese kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre. Republika e Kosovës ballafaqohet me reduktime të rrymës, përderisa qënd­ron në rezervat e treta të linjitit në Evropë.

Gjendja e tanishme është veçan­ë­risht e çuditshme duke marrë parasysh faktin se Kosova dikur ka qenë eksportuese e energjisë elektrike. Kosova mund të mos ketë resurse të naftës ose gazit natyror, por ajo ka rezerva të mëdha të linjitit – një lloj i thëngjillit që përdoret kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike.

 

 

Qeveria e Kosovës këtë muaj ka marr vendim për t’i mbështetur qytetarët e vendit me një pako ekonomike, e cila sipas kryeministrit është shpërndarje e buxhetit si shenjë mirënjohjeje, sepse qytetarët e vendit po paguajnë tatim më shumë. Për t’i dalë në ndihmë ose në ballë inflacionit aktual janë ndarë edhe mjete financiare, si:

– 100 euro shtesë për pensionistët për muajin prill. Do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit, e kështu me radhë;

– Me nga 100 euro, për herë të parë, do të mbështeten të gjithë punëtorët e sektorit privat (rreth 300 mijë punonjës);

– 100 euro shtesë do t’u ndahen edhe mbi 80 mijë zyrtarëve publikë;

– Me nga 100 euro do të mbështeten për herë të parë rreth 80 mijë studentë të Republikës;

– 40 mijë pako ushqimore për shtresat më të cenueshme të shoqërisë;

Si rezultat i mbështetjes qeveritare, nga ndihmat e shtetit do të ndihmohen rreth 800 mijë qytetarë të vendit.

Sipas raporteve zyrtare, Qeveria në muajit në vijim pritet të ndërmarrë reforma ekonomike e fiskale duke përfshirë TVSH-në, normat e tatimit në korporata, normat e tatimit ne të ardhura personale, pastaj pagën minimale etj.

Edhe buxheti i shtetit të Kosovës pritet të rritet me rastin e rishikimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës.