Inferiorë, superiorë apo të barabartë?

Inferiorë, superiorë apo të barabartë?

Nëse nuk jemi inferiorë, mos vallë jemi superiorë meqë ka në qarkullim dhe ide të cilat e shohin shqipen dhe shqiptarët si origjinën e gjuhëve dhe botës? Mos vallë jemi të vjedhur në historinë dhe kulturën tonë? E në qoftë kështu, atëherë paskemi qenë të pazotë për të mbrojtur vetveten.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Vështirësitë që përjetojmë në vendin ku jetojmë dhe mendimi se në horizont nuk po shohim ende rrezen e parë të ndryshimit, na ka kthyer në tokë pjellore për kritikën ndaj realitetit dhe hedhjen e tezave të ndryshme në tavolinën e diskutimit mbi arsyet që ende pas njëqind e dhjetë vjetësh pavarësi dhe tridhjetë e një vjetësh postkomunizëm nuk po arrijmë të ndërtojmë një shoqëri ku cilësia e jetës të jetë sipas standardeve që kërkon një qenie njerëzore për të jetuar dinjitetshëm.

Kemi përjetuar vështirësi pa fund. Kemi marrë goditje sa nga fqinjët, sa nga diplomacia e kontinentit plak, sa nga tanët që janë vënë në shërbim të interesave meskine pa pyetur mbi dëmet që i kanë sjellë dhe i sjellin zhvillimeve pozitive në këtë vend. Është një rrugëtim i gjatë dhe duhet të ishte një mundësi e madhe për të reflektuar dhe nxjerrë mjaftueshëm mësime nga e kaluara. Mesa duket analiza historike dhe filozofia e saj nuk na pëlqejnë, sepse nuk duam të shkërmoqim mitet mbi të cilat jetojmë. Sepse nuk duam që ta kapim demin prej brirësh, ngaqë na pëlqen ta bëjnë të tjerët për ne këtë.

Duke dështuar në ndërtimin e një shoqërie që e do drejtësinë, sakrifikon për të, kemi siguruar kushtet që tranzicioni drejt një sistemi të qëndrueshëm demokratik të zgjatet pa afat. Kjo e ka lodhur shoqërinë në të cilën jetojmë, e cila duke mos kuptuar drejt logjikën e historisë, pret që ndryshimi të ndodhë me shkop magjik. Proceset historike të ndryshimeve në një shoqëri të caktuar marrin kohë për të kaluar nga një stad organizmi në një stad tjetër organizimi për t’iu përgjigjur sfidave të zhvillimeve me drejtësi. Kanë nevojë për kohën e tyre. Në të kundërtën, do të vjelim frute të papjekura ose të hidhura. Për këtë nevojitet durim. Nëse nuk do të kemi durim, mund të humbim mundësi të shumta për të bërë ndryshimin e nevojshëm.

Shoqëria pret që institucionet të ndryshojnë. Që drejtësia nga e cila varet kryekëput funksionimi normal i një shoqërie të bëjë punën e vet, pa u nënshtruar ndaj korruptimit. A mund të thotë kush se e ka gabim të shpresojë që kjo ditë do të vijë? Por, para se të vijë kjo ditë, kjo shoqëri duhet t’ia drejtojë vetes disa pyetje:

Sa prej atyre që duan drejtësinë peshojnë dhe matin mangut? A quhet kjo vjedhje apo zotësi për t’ia hedhur njëri-tjetrit?

Sa prej atyre që duan drejtësinë e nënvlerësojnë kopjimin e nxënësve apo studentëve për një notë më të mirë? A nuk mësohet në këtë mënyrë nxënësi dhe studenti me vjedhjen si diçka që të ndihmon të çash para në jetë?

A nuk ushqen çdo ditë kjo shoqëri vlerësime për njerëzit që bëjnë pasuri në rrugë jo të drejtë si të suksesshëm dhe i kthen në modele reference se si duhet punuar nga rinia për të ecur para në jetë?

A nuk tallet dhe vë në lojë njeriun e drejtë, të ndërgjegjshëm dhe lavdëron mashtruesit si njerëz që dijnë ta vërtisin dhe të gjejnë zgjidhje?

A nuk gdhihet e ngryset kjo shoqëri e kënaqur me faktin që ka arritur të zhvasë me lezet përfitime të pamerituara nga vetëpjestarët e shoqërisë?

Duke qenë në këtë gjendje, është e kotë që shoqëria pret ndryshim nga institucionet, pasi institucionet marrin jetë nga njerëzit të cilët në një pjesë të konsiderueshme janë aty për arsye nga më të ndryshmet, por jo se e meritojnë. Shto këtu dhe faktin që shumë prej tyre kanë qenë mjeshtër të kopjimit dhe vjedhjes së pronës intelektuale të tjetrit. Dështimin e institucioneve për të ngritur një shoqëri të drejtë duhet ta shohim tek provimet e nxënësve dhe studentëve që do të jenë njerëzit që do të mbushin hapësirat e institucioneve. A mund të kryejmë një provim duke i lënë nxënësit dhe studentët vetëm nën mbikëqyrjen e ndërgjegjes së tyre? Përfytyroni ç’ndodhë në një klasë të tillë. Ky është matësi i drejtësisë që kërkon me ngulm shoqëria. Shumë ulërijnë për drejtësi dhe janë po këta shumë që e shkelin me të dy këmbët porsa iu jepet rasti, duke dëshmuar se ne kemi dështuar të edukojmë njerëz me ndërgjegje.

Në kushtet kur kemi dështuar me vetet, daljen nga gjendja që vetë e kemi krijuar e kërkojmë tek të huajt. Duke qenë shumë më të zhvilluar se ne, duke pasur në duar shkencën dhe teknologjinë, kemi krijuar bindjen se ne jemi inferiorë ndaj tyre dhe, për rrjedhojë, duhet të marrim modele zhvillimi nga jashtë, të cilat ne thjesht duhet t’i zbatojmë, që të përftojmë të njëjtën shkallë zhvillimi. Ne harrojmë se ndryshimi i shoqërisë nuk është eksperiment kimik, të cilin edhe kur e realizon një budalla, edhe kur e realizon vetë shkencëtari, jep të njëjtin rezultat. Shoqëria ka ligjësi të tjera. Nuk mundet një model zhvillimi i zbatuar në një shoqëri me kushte të tjera, rrethana të tjera, mendësi tjetër, të japë të njëjtat frute edhe në vendin tonë. Harrojmë se sado model perfekt zhvillimi të jetë, po nuk pati drejtësi në mes, vlera e tij zerohet. Nuk kemi pse të ndihemi inferiorë as në rrafshin e kulturës. Sakatimi kulturor që plasoi diktatura enveriste natyrisht që kërkon kohë të zhbëhet. Në këtë proces nuk duhet të hidhemi në anën e kundërt, duke humbur çdo vlerë e traditë të mirë që kemi pasur ndër shekuj. Prej të huajve të marrim më të mirën, më të vlefshmen.

Nëse nuk jemi inferiorë, mos vallë jemi superiorë meqë ka në qarkullim dhe ide të cilat e shohin shqipen dhe shqiptarët si origjinën e gjuhëve dhe botës? Mos vallë jemi të vjedhur në historinë dhe kulturën tonë? E në qoftë kështu, atëherë paskemi qenë të pazotë për ta mbrojtur vetveten. Në mos qoftë kështu dhe gjasat që të jetë kështu, kështu janë, atëherë kush na pengon të jemi të drejtë, të duam njëri-tjetrin dhe t’ia japim dorën njëri-tjetrit për ta ndihmuar atë që është në një nivel më të ulët për t’u ngritur në një nivel më të lartë. Ajo që na pengon është ligësia dhe smira e një shumice që nuk e duron dot suksesin e tjetrit. Dhe, për këtë nuk na e kanë fajin të huajt. Historitë me superiorë të vjedhur nuk duhet të ushqejnë mendjen e rinisë. Superioriteti nuk qëndron në përkatësinë racore, kombëtare, fetare, gjeografike. Superioriteti qëndron tek virtytet në rrafshin individual dhe tek gjykimi me drejtësi në rrafshin shtetëror. Mbërritja këtu bëhet me punë, përkushtim, profesionalizëm dhe çlirim nga ligësia e smira.

Inferiorë nuk jemi. Superiorë nuk jemi. Atëherë jemi të barabartë. Qenie njerëzore jemi ne, qenie njerëzore janë ata. Nëse ata kanë ndërtuar kulturë dhe institucione që i respektojnë, ligje që u binden, respekt dhe vlerësim ndaj njeriut të punës, çfarë na pengon neve në këtë mes?