` . Implikimet dhe konsekuencat kushtetuese të ndryshimit të kufijve - TV SHENJA

Implikimet dhe konsekuencat kushtetuese të ndryshimit të kufijve

Duhet vënë theksin në domosdonë e të qenët realist në problemin e zvarritur shqiptaro-serb. Shkëputja e Veriut të Kosovës per se me arsyetimin që aktualisht banohet nga shumica me banorë serbë mund të shihet si përpjekje për zgjidhje të problemit, gjithmonë me supozimin se ajo pjesë është gangrenë për trupin e shtetit kosovar. Megjithatë, ky do të ishte veçse një shpjegim koniunktural.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Po të merret si e mirëqenë teza e ravijëzimit të kufijve në baza etnike, pashmangshëm do të lindin edhe tematika të tjera të ndërlidhura. Në të gjitha veprimet që ndodhin në emër të shtetit dhe për shtetin, ana juridike e çështjes përbën njërën anë të përhershme të medaljes.

Diskutimet në opinionin publik kosovar për shkëmbime territoriale që patën marrë hov vite më parë e që ishin mbështetur edhe nga disa figura të fuqishme të skenës politike vendore e ndërkombëtare, sikur u patën zbehur kohët e fundit. Por, një dokument “non-paper”, i publikuar në muajin prill të vitit 2021, zgjoi rishtas polemikat për raportet Kosovë-Serbi. Dokumentet “non-paper” në diplomaci përdoren për korrespodencat jozyrtare midis zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe shërbejnë për punë të caktuara në nivel ndërkombëtar. Zakonisht, në procese ndërkombëtare, “non-paper”-ët i paraprijnë formalizimit të marrëveshjeve të mëvonshme.

Përkundër të gjithave, në interes të të gjithë qytetarëve dhe të vetë shtetit të Kosovës është fati i shtetit dhe shoqërisë së ndërtuar sipas parametrave pluralistë në rast se ndodh vizatimi i kufijve në baza etnike.

Afërmendsh, një nismë e tillë mund të kishte efekt domino në Ballkan: Maqedonia e Veriut e ndarë në baza identitare; Sanxhaku e Vojvodina, të pakënaqur me statusin brenda Serbisë; Lugina e Preshevës, e pashpresë nën Serbi; Bosnjë-Hercegovina, gati tërësisht jofunksionale… Duket sheshit se loja me kufijtë nuk mbaron me një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës e Serbisë.

 

Koncepti i multietnicitetit

 

Të gjitha kushtetutat e shteteve ballkanike, kush më shumë e kush më pak, përmbajnë dispozita përkitazi me garantimin e të drejtave të caktuara të pakicave etnike. Për shkak të sistemit federalist, Bosnjë-Hercegovina i ka specifikat e veta. Por, duke qenë shtet unitar, Kosova përbën një shembull sui generis për garancitë kushtetuese të komuniteteve dhe, shih për këtë, meriton një vëmendje të shtuar.

Qysh në nenin e parë të Kushtetutës, ku përkufizohet vetë shteti, potencohet që“Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj“. Në linjë me këtë dispozitë, afirmohet se Republika e Kosovës është “shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera…“ (neni 3/1). Këtu nxjerrim disa konkluzione.

Para së gjithash, Kosova ka karakter të shtetit qytetar dhe jo të një shteti kombëtar. Kjo përkatësi qytetarie konkretizohet juridikisht me shtetësinë, e cila është marrëdhënie juridike midis shtetit dhe personit fizik. Me krijimin e këtij raporti përvijohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve që garantohen nga shteti dhe që mund të ushtrohen nga qytetari. Duhet theksuar se të drejtën e shtetësisë në Kosovë e gëzojnë të gjithë banorët e ligjshëm të Kosovës në datën e miratimit të Kushtetutës (viti 2008), si dhe të gjithë qytetarët e ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën 1 janar 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, pavarësisht vendbanimit të tyre dhe shtetësisë që ata kanë aktualisht (neni 155).

Elementi tjetër, multietniciteti, përcakton një parametër të veçantë të identitetit shtetëror. Kësisoj, Kosova nuk cilësohet shtet vetëm i shqiptarëve, por i të gjithë banorëve të saj, pa marrë parasysh të dhënat demografike.

Madje, Kushtetuta e Kosovës tregon ndjeshmëri aq të lartë, saqë komuniteteve joshqiptare nuk u referohet me termin “pakicë”, porse për këta e përdor termin “joshumicë” (non-majority).

 

Implikimet kushtetuese të ndryshimit të territorit

 

Territori është njëri ndër tri elementet themelore të shtetit. Ndryshimi i territorit prodhon efekte faktike-gjeografike, por edhe juridike-kushtetuese e ndërkombëtare. Prandaj delimitimet dhe demarkacionet e kufijve u nënshtrohen rregullave të caktuara procedurale për të marrë karakterin juridiko-formal. Krahas të drejtës ndërkombëtare, edhe e drejta e brendshme e një shteti mund të vërë rregulla shtesë në këtë segment. Apriori, Kushtetuta e Kosovës përcakton se shteti është i pandashëm (neni 1/1). Kjo ngërthen më vete principin e pacenueshmërisë së kufijve. Dhe, në qoftë se ndërmerret ndonjë nismë për ndryshim kufijsh, parashihet procedurë jo e lehtë. Kështu, Kuvendi me shumicë të cilësuar (2/3) të të gjithë deputetëve duhet të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare që kanë për objekt territorin e shtetit (neni 18/1). Prej këtij kuadri juridik kuptojmë se, sipas Kushtetutës, çdo pëllëmbë e territorit shtetëror bën pjesë në mënyrë të pandashme me rendin kushtetues.

Kushtetuta shkon edhe më larg dhe nënvizon expressis verbis që “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” (neni 1/3). S’do mend se me anë të kësaj dispozite, kushtetutëvënësi (kushdo që të ketë qenë realisht: vendor a i huaj) ka synuar pamundësimin e bashkimit të thjeshtë të Kosovës me Shqipërinë dhe/ose me Luginën e Preshevës. I njëjti argument mund të merret parasysh edhe për dhënien e Veriut të Kosovës, Serbisë.

Kjo dëfton që edhe po të ketë vullnet politik për një marrëveshje të shkëmbimit territorial, duhet të bëhen ndryshime kushtetuese dhe dihet se çfarë procesi i vështirë është amendamentimi i një kushtetute tejet të ngurtë si puna e Kushtetutës kosovare. Sidoqoftë, kjo ka të bëjë me konsensusin politik dhe sigurisht asistimin e faktorit ndërkombëtar.

 

Konsekuencat konceptuale dhe juridike

 

Në botën bashkëkohore, ku globalizmi ka pushtuar gjithçka, ka evoluar edhe koncepti për shteteve kombëtare. Sot nuk flitet për asnjë shtet në të cilin jetojnë vetëm individë të etnisë autoktone. Për këtë arsye, në literaturë pohohet që shtetësia ka zëvendësuar etninë. Pavarësisht identitetit etnik, individi mund ta fitojë shtetësinë e një vendi tjetër. Aq më tepër, kur ka tendenca të përafrimit sa më të madh të popujve dhe krijimit të identiteteve të përbashkëta, sikurse është ai i qytetarit evropian, bazuar në shtetësinë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Që këtej, shkëmbimi i territoreve në bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve domosdo përçon precedent gjetiu, e veçmas në Ballkan, si një arenë e konflikteve etnike edhe në të kaluarën jo të largët.

Tëndalemi tek teza e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë.

Nëse ndodh një gjë e tillë, Kosova duhet ta ndryshojë në mënyrë drastike kushtetutën dhe një varg ligjesh që ndërlidhen në një formë a tjetrën me të drejtat e komunitetit serb ose të hartojë një kushtetutë fare të re. Pse kështu?

Fillimisht, ngase pritet të zvogëlohet prezenca e popullatës serbe në Kosovë. Nëse shkëputen tri ose katër komunat veriore, ku në masë të madhe jetojnë serbët, atëherë do të bjerë dukshëm numri i serbëve. Ndërkaq, zaten të drejtat e serbëve janë të pashembullta dhe të avancuara përtej standardeve ndërkombëtare për pakicat, por me zvogëlimin e mëtejshëm të qytetarëve serbë në Kosovë, këto të drejta do të jenë qartazi joproporcionale, të padrejta e jo të arsyetueshme as në kontekst kushtetues. Pra, një komunitet me disa mijëra banorë do të vazhdonte të mbante peng çfarëdo ndryshimi kushtetues dhe këtë do ta bënte pas një marrëveshjeje me të cilën janë shkëmbyer territoret pikërisht për shkak të përkatësisë etnike të njerëzve! Ose, ta zëmë, pse do të duhej të vazhdonte garantimi i dhjetë ulëseve të deputetëve serbëve të Kosovës kur ai mund të pakësohet duke u krahasuar me komunitetet e tjera? Nga këtu dalin plot hollësi të tjera. Përgjithësisht, vijimi i njëjtë i kësaj situate non sens do ta zgjaste paralizimin e shtetit të Kosovës, por tashmë pas një operacioni gjymtimi të territorit.

Natyrisht se edhe në një rast të shkëmbimit territorial, komuniteti serb i mbetur do të rezervonte të drejta në Kosovë. Mirëpo, kjo do të duhej të rregullohej sipas standardeve të përhapura ndërkombëtare dhe në proporcion me komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë. Ngaqë, nuk duhet harruar se në rendin kushtetues në fuqi, serbët janë të privilegjuar dyfish me të drejta shtesë: edhe kundrejt shqiptarëve si shumicë, edhe kundrejt komuniteteve të tjera në Kosovë.

Përpos kësaj, do të aktualizohej sërish çështja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nga kjo do të derivonin një mori problemesh të reja, si: rinegociimi eventual i çështjes në Bruksel, pasojat juridike të marrëveshjeve të mëparshme, efektet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, veçoritë juridike (të drejtat e kompetencat) të Asociacionit, etj., e – mbi të gjitha – vetë arsyeja e krijimit të një organizmi të tillë brenda Kosovës pas ndarjes së disa komunave me shumicë serbe.

Shkëmbimi i territoreve do t’i kthente në pikën zero mjaft sfera kushtetuese. Për ironi, do të duhej të dizajnohej prapë flamuri i Kosovës, meqë harta e gjendur në të do të tjetërsohej.

Po ashtu, ky veprim do të çonte në humbjen e arsyes së përjetësimit të mëtejmë të konceptit të shoqërisë shumetnike në kurriz të shumicës, me një fjalë të demokracisë konsociacionale, çfarë e ka Kosova.

Në një këndvështrim shfaqet edhe mosbesimi për projektin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Kështu, jo për faktin se shkëmbehet një pjesë e caktuar e territorit se – fundja – ravijëzimi i kufijve ndodh kudo në botë kur merren vesh shtetet, por sepse ka të ngjarë që kjo të jetësohet pa njohjen paraprake nga Serbia dhe pa u anëtarësuar Kosova në OKB dhe BE. Domethënë, Kosova nuk do të ishte as subjekt i barabartë me Serbinë, kur do ta bënte shkëmbimin.

Gjithashtu, hapja e rrugës në aspektin juridik të bashkimit me pjesë të shteteve të tjera, potencialisht, mund të shpinte në bashkimin e tërësishëm të Kosovës me Shqipërinë. Kjo analizë nuk e ka në fokus komentimin e dëshirës ose vullnetit politik për bashkim, por enkas konsekuencat juridike.

Së këndejmi, shikuar me optikën juridike, bashkimi i mundshëm me Shqipërinë, do të kishte për pasojë zhbërjen e Republikës së Kosovës. Në rast të ruajtjes së trajtës unitare të shtetit, Kosova do të shndërrohej në nocion gjeografik për ta përshkruar pjesën veriore të shtetit kombëtar shqiptar. Ndërkaq në rast të krijimit të një federate mes Shqipërisë e Kosovës, Kosova do të ishte “republikë” vetëm brenda kufijve të shtetit federal. Kjo nënkupton që në të dyja opsionet e bashkimit, Kosova nuk do ta gëzonte statusin e një shteti të njohur ndërkombëtarisht dhe as nuk do të konsiderohej subjekt sovran për pjesëmarrje në zhvillimet ndërkombëtare.

 

Pikëpamja realiste ndaj problemit

 

Duhet vënë theksin në domosdonë e të qenët realist në problemin e zvarritur shqiptaro-serb.

Shkëputja e Veriut të Kosovës per se me arsyetimin që aktualisht banohet nga shumica me banorë serbë mund të shihet si përpjekje për zgjidhje të problemit, gjithmonë me supozimin se ajo pjesë është gangrenë për trupin e shtetit kosovar. Megjithatë, ky do të ishte veçse një shpjegim koniunktural. Ngatërresa në fjalë është më e thellë sesa për disa dhjetëra kilometra katrorë. Andaj nuk gjen rrugëdalje me improvizime kufijsh. Po të ishte ashtu, bashkësia ndërkombëtare do ta përgatiste fondamentin për këtë qysh moti dhe deri më tani shkëmbimi territorial do të kujtohej mbase si fakt historik.

Rrafshi ideologjik i serbëve mbi Kosovën si “djep i Serbisë”, shenjtërimi (!) i kishave dhe manastireve në Kosovë, projekti nacionalist “Načertanije” që nga viti 1844, mosdistancimi nga agresionet e së kaluarës, përfshirja e “Kosovës dhe Metohisë” si pjesë integrale e shtetit në Kushtetutën e Serbisë (Preambula dhe neni 114) etj., shpalosin mjaftueshëm të vërtetën që Serbia nuk e ka hallin vetëm tek pjesa veriore e Kosovës. Të besuarit kësisoj është naivitet politik dhe injorancë ndaj historisë së këtij gadishulli.