Idlib, fëmijët e amputuar mësojnë notin

Idlib, fëmijët e amputuar mësojnë notin

Fëmijët që u amputuan si rezultat i sulmeve të regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësve të tij në Idlib të Sirisë, në një qendër të veçantë mësojnë të notojnë dhe sfidojnë aftësitë e tyre fizike dhe kushtet e luftës civile.

Dhjetëra mijëra fëmijë sirianë u amputuan në sulmet ajrore dhe tokësore të organizuara nga regjimi i Asadit dhe mbështetësi i tij Rusia.

Shumica e fëmijëve që jetojnë në kushte të vështira nuk marrin asnjë mbështetje rehabilituese.

Qendra Edukative “Hutva”, e cila u hap për fëmijët e amputuar në Idlib, synon t’u mësojë fëmijëve dhe të rinjve notin, turqishten, arabishten dhe anglishten, në mënyrë që ata të integrohen në shoqëri.

Abdulvahid Naqir, i cili u plagos në sulmin e kryer nga regjimi i Asadit 4 vjet më parë dhe ka 35 vite përvojë kërkim-shpëtimi nënujor, u mëson notin fëmijëve të amputuar.

“Ndoshta do të jenë kandidatë kampionë në të ardhmen”

Naqir në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se ka marrë trajtim shëndetësor në Türkiye pasi u plagos në sulmin e regjimit të Asadit.

Duke thënë se shoqëria injoron fëmijët e amputuar, Naqir tha se ai u ofron stërvitje noti fëmijëve me atrofi të trurit dhe fëmijëve që nuk shohin.

“Ka një sekret të çuditshëm në ujë. Ai shëron njerëzit. Unë kujdesesha për fëmijët me nevoja të veçanta. Karakteristikat që njerëzit normal nuk i kanë, mund t’i gjejmë tek personat e amputuar. Këta fëmijë janë shumë të vendosur dhe kanë vullnet të lartë. Nëse këta fëmijë braktisen, ndoshta do të bëhen lypsarë. Tani ndoshta do të jenë kandidatë për kampionë në të ardhmen”, tha Naqir.

Duke kujtuar se fëmijët e amputuar meritojnë respekt, Naqir tha: “Ne së bashku mund të ndryshojmë këndvështrimin e shoqërisë për këta njerëz”.

Naqir deklaroi se pavarësisht pajisjeve dhe mangësive financiare, ai ndihet i suksesshëm sepse u ofron fëmijëve një shpresë të re për jetën.

“Mësuam të notojmë, të gjithë u bëmë të fortë”

Ahmet Es Sebi, 12-vjeçar i cili humbi krahun e djathtë në sulmin e organizuar nga regjimi i Asadit në Idlib në vitin 2015, tha se ai mësoi shkrim e lexim në turqisht, arabisht dhe anglisht.

Duke thënë se i pëlqente të mësonte të notonte me shokët e tij dhe se përpiqej të mësonte të shkruante me krahun e majtë në shkollë, Ahmet tha: “Unë do të bëhem mjek kur të rritem për të shëruar njerëzit. Më pëlqen të luaj me shokët e mi. Ne mësuam të notojmë dhe të gjithë u bëmë më të fortë”.

9-vjeçari Ibrahim Shahhud, i cili humbi krahun e majtë në një sulm ajror në dyqanin e babait të tij në vitin 2016 nga regjimi i Asadit, tha se ai mësoi arabisht, matematikë dhe biologji në shkollë.

“Ne po mësojmë të notojmë me miqtë e mi këtu. Ne edhe po mësojmë dhe po argëtohemi. Kur të rritem, do të bëhem mjek”, tha Shahhud.