` . Ideologjia e sakralizimit të kombit dhe serbizimit të fesë - TV SHENJA

Ideologjia e sakralizimit të kombit dhe serbizimit të fesë

Pavarësisht paketimit që i bëhet mitit të Kosovës, ai nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat religjioze në të cilat thirren ideologët dhe klerikët serbë. Paralelja ndërmjet këtij miti dhe religjionit është e pamundur, për sa kohë që miti mbi Kosovën bazohet në hakmarrje. Llazari nuk ngjan me Krishtin, siç paraqitet nga autorët dhe klerikët serbë, sepse është model i hakmarrjes.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Shënsavizmi (svetosavlje) është një ideologji që e sakralizon kombin, historinë dhe kulturën serbe dhe, njëkohësisht, e kombëtarizon fenë. Kisha Ortodokse Serbe, krahas shënsavizmit, e afirmon mitin mbi Betejën e Kosovës. Një betejë për të cilën historia flet shumë pak, kurse gjithçka tjetër është mitologji dhe sajim.

Ideologjia nacionaliste serbe e ka mbiçmuar këtë betejë dhe e ka paketuar si “vendimtare” jo vetëm për serbët, por edhe për Europën.

Paraprakisht, një figurë qendrore në eposin serb ishte Marko Kraleviqi. Pasi ai kishte qenë vasal i osmanëve, ishte përjashtuar prej projektit nacionalist serb.

Mbreti Marko nuk ishte i denjë për “luftën shekullore”, prandaj mbeti në epos që t’i vazhdonte betejat me Musa Kesexhinë / Arbanasin.

 

Miti mbi Serbinë qiellore

 

Elita serbe, sipas historianit Noel Malcolm, huazoi elemente prej traditës epike mbi Kosovën dhe e krijoi ideologjinë kombëtare serbe. Kjo ideologji kishte dhe e ka si qëllim parësor krijimin e Serbisë së Madhe.

Pavarësisht paketimit që i bëhet mitit të Kosovës, ai nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat religjioze në të cilat thirren ideologët dhe klerikët serbë.

Paralelja ndërmjet këtij miti dhe religjionit është e pamundur, për sa kohë që miti mbi Kosovën bazohet në hakmarrje. Llazari nuk ngjan me Krishtin, siç paraqitet nga autorët dhe klerikët serbë, sepse është model i hakmarrjes.

Përderisa Krishti ishte flijuar për “mbretërinë qiellore”, sipas ideologjisë serbe, Llazari paraqitet si i flijuar për “Serbinë qiellore”. Që të sajohej një figurë e ngjashme me Krishtin, duhej të shpikej Juda. Dhe, Juda në këtë rast ishte Vuk Brankoviqi.

Beteja e Kosovës dhe shënsavizmi janë temat dominuese në diskursin publik në Serbi. Shënsavizmi, si ideologji nacionaliste, bazohet në misionin e Rastko Nemanjiqit (1174 – 1236), një prijës dhe murg mesjetar, që serbët e nderojnë si themelues të Kishës Serbe dhe e marrin si shenjtor.

I ripagëzuari si Sava (Sabbas) ishte i biri i Stefan Nemanjës, që po ashtu përfundoi si murg.  Stefan Nemanja e kishte titullin “zhupan i madh” dhe njihet për ofensivat plaçkitëse dhe terrorizuese, që ndërmori kundër qyteteve mesjetare, duke shkatërruar Leshkën, Gradecin dhe qytete tjera, kurse më pas aty i dogji “librat heretikë”. Këtë e bën të ditur djali i tij, Stefani, i Kurorëzuari i Parë, i cili ishte në konflikt me vëllain e tij Rastkon apo Savën.  Rastko, i quajtur prej një historiani si “organizator i vrasjeve politike”, nuk ishte pajtuar që vëllai ishte kurorëzuar si mbret nga Papa.  Stefani i Kurorëzuari i Parë ishte vjehrri i fisnikut shqiptar Dhimitër Progoni, i martuar me Komnena Nemanjiqin.

Kulti i Shën Savës u krijua vonë te serbët, nëpërmjet legjendave të ndryshme. Kultit iu ndërthur edhe miti mbi Kosovën si “tokë e shenjtë serbe”, kurse betejës së vitit 1389 iu dha rëndësia që nuk e pati.

Elitat serbe shprehën urrejtje kundër shqiptarëve edhe nëpërmjet Shën Savës. Historiografia serbe e theksoi se veziri i madh me origjinë shqiptare, Koxha Sinan Pasha, i kishe djegur reliktet e Shën Savës, si shenjë hakmarrjeje pas një rebelimit serb në Banat.

 

Dekonstruktimi i shënsavizmit 

 

Ideologjinë e shënsavizmit tenton ta dekonstruktojë Lav Lajoviqi, nëpërmjet librit Herezia e mitit të Kosovës. Shënsavizmi, sipas tij, është “ortodoksi sipas terkut serb“. Shënsavizmi, si serbizim i fesë lindi në vitet e ’30-ta të shekullit XX dhe u formësua prej Nikolaj Velimiroviqit (1880-1956), kurse më pas u afirmua nga mitropoliti Amfilohije Radoviq dhe Atanasije Jevtiq. Klerikët e ndërthurën konceptin politiko-religjioz të shënsavizmit në teologjinë ortodokse, kurse Kishën Ortodokse Serbe e shndërruan në qendër të nacionalizmit serb.

Lajoviqi ia përmend Velimiroviqit antisemitizmin dhe antieuropianizmin, gjegjësisht moton e tij se “nacionalizmi pa fe është anomali dhe mekanizëm i ftohtë dhe i pasigurt“. Velimiroviqi ishte kundër vlerave perëndimore. Europën e konsideronte si të keqen më të madhe dhe e përçmonte shpirtin, kulturën dhe shkencën evropiane.

Shënsavizmi ishte kundërshtuar edhe nga politikani malazez, SekulaDërleviqi (1884 – 1945), i vrarë prej çetnikëve serbë. Dërleviqi e afirmoi nacionalizmin e ri malazez me emrin “crnogoroslavlje” – si kundërvënie ndaj shënsavizmit. Ai theksonte se feja e serbëve nuk ishte ortodoksi, por shënsavizëm (fe dhe kishë ekskluzivisht serbe), prandaj, sipas tij, kisha serbe dhe malazeze nuk mund të bëheshin bashkë, kjo edhe për shkakun se kisha serbe nuk i pranonte si shenjtorë priftërinjtë malazezë.

Dërleviqi, në pamfletin Kush janë serbët, e akuzoi politikën agresive serbe si shkaktaren e të gjithë problemeve në Ballkan, madje e ofendoi popullin serb.  Në librin tjetër, Konfliktet ballkanike 1905-1941 (1944), ai shkruan se raca malazeze dallonte nga raca serbe.

Racat janë bashkësi gjaku, kurse popujt janë krijesa historike. Populli malazez, për nga gjuha, i takon bashkësisë sllave, por sipas gjakut u përket grupeve që njihen si popuj dinarikë. Këta popuj, sipas shkencës bashkëkohore mbi racat evropiane, janë pasardhës të ilirëve, të cilët morën gjuhën prej racave tjera, por e braktisën emrin e tyre ilir. Megjithatë, gjaku ilir, në unitet me gjendjen gjeopolitike dhe historike, mbeti krijues i kulturës së tyre. Së këndejmi, ekziston jo vetëm afërsia dhe uniteti me disa forma kulturore të popujve dinarikë, duke filluar nga shqiptarët e deri te banorët e Tirolit Jugor, që janë ilirë të gjermanizuar”, shkruan ai. (f. 163)

 

Pamundësia e katarsës

 

Kisha Ortodokse Serbe, që e ka stimuluar nacionalizmin dhe e ka sakralizuar të kaluarën historike, vazhdon të jetë udhërrëfyese e organizimit shoqëror, shtetëror, etnik e kulturor në Serbi. Partitë politike veprojnë sipas ideologjisë së afirmuar nga ajo. Të prirë prej kësaj logjike, priftërinjtë serbë i bekuan kriminelët e luftës dhe i krahasuan me heronjtë e Betejës së Kosovës.

Gjatë viteve të ‘90-ta kisha ishte bërë megafon në shërbim të Millosheviqit dhe politikës shoviniste serbe. Edhe kur iu kundërvu atij, këtë e bëri sepse nuk ishte e bindur që do ta realizonte projektin shovinist.

Antropologu, Ivan Çoloviq, thotë se aleanca e Millosheviqit me Kishën Ortodokse Serbe, Akademinë Serbe të Arteve dhe Shkencave, Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë dhe Universitetin, kishte zgjatur pak.  “Millosheviqi e huazoi prej tyre programin për “mbrojtjen e serbëve”, e përvetësoi simbolin “Kosovë”, që e kishin renovuar dhe e kishin kthyer në skenën politike si “qendër simbolike e Serbisë” dhe si “zemër” të saj. Kjo i ndihmoi Millosheviqit ta forconte pushtetin, e pastaj nuk i nevojiteshin ideologët e nacionalizmit në kishën dhe kulturën serbe. E mbajti ideologjinë dhe u çlirua nga ideologët, pa u frikësuar se do të zhgënjeheshin, hidhëroheshin dhe do të ishin kundër tij“. Millosheviqit, thotë ai, i duhej një opozitë e bashkëmendimtarëve të pakënaqur. Pra, i duheshin të njëjtët e ndryshëm ose të ndryshmit e njëjtë.

Patriarku i ri ka e të njëjtin qëndrim si paraardhësit e tij. Në paraqitjen e parë ai tha se do të vazhdonte me të njëjtën ideologji. Ai shtoi se “Kosova ishte ungjilli i tyre”, “djep i kulturës serbe”, “thelbi i identitetit serb”, “Kosova ishte brenda serbëve”. Nuk harroi të thirrej edhe në “martirët e kishës”.

Serbia, zyrtarisht, vazhdon të jetë shtet shekullar, por ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe, si simbol i etnicitetit dhe ultranacionalizmit, është vendimtar. Kjo shoqëri nuk mund të përjetojë katarsë pa u çliruar nga kjo ideologji dhe pa u përballur me të zitë e zemrës së saj, siç thotë Shekspiri.