` . Ibadeti/adhurimi si estetikë apo estetika si adhurim - TV SHENJA

Ibadeti/adhurimi si estetikë apo estetika si adhurim

Një vepër arti mund të bashkojë në vetvete elementet ose tiparet e kategorive të ndryshme estetike, ndërsa në të mbizotëron një kategori estetike. Arti islam e ka karakteristikën e së bukurës, por në të mbizotëron kategoria e të madhërishmes.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Aftësi konstituive e njeriut është të ndihet bukur dhe të gëzohet me të bukurën. Lënda e estetikës është kuptimi real i vendit dhe vlerës së bukurisë. Teoricienët e parë paralajmërojnë se aty ku flitet për estetikë, ka unitet në larmi, ritëm, simetri, harmoni të pjesëve të të bukurës. Sot çështja e estetikës është shumë më e komplikuar dhe më e thellë. Çështja e bukurisë nuk është vetëm në fushën e artit, filozofisë, psikologjisë, por edhe në fe dhe metafizikë, ku ndjehen me theks të veçantë.

Nocioni islamik i të bukurës është i lidhur ngushtë me zbulesën hyjnore dhe traditën pejgamberike. Koncepti i Islamit sjell në përmasën njerëzore një histori ndryshimi në gjithçka si rrjedhojë edhe në kuptimin e së bukurës pa e mohuar atë që është thënë më parë. Në të njëjtën kohë e solli edhe gëzimin që ndjen njeriu në takimin me të bukurën si simetri, ritëm dhe unitet, që janë përshfaqje të Krijuesit. Islami e bëri të mundur një njohje më të suksesshme të gradave të bukurisë ose, më mirë thëne, një shpjegim të procesit të njohjes sonë të së bukurës. Kur’ani dhe tradita konstituive pejgamberike tregon se prapa unitetit, simetrisë, ritmit të jashtëm, qëndron realiteti i lirisë së shpirtit si realiteti i fundit, i cili nuk është një botë me ide të vendosura ose të përjetshme, siç mësuan Platoni dhe ndjekësit e tij, por është bota e lirisë shpirtërore dhe uniteti me Krijuesin. Madje, edhe bota e mendimit, si bazë e çdo detaji, çdo vepre, të çdo veprimtarie, thelbin, përsëri e ka, në lirinë e shpirtit. Ky kuptim i ri i bukurisë ka filluar të formohet në të njëjtën hapësirë metafizike mbi të cilën formohet edhe adhurimi në Islam. Ky është terreni në të cilin ka edhe një luftë për abstragimin, përmes së cilës lindi një filozofi e re e artit.

Në estetikën islame kategori dominuese estetike është e madhërishmja, sublimja. Njëlloj edhe te ibadeti/adhurimi kategori dominuese është përjetimi i të madhërishmes. Me “të madhërishme” nënkuptohet bukuria e brendshme ose shpirtërore dhe me “të bukur” nënkuptohet bukuria e jashtme ose trupore. Të dyja karakterizohen nga i njëjti tipar adhurues: thjeshtësia, masa, qartësia, harmonia dhe të ngjashme. Bukuria shpirtërore është e ndryshme nga ajo fizike, kjo nga fakti se ajo i përket një fushe më të lartë të të qenit, në krahasim me bukurinë trupore. Sipas mënyrës së shprehjes së Platonit, bukuria shpirtërore përket në sferën e realiteteve të kuptueshme ose qenies së vërtetë, ndërsa bukuria trupore i përket sferës së realiteteve shqisore ose të perceptueshme.

E madhërishmja është kategoria mbizotëruese estetike në kontekstin mysliman, e cila shpreh idetë dhe përvojat themelore të shoqërisë myslimane. Ajo mund të kuptohet më lehtë nëse e krahasojmë me “të bukurën”. Dallimi midis të bukurës dhe të madhërishmes mund të shpjegohet së pari duke përshkruar cilësitë bazë të së bukurës dhe të madhërishmes. Nëse i analizojmë kontekstet islame në lidhje me të madhërishmen dhe të bukurën, bëhet e qartë se në kategorinë e të bukurës kryesisht ka formë, masë, qëndrueshmëri, cilësi, sintezë, ndërsa në kategorinë e të madhërishmes ka paformë, pafundësi, metakompozim.

Duke pasur parasysh reagimin e soditësit, e bukura ngjall një ndjenjë kënaqësie, ndërsa e madhërishmja një ndjenjë më të lartë të mahnitjes dhe fascinimit. E bukura vepron më shumë në anën intelektuale të njeriut, ndërsa e madhërishmja ndikon më shumë në anën emocionale. E bukura e udhëheq soditësin në botën e jashtme, ndërsa e madhërishmja në thellësitë e botës së brendshme.

Adhurimi dhe arti

Një vepër arti mund të bashkojë në vetvete elementet ose tiparet e kategorive të ndryshme estetike, ndërsa në të mbizotëron një kategori estetike. Arti islam e ka karakteristikën e së bukurës, por në të mbizotëron kategoria e të madhërishmes. Dallimi midis bukurisë së brendshme, shpirtërore, dhe asaj të jashtme, bukurisë lëndore, është pjesë diskutimi në shumë libra fetarë, filozofikë dhe artistikë në historinë e mendimit islam. Nëse e krahasojmë theksimin e bukurisë shpirtërore ose sublimes dhe bukurisë lëndore – ndërsa arti islam ka për qëllim të shprehë sublimen dhe ta bëjë atë mbizotëruese – atëherë lirisht mund të themi arti islam, në këtë çështje, ia ka tejkaluar edhe antikitetit edhe renesancës.

Adhurimi dhe arti në shoqërinë myslimane janë vetëm dy terma të ndryshëm të së njëjtës jetë, kështu që njëri flet për misterin e artit në origjinën e vet, ndërsa adhurimi për misterin e fesë brenda natyrës së njeriut. Arti shihet, gjithashtu, si pjesë e ambientit të adhurimit, sepse ngjyra që kuptohet si dritë e materializuar, është mjeti me të cilin faltorja e vatërzon tërë sistemin metaforik të parimeve bazike fetare. Arti figurativ mysliman është art që nuk dëshiron të jetë gjemb në sy, sepse është plotësisht dhe funksionalisht i integruar në besimin dhe adhurimin. Ai është një pjesë integrale e besimit dhe nuk mund të ketë ndonjë qëllim jashtë tij. Karakteri dhe domethënia e tij është në varësi të plotë nga besimi dhe adhurimi.

Arti mysliman nuk ka epiqendër psikologjike, por ontologjike. Për të është real vetëm përshfaqja e identitetit parazënafillor. Ai nuk krijon një imazh nga vetvetja, por vetëm e heq atë që e mbulon karakterin që tashmë ekziston. Ai nuk hedh ngjyra në pëlhurë, por – në një mënyrë – i pastron shtresat e realitetit shpirtëror. Dhe, në këtë veprim të tij duket se soditësit ose artistit ia hap sytë në drejtim të të pakushtëzuarës; artisti mysliman është i pakushtëzuar në artin e tij. Është interesante se në parimet e estetikës islame vepra artistike përshtatet më së miri me harmoninë ose strukturën e zemrës njerëzore. Përqëndrimi në barazinë e “veprës, artistit dhe soditësit” (gjë që theksohet veçanërisht në arkitekturën islame) dhe krahasimi i kësaj nga struktura e zemrës njerëzore, e cila është gjithashtu e trefishtë, sepse njeriu ka tre kategori të mendimit (konceptin, gjykimin dhe ndjesinë), garantojnë unitetin e jetës, sepse burimi i jetës, si do që të shfaqet, është një, një është parimi jetëdhënës.

Realiteti i spiritualitetit të hapësirës në artin islam është në koordinim të plotë me konceptin e adhurimit dhe dallohet rrënjësisht nga koncepti antik dhe bizantin. Hapësira e objektit islam është e stërmbushur me dritë dhe reflektim të ngjyrave në hapësirën e zbrazur. Ky reflektim i joshë adhuruesit në çastin e përjetimit të adhurimit. Brenda kësaj strukture të re lind një kuptim i ri i hapësirës ose një perspektivë në të cilën ajo që shihet nuk shihet “përmes dritares ”, por si diçka e vërtetë, e cila është e pranishme në vetë hapësirën në të cilën është edhe adhuruesi/soditësi. Struktura e njëshmërisë së besimit është baza e kësaj pikëpamjeje. Soditësi është lidhja midis dy botëve. Ai është i shkrirë ose një hije midis botës së shpirtit dhe botës së lëndës. Këtu soditësi e ka edhe rolin e sfondit, ku përmes rrezeve të dritës reflektohen ngjyrat dhe e komunikojnë personazhin, i cili shfaqet. Pra, në atë unitet shihet ajo që komunikohet, çfarë është e pranishme. Përmes gjendjes së theksuar shpirtërore të soditësit, përmes besimit të tij në atë frymë, ne mund ta kuptojmë se çfarë do të thotë konstatimi i të bukurës jo vetëm nga shqisat, por edhe nga shpirti, pra e madhërishmja. Me shpirtin, pra, zbulohet “ e fshehura”, ajo që duhet të dihet dhe shikohet se vërtetë ekziston.

Xhamia e Larme

Shembulli më i bukur i arkitekturës dhe artit mysliman në hapësirën tonë, që e konfirmon vlerën e saj, është Xhamia e Larme në Tetovë. Në të del në pah gjithë bukuria komplementare e artit dhe adhurimit në Islam. Aty është e bashkuar feja me artin dhe shkencën. Në te reflektohet harmonia dhe bukuria e përsosur e formave dhe marrëdhënieve matematikore, përmes së cilës rrezaton e madhërishmja, qoftë në arkitekturë ose në dekorimin mural me frymëzimin e fesë. Kubeja është mbështetur dhe ulur në peizazhet të renditura njëra pas tjetrës dhe duket se rri pezull mbi tokë. Kjo është një përkryerje e arritur përmes entuziazmit, që – nëpërmjet bukurisë – të kapet e madhërishmja. Si rrjedhojë, me stilin e saj kjo xhami u lë përshtypje të madhe dhe të thellë vizitorëve.

Gjeometria, simbolika e përdorur, mënyra e përdorimit të ngjyrave, marrëdhëniet e tyre me simetrinë dhe ritmin janë në përpjesëtim të drejtë me parimet e adhurimit dhe, në veçanti, të përshpirtshmërisë islame. Por, mbi të gjitha lë përshtypje bashkëvajtja e artit me konceptet e fesë. Arkitekti mysliman arriti të krijojë një përshtypje të tillë, që duke aplikuar parimin e dematerializimit, ta lë në hije masivitetin e materialit. Ai, nëpërmjet harqeve dhe vijave të lakuara, i hekurosi sipërfaqet dhe bëri që ato të ngjajnë me një qëndisje të përsosur. Harqet u ndërtuan të rrumbullakosura, në mënyrë që materiali ta humbte masivitetin dhe vrazhdësinë Ai e bëri këtë duke e proporcionalizuar gjatësinë dhe lartësinë e ndërtesës dhe duke e bashkuar hapësirën e brendshme me përdorimin e dritës së diellit. Lëvizja graduale drejt lartësisë ngre vështrimin dhe shpirtin e shikuesit drejt dritës. Në atë mënyrë, ngjashëm me kozmosin, paraqitet një hapësirë ​​e pafund, por edhe e kondensuar, e cila përshfaqet si bartëse i idesë së gjithëpranisë së Zotit.

Xhamia e Larme është një ndërtesë adhurimi dhe predikimi e fjalës së Zotit. Por, nga vetë arkitektura e saj, një lloj ekzaltimi i hapësirës, gjithashtu tregon për disa kuptime më të larta. Arkitektura, arti dhe struktura e adhurimit, në përgjithësi, mund të thuhet se bashkërisht janë një faltore e vetme simbolike. Xhamia e Larme ta jep ndjenjën e anijes së Nuhit a.s.. Ashtu siç ajo shërbeu për shpëtim nga katastrofa e mbytjes në ujë, xhamia shpëton nga mëkati, nga vetmia dhe vdekja pa Zot.

Artisti mysliman e sheh xhaminë si një rrugë të ngritjes në qiell. Në kohën e adhurimit, kjo lëvizje e brendshme, detajizim i brendshëm i faltores, çon nëpërmjet përmasës shpirtërore, pra platformës së katërt të thellësisë ekzistenciale, në lartësitë qiellore. Thelbi hapësinor i xhamisë është shënuar në mënyrë mahnitëse: hyrja, mihrabi, minberi dhe muret janë me emrat e pejgamberëve. Dekorimi mural i përket konceptit të adhurimit në xhami. Simbolika e adhurimit dhe artit në faltore përshtaten me njëri-tjetrën. Ata e plotësojnë njëri-tjetrin dhe bashkërisht e tregojnë dimensionin e thellësisë. Figurat, në dekorimin mural, zënë një vend të rëndësishëm dhe e zbulojnë hapësirën qiellore në faltoren e tokës. Pikturat shërbejnë që qielli t’i zbulohet tokës. Dekorimi mural, për besimtarin mysliman, rrezaton një energji të pamatshme transcendente.

Hapësira dhe objekti i artit islam ka një tjetër vlerë të shtuar, shumë më domethënëse se përvoja estetike. Kjo vlerë është në ndikimin që ky objekt ka në moralin dhe natyrën shpirtërore të atyre që e sodisin. Ndërtesat dhe dekorimet estetike të faltoreve nuk janë vetëm objekte, që na çojnë në kënaqësi, por janë edhe kujtesa të gjalla të realitetit të tyre, pra të transcendentes, të mbinatyrshmes, të madhërishmes, si dhe janë stimul i fuqishëm tek njeriu për pastrimin dhe transformimin e brendshëm.

Forma dhe bukuria e xhamisë ia kujtojnë besimtarit qiellin dhe zemrën, si shtëpi e Zotit, të cilat duhet pastruar dhe zbukuruar me virtyte. Gjithashtu, e ngjallin kujtesën e besimtarit për pejgamberët dhe shokët e Pejgamberit a.s., përmes të cilëve dyfishohet zelli moral dhe shpirtëror për të ndjekur rrugën e tyre dhe për të jetuar në dritën e fesë. Ky art, për dallim nga të tjerët, na çon përtej dhe mbi natyrën, në fushën e realitetit shpirtëror dhe, si rrjedhojë, ka aftësinë e kultivimit të qenies sonë të brendshme.