Hyjnizimi i liderit!

Hyjnizimi i liderit!

Shkruan: Husamedin Abazi

Ajo çka pamë, dëgjuam dhe lexuam sot në 16 vjetorin e vdekjës së liderit historik të LDK-së dhe Kosovës, të ndjerin Ibrahim Rugova, na vë në mesin e popujve jo dhe aq të pjekur dhe të formuar. Shenjtrimi dhe hyjnizimi i personave të caktuar, edhe pse me ndikim të pakontestueshem historik për të ardhmen e popullit dhe vendit tonë, është fenomen i cili i shpërfaq bestytnitë dhe irracionalizmat e popujve primitiv dhe të paformuar dhe paarsimuar sa dhe si duhet. Sidomos kur kësaj valle ju bashkangjitën udhëheqësit politik dhe kulturor të shoqërisë sonë. Njëri shprehej: “Hyji i Dardanisë”, tjetri: “Profeti Rugova”, etj! Sado që e kuptojmë alegorinë dhe përdorimin e terminologjisë hyjnore për johyjnorët, jo të shenjtit, këto shprehje nuk tolerohet të përdoren, sidomos nga politikanët dhe intelektualët, sepse përdorimi dhe kakofonia që krijohet nga kjo mendësi, prodhon adhurim, politeizëm dhe shenjtërim të rrejshëm të udhëheqësve, dhe si rezultat i gjithë kësaj, edhe imazhin e liderit te pazëvendësueshëm, të përjetshëm, i cili në asnjë mënyrë nuk guxon të zëvendësohet nga ndonjë udhëheqës tjetër. Me këtë pra ne instalojmë diktatorë dhe sisteme diktatoriale me pasoja marramendëse për të ardhmen e popullit dhe vendit tonë. Këto janë sëmundje nga të cilat jo pak kanë vuajtur dhe vuajnë popuj e vende gjithandej dynjasë. Me sa shohim, edhe me liderët e rinj të popullit tonë, jemi të prirur ta bëjmë të njëjtën gjë?! Një të vërtetë megjithatë duhet mos harruar, e ajo është se Presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova ka qënë personaliteti me ndikimin më të madh në zhvillimet e gjysmëshekullit të fundit, të shek. XX në Kosovë, edhe pse jo i pa huqje, sepse ka qënë njeri.