Hungaria me masa të reja kundër rritjes së çmimeve

Hungaria me masa të reja kundër rritjes së çmimeve

Hungaria ka zgjatur për tre muaj periudhën e çmimit tavan për karburantet dhe ushqimet bazike, në përpjekje për të mbrojtur amvisëritë nga rritja e çmimeve.

Kështu bëri të ditur më 17 shtator shefi i stafit të zyrës së kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Budapesti ka kritikuar Bashkimin Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke thënë se sanksionet kanë dështuar që ta dobësojnë Moskën dhe në anën tjetër kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Inflacioni në Hungari ka arritur në nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit, duke detyruar Bankën Kombëtare hungareze që të rrisë ndjeshëm normën bazë në 11.75 për qind.

Duke njoftuar për zgjatjen e çmimit tavan – që paraprakisht ishte në fuqi deri më 1 tetor – shefi i stafit të Orbanit, Gergely Gulyas, tha se Qeveria do të zgjasë edhe çmimin tavan për normat e hipotekës, që fillimisht ishte paraparë të zgjaste deri në fund të vitit. Çmimi tavan për normat e hipotekës, sipas tij, do të zgjatet “për të paktën gjashtë muaj”.

“Ne vlerësojmë se për aq kohë sa sanksionet janë në fuqi, nuk ka gjasa reale për përmirësim”, tha Gulyas për mediat.

Qeveria e Orbanit po ashtu ka vendosur që të nisë një skemë për të ofruar mbështetje në fushën e energjisë për bizneset e vogla, duke ua mbuluar gjysmën e rritjes së çmimeve të faturave, tha ministri i Ekonomisë dhe Zhvillin, Maron Nagy.

Ai tha se Qeveria po ashtu do të nisë një skemë për mbështetjen e investimeve në bizneset e vogla, për t’iu mundësuar atyre që të përmirësojnë efiçencën në energji dhe për të shkurtuar shpenzimet.

Hungaria, që ka kritikuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, merr mbi 80 për qind të gazit natyror nga Rusia.