` . Humbja e shpresës kombëtare - TV SHENJA

Humbja e shpresës kombëtare

Për më shumë se dy dekada janë ndërtuar “kapacitete” që janë prodhim i partive politike dhe liderëve të mentalitetit enverist. Shëndetësia dhe infrastruktura kritike e dëmtuar, sigurisht se do t’u bie në kokë po atyre që sot mbështesin llojin e liderëve që vazhdojnë të zbatojnë politika të largimit të popullatës dhe thellimit të varfërisë. Gjendja socio-ekonomike dhe politike do t’i sjellë shqiptarët në rajon para një pozite të keqe,  njëjtë si para vitit 1822. Në dekadën që kemi hyrë, pozitë më të keqe kanë shqiptarët e MV-së, duke mos pasur kapacitete të brendshme për t’i hedhur poshtë politikat demagogjike të politikanëve shqiptarë, e sidomos të BDI-së së Ali Ahmetit, dhe satelitëve shqiptarë të LSDM-së, të konvertuar në një parti minore e quajtur BESA, të cilët tani, para zgjedhjeve lokale, po kërkojnë mbështetje lokale-kombëtare për të mbijetuar, por përherë duke bërë kalkulime grupore, përfitime në adresë të LSDM-së dhe BDI-së.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Shteti është si një organizëm i gjallë, ndërsa udhëheqësit e shtetit ose janë të kufizuar nga vetvetja ose nga gjendja e përgjithshme e shtetit në raport me fqinjët dhe shtetet tjera që janë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Le të fillojmë me Maqedoninë e Veriut (MV), e cila prej një izolimi disavjeçar arriti të bëjë dy lëvizje: e para, ndërrimi i emrit dhe, e dyta, hyrja në NATO. Këtu nuk kemi ndonjë dallim nëse MV do ta ketë fatin e shteteve të vogla, që luajnë rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në politikat financiare. Dihet se MV nuk mund të jetë Zvicra, Austria ose Luksemburgu, por mund të punojë në zhdukjen e mentalitetit të vjetër serbo-jugosllav të qeverisjes dhe drejtimit të punëve të jashtme. Gjatë këtij qershori, opinioni u tmerrua me lajmet nga selia e BDI-së. Paraqitja e kryetarit Ali Ahmeti me konceptin e gjelbër ishte vazhdim i politikave të njëjta të sundimit të qytetarit. Opozita shqiptare reagoi, por pa ndikim në ndërprerjen ose jo të talljes publike të Ahmetit me shqiptarët. Gjendja me korrupsionin vazhdoi të mbetet temë qendrore në MV pas deklarimit publik të Departamentit të Shtetit rreth sigurisë dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Disa politikanë lokalë, pas hapit amerikan, u qeshën nën hundë, për shkak të natyrës globale të luftimit të korrupsionit dhe mungesës së mjeteve kombëtare në vendet përkatëse për të dënuar të korruptuarit.

 

Tregimi i vonuar rreth korrupsionit

 

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev as që ka ndërmarrë si diçka serioze për të treguar se po bën hapa të vërtetë në ndërtimin e shtetit ligjor. Përveç premtimeve qeveritare, Shkupi ka ngecur në tregimin se në këtë vend do të ketë drejtësi të pavarur dhe korrupsioni nuk do të tolerohet. Ashtu si po afrohen zgjedhjet lokale, opozita duhet të zgjedhë mes pasivitetit në terren dhe aksioneve të zjarrta online, që nuk kanë shumë efekte në vendimmarrjen e votuesve në zgjedhjet e së vjeshtës.

Si asnjëherë më parë, diplomacia e Shkupit është angazhuar që problemi më Sofjen të zgjidhet të paktën deri në fund të vitit. Qeveria e Shkupit duhet ta shohë problemin brenda vetes dhe nuk duhet të kërkojë zgjidhje në zbutjen e qëndrimit të Sofjes. Nacionalizmi maqedonas tash ka hasur në gozhdën e fortë bullgare, e cila nuk lë vend që sipas kritereve maqedonase të interpretimit dhe shpjegimit të identitetit dhe kulturës maqedonase të ndërtohen raportet e reja ballkanike.

Politika shqiptare në MV, ashtu si me Greqinë, edhe tani me Bullgarinë po mban anën zyrtare maqedonase, e cila më vonë do t’i kthehet me një shpartallosje të identitetit në shtetin e ri maqedonas. Politika zyrtare e shqiptarëve në MV karakterizohet me atë të BDI-së së Ali Ahmetit, që tashmë nga viti 2001 ka bërë mjaft kompromise në “kurrizin” politik dhe ekonomik të shqiptarëve të MV-së. Diplomatët në Kosovë e pranuan se marrëveshja serbo-kosovare është larg dhe koha nuk është në anën e bisedimeve të filluara në Bruksel. Kosova po ndeshet me një bllokadë nga Evropa për të pranuar një marrëveshje përfundimtare më Serbinë. Në këtë frymë është duke shkuar edhe politika e jashtme amerikane, e cila nuk ka ndonjë propozim tjetër, veçse të bëjë presion mbi palën kosovare që të fillojë me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Parë në perspektivë, as serbët dhe as kosovarët nuk kanë gjasa të jetojnë bashkë, andaj krijimi i Asociacionit është hapi i parë i ndarjes fizike ndërmjet shqiptarëve dhe kosovarëve. Në të ardhmen, nëse do të themelohet Asociacioni, ai do të jetë i njëjtë si me Republikën Serbe – dy etnitete që priten të hyjnë në proces nën administrimin e Serbisë.

Në Shqipëri, pas zgjedhjeve parlamentare, as që mund të mendohet të këtë qetësi politike normale. PD-ja, pas rizgjedhjes së Bashës në krye të partisë, nuk e ka ndërmend të bëjë luftë politike pa mjete helmuese. Hapja e negociatave me BE-në këtë qershor është larg dhe afër. Pa një konsensus të brendshëm dhe të jashtëm, Tirana do ta ketë të vështirë të bëjë çeljen e negociatave.

Këtu do të shtoja se humbja e shpresës kombëtare për një integrim gjithëkombëtar në BE është duke zënë vend në qarqet aktuale politike shqiptare rajonale. Pasi energjia kombëtare për një union gjithëshqiptar duhej të niste nga qeveria e Shqipërisë, gjë që nuk është bërë dhe as që do të bëhet, mbetet që, të paktën, për një dekadë shqiptarët në Ballkan të vetëdijesohen dhe të forcohen nga pikëpamja financiare, duke i rritur kapacitetet e investimeve në sektorët strategjikë që njëherazi mund të jenë bazë e mirë dhe tërheqje për Fuqitë e Mëdha. Megjithatë, shenjat demografike nuk janë aq premtuese se një forcim afatgjatë shqiptar në Ballkan do të ndodhë. Mund të jetë vetëm një dëshirë se pozicioni gjithëshqiptar do të ndryshojë vetvetiu pa një ndërrim në raportet ruso-amerikane dhe anasjelltas, BE-SHBA-Rusi.

 

Dioptria e huaj në vizionin e diplomatëve të BDI-së dhe të tjerëve

 

Ndarjet e reja brendashqiptare, pa e lënë anësh edhe diplomacinë e Tiranës dhe të Prishtinës, që nuk po arrijnë t’i zënë dinamikat euro-ruso-amerikane, do të pamundësojnë në të vërtetë daljen nga kriza e mendimit strategjik të qeverive kombëtare dhe shikimit drejt botës së re post-pandemike, që po krijohet me disa blloqe.

Duhet pranuar se, në dekadën që kemi hyrë, pozitë më të keqe kanë shqiptarët e MV-së, duke mos pasur kapacitete të brendshme për t’i hedhur poshtë politikat demagogjike të politikanëve shqiptarë, e sidomos të BDI-së së Ali Ahmetit, dhe satelitëve shqiptarë të LSDM-së, të konvertuar në një parti minore e quajtur BESA, të cilët tani, para zgjedhjeve lokale, po kërkojnë mbështetje lokale-kombëtare për të mbijetuar, por përherë duke bërë kalkulime grupore, përfitime në adresë të LSDM-së dhe BDI-së. Pas gjithë kësaj lodhjeje tredekadëshe, humbja e energjisë kombëtare për t’u ballafaquar me fqinjët dhe brenda vetes po shuhet. Siç duket, mbetet që pozicioni i aktorëve ndërkombëtarë të sjellë ndryshime në hapësirat tona dhe nëse do të ndodhë kjo, do të ishte mrekulli. Nëse jo, gjendja socio-ekonomike dhe politike do t’i sjellë shqiptarët në rajon para një pozite të keqe,  njëjtë si para vitit 1822, kur filluan të lindin shtetet e para kombëtare, por pa një strukturë të fortë ekonomike dhe të projektimit të fuqisë ushtarake.

Se çfarë lloji të lojtarëve politikë kemi dhe mund të kemi në të ardhmen brenda vendit dhe në rajon, flasin vetë figurat aktuale të “diplomacisë fluturuese” dhe të “projekteve” për parashikime të dekadës. Vizioni gjithëkombëtar shqiptar nuk mund të korrigjohet brenda një dioptrie e cila më tepër anon nga shikimi kombëtar i një etnie tjetër që ka për qëllim vazhdimin e dominimit. Mësime duhet të nxirren që tani, por shumë pak të rinj janë të interesuar të vazhdojnë qëndrimin dhe ngritjen në shtetet si MV, Mali i Zi ose Lugina e Preshevës, ku perspektivat për të jetuar janë zero. Këtu, për më shumë se dy dekada, janë ndërtuar “kapacitete” që janë prodhim i partive politike dhe liderëve të mentalitetit enverist. Shëndetësia dhe infrastruktura kritike e dëmtuar sigurisht se do t’u bie në kokë po atyre që sot e mbështesin llojin e liderëve dhe partitë shqiptare që vazhdojnë të zbatojnë politika të largimit të popullatës dhe thellimit të varfërisë. Një ditë kjo e keqe, që ka përfshirë qytetarët e thjeshtë shqiptarë, do t’i zë vetë ata politikanë dhe përkrahës të korrupsionit, që nxitën vjedhjen e hapur dhe dëshpërimin kombëtar.