` . Horizonti i konvergjencave të mundshme paszgjedhore - TV SHENJA

Horizonti i konvergjencave të mundshme paszgjedhore

Përgjithësisht, në këto zgjedhje, në bllokun politik shqiptar kemi një rikonfigurim të horizontit politik që e lëvizë polin e angazhimeve politike në çështjet etnike, gjegjësisht, në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Padyshim që rivaliteti në hapësirën politike shqiptare, do të jetë mes BDI-së dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërkohë që mes BDI-së dhe PDSH gjithashtu shfaqet rivaliteti “tradicional”. Një rivalitet politik jo edhe aq i heshtur po shfaqet edhe mes partive politike shqiptare me LSDM-në, e cila ka koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Besa.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

 

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut do të mbahen në një situatë të jashtëzakonshme të pranisë së virusit korona. Realisht, periudha gati katër mujore është dominuar nga ankthi i pandemisë, ndërkohë që procesi zgjedhor ishte ndërprerë për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në dakordësi me liderët e partive politike. Përkundër përpjekjeve për të menaxhuar me situatën, me kalimin e kohës, qeveria teknike, nuk kishte arritur që të jetë në lartësinë e duhur për shkak të përplasjeve të brendshme partiake, të cilat po reflektonin lëshime dhe paaftësi për ta mbajtur nën kontroll gjendjen me virusin korona. Kalkulimet politike anësore të partive kishin lejuar mosrespektim të masave dhe bashkë me këtë edhe përhapje alarmante të infektimeve.

Gjithë kjo situatë e “injektuar” me paqëndrueshmëri menaxhimi me pandeminë, siç edhe pritej, por nxirrte në sipërfaqe idenë e një qeverie politike, që në fakt nënkuptonte zgjedhje të shpejta. Pas taktizimeve politike, më në fund ishte caktuar 15 korriku si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat besohej se do të dominohen nga tema e menaxhimit ose e keqmenaxhimit me pandeminë. Në horizontin e garës politike, tema e pandemisë gradualisht po ua lëshonte vendin temave politike, të cilat tashmë vinin si fije përplasjesh politike në një kontekst krejtësisht tjetër që ndërlidhej edhe me pozicionime përgjatë trajektores tre vjeçare të qeverisjes, padurimeve politike, por edhe strategjive politike zgjedhore, të cilat do të shfaqen të ndryshme nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016.

Koha e një bashkërendimi imponues dhe të domosdoshëm për të bërë një kthese vendimtare drejt orientimit euro-atlantik, duket se tashmë po fashitej në ripozicionime politike edhe brenda vetë partnerëve të koalicionit, por edhe subjekteve tjera politike, që tashmë po kërkonin një identitetit tjetër politik në një konfiguracion krejtësisht tjetër, kur Maqedonia e Veriut tashmë ishte anëtarësuar në NATO dhe kishte marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Hija e regjimit të Gruevskit që kishte krijuar një momentum rreshtimesh dhe imperativi për të bërë ndryshimet e nevojshme në rrugën e integrimeve tashmë po fashitej në një kundërvënie ndaj konceptit politik të ish kryeministrit Zaev “një shoqëri për të gjithë”. Dukej se tashmë subjektet politike shqiptare ishin në kërkim të një identiteti të ri politik në një kontekst krejt të ri. Siç dihet, partia e kryeministrit Zaev, në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte marrë një numër të konsiderueshëm votash te elektorati shqiptar, ndërkohë që kjo parti edhe në këto zgjedhje nëpërmjet koalicionit parazgjedhore me Lëvizjen Besa përsëri synon që të “arkëtojë” vota te elektorati shqiptar, që realisht, sipas shumë sondazheve, kompenson epërsinë që mendohet se e ka VMRO-DPMNE te elektorati në bllokun politik maqedonas.

Në kontekstin e padurimeve politike qeverisëse dhe në kontekstin e krijimit të një realiteti të ri pas pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe hapjes së bisedimeve, mund të shihet edhe ideja për “kryeministrin e parë shqiptar” e promovuar nga BDI. “Derdhja” e mundshme e votës së elektoratit shqiptar te LSDM, me gjasë ka prodhuar edhe një qasje tjetër politike më etnike të subjekteve politike në bllokun politik shqiptar.

Demokracia mbetet shesh i ideve politike e strategjive zgjedhore dhe çdo ide politike duhet të shihet pikërisht në këtë kontekst të rivalizimit të strategjive zgjedhore që nënkupton më tepër vota për një subjekt të caktuar. Ideja e kryeministrit shqiptar gjithsesi duhet të shihet edhe në suaza të strategjisë zgjedhore, por edhe të një kursi politik rivalizimesh në zgjedhjet e 15 korrikut. Demokracia mbetet shesh i debatit, i kundërvënieve politike, i legjitimimeve dhe deligjitimimeve politike. Sikundër që partia shqiptare në pushtet BDI është në të drejtën e saj të promovojë ide politike garuese, gjithashtu edhe opozita shqiptare është në të drejtën e saj që me argumente t’i kundërvihet një ideje dhe në të njëjtën kohë ta shpalojë vizionin e saj politik për zgjedhjet e 15 prillit.

Sigurisht, ngjashëm si BDI, në sheshin e konkurrimit demokratik edhe opozita në bllokun politik shqiptar ka dalë me idetë politike rivalizuese. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa tashmë kanë dalë me idenë “shtet për të gjithë”, që nënkupton avancim substancial të pozicionit të shqiptarëve në shtet, ndërkohë që Partia Demokratike Shqiptare me idenë për zëvendëskryeministër shqiptar me të drejtë vetoje dhe me idenë për ndarje proporcionale të buxhetit të shtetit.

Përgjithësisht, në këto zgjedhje në bllokun politik shqiptar kemi një rikonfigurim të horizontit politik që e lëvizë polin e angazhimeve politike në çështjet etnike, gjegjësisht, në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Padyshim që rivaliteti në hapësirën politike shqiptare, do të jetë mes BDI-së dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërkohë që mes BDI-së dhe PDSH gjithashtu shfaqet rivaliteti “tradicional”. Një rivalitet politik jo edhe aq i heshtur po shfaqet edhe mes partive politike shqiptare me LSDM-në, e cila ka koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Besa. Koncepti politik i LSDM-së “ një shoqëri për të gjithë” që më tepër zhvillohet në rrafshin qytetar, duket se tashmë në këto zgjedhje po atakohet nga ide politike që kalojnë në një pol më etnik, qoftë me idenë për kryeministrin shqiptar, qoftë me idenë për “shtet për të gjithë”, ose me idenë e zëvendëskryeministrit shqiptar me të drejtë vetoje.

Sigurisht betejat politike parazgjedhore do të zhvillohen në këto dy rrafshe, brenda hapësirës politike shqiptare dhe një betejë tjetër që kërkon ta parandalojë LSDM-në të futet edhe njëherë në trupin votues shqiptar me idenë “një shoqëri për të gjithë”. Idetë politike, platformat politike të këtyre zgjedhjeve të partive politike shqiptare përveç temave tjera, mbeten të përqendruara si substancë politike edhe në një kundërvënie ndaj konceptit të LSDM-së dhe që realisht i bënë ato të reflektojnë edhe në dimensione tjera tëperceptimit të shtetit, si një shtet i barabartë për të gjithë, duke nënkuptuar këtu edhe avancime tjera të pozicionit të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Mbase në vlugun e fushatës kjo mund të duket “paradoksale”, por në esencë në bllokun politik shqiptar ka një konvergjencë orientimi në perceptimin e shtetit që shënon edhe një hop cilësor politik dhe demokratik. Vizionet politike konkurruese në bllokun politik shqiptar duket se tashmë nuk mbeten nën hijen e konceptit politik të promovuar nga LSDM “një shoqëri për të gjithë”, por shkojnë përtej duke ofruar substancë politike dhe demokratike kualitative nëreceptimin dhe strukturimin e shtetit. Në programet politike të partive shqiptare tashmë po artikulohet një vizion tjetër politik qëështë rivalizues, por edhe që konteston konceptin e shtetit, të vendimmarrjes dhe të reprezentimit politik.

Së paku deri më tani, beteja në kampin politik shqiptar është në suaza të normalitetit, të konkurrimit me ide politike dhe të kundërvënieve të argumentuara dhe tolerante. Me gjasë shqiptarët po futen në një fazë më të pjekur politike, ndërkohë që substanca e platformave politike shënon një kualitet krejt tjetër nga ajo që ka mundur të shihet në të kaluarën.

Sigurisht, fushata zgjedhore nënkupton rivalizim strategjish zgjedhore, debat legjitimimesh dhe delegjitimimesh. Vetë esenca e demokracisë nënkupton debatin e përhershëm politik. Asnjë ide nuk mund të demonizohet dhe sigurisht çdo kundërvënie mbetet legjitime dhe në funksion tënjë vizioni tjetër politik që pretendon përfaqësim të një shumice. Sidoqoftë, “loja” e vërtetë me gjasë do të fillojë pas 15 korrikut varësisht nga rezultati zgjedhor. Rezultati zgjedhor në asnjë rast nuk mund të prejudukohet. Pavarësisht rivalizimeve parazgjedhore, situata paszgjedhore mund të imponojë një konvergjencë të subjekteve politike në taborin shqiptar. Sigurisht gjithçka do të varet nga rezultatet zgjedhore, por një konvergjencë politike që bartë minimalisht substancën e platformave që po shpalojnë partitë mund të hapë një horizont tjetër, që tani për tani duket i pakapshëm.