` . Holokausti kosovar - TV SHENJA

Holokausti kosovar

Idlir Azizaj

Dhe i ulur në gjunjë, u luta për shtatë orë, siç nuk ndodh më në vendet tuaja të pabesa, dhe i blatova zotave holokaustine mendimeve të mia.

Alexandre Dumas

Profesori amerikan, mësimdhënës në Universtitetin e Prishtinës, piu edhe një gllënjkë kafe filtri nga filxhani i trashë. Filxhani prej qeramike ishte zbukuruar me pamje varaku, ku qe stampuar pjesa ballore me tulla të trasha e Harvardit. Kur e la filxhanin më tej, profesori dalloi pasqyrimin e mugët të fytyrës së tij në smaltin blu. Ju duk sikur iu shfaq i deformuar portreti i Henry Kissingerit, në distancë. E harroi mandej mbi tryezë filxhanin, pranë fletëve me leksione për studentët e shkencave politike. Prej dy vitesh ai jepte në Prishtinë një ligjëratë të gjatë me temë:

“Si të shmanget lindja dhe ekzistenca e shteteve zuzare (rogue states) në rajonin ballkanik të epokës post-komuniste përkrah evidencës së ndikimit oriental e të kontestuesëve periferikë të Europës ndaj vlerave perëndimore të demokracisë dhe të sundimit të ligjit (the rule of law)”.

Profesori L.D.Konrad, (i cili vërtet kish pasë qenë dikur stazhier në fondacionin Adenauer) u kujtua se duhej të rruhej për herë të dytë atë pasdite. U ngrit dhe kërkoi me sy radion, ku kish dëgjuar më parë lajmin për përgatitjet e një marrëveshjeje speciale mes vendeve të rajonit, e që do të nënshkruhej, si zakonisht, në Uashington. Pikërisht, atë pasdite, me orën lokale të Kosovës, do të nëshkruhej ajo marrëveshje historike dhe “dashurore”, sipas burimeve të sigurta të shtetit.

I hutuar, profesori Konrad nuk e gjeti dot radion. Atëherë vendosi të verë në përdorim televizorin, që e ndizte shumë rallë. Për shkak se debatet televizive lolake nuk i dukeshin as interesante, por as të qenësishme. Shqip kishte mësuar në mënyrë gati të përsosur. Por shqipja që ndinte në debatet e televizoneve lokale nuk i përngjasonin me gjuhën shqipe që kish nxënë nëpër libra dhe metoda shkollore. Mandej, debatet politike që kish marrë mundimin të ndiqte më parë (për të perfeksionuar gjuhën) ia prishnin dhe rendin e arësyetimit brenda vetes. Shumica e informacionit verbal që i vinte nga këto debate socio-politike i merrnin në tru pamjen e legjendave pa origjinë.

Herën e fundit që kish denjuar tëndiqte një debat të atillë, folësi kishte sajuar një lidhje të veçantë njerëzore-politike mes Shqipërisë fqinje dhe Izraelit të largët. Ai tregonte me “fakte” (që domethënë: me fjalët e kushëririt të tij) sesi sionisti britanik Leo Elton kish dërguar një relacion presidentit të Universitetit hebraik, Judah Leib Magnes. Aty ai përshkruante udhëtimin e vet në Shqipëri, në vitin 1935, dhe takimet me kabinetin e mbretit Zog …

-Cilët ministra takoi? e kishte pyetur drejtuesi i emisionit.-Nuk e di tamam, kish thënë i ftuari. Por di që zoti Elton kish mburrur në relacion portokallet e limonat e Shqipërisë.-Dakort, kish thënë drejtuesi i emisonit, por vetëm për kaq e kish dashur Shqipërinë?-Jo, jo, kish thënë i ftuari, ai kish theksuar se myslimanët shqiptarë nuk janë aspak fanatikë. Dhe se shqiptarët në rajon nuk kanë ndjenja antisemite.-Këtë e themi edhe ne vetë, tha me inteligjencë të marrë borxh aty për aty drejtuesi i emisionit. Por kush ishte pika më me vlerë e këtij relacioni sionist kaq pro-shqiptar?-Ideja ishte kjo: të shihej mundësia për krijimin e shtetit të Izraelit në Shqipëri, si ai mandatori në Palestinë, theksoi i ftuari. Në këtë mënyrë shumë çifutë mund të emigronin aty, e të merreshin me bujqësi e me rritjen e krimbit të mandafshit.-Po përse nuk u bë kurrë i mundur ky sugjerim, kishte pyetur drejtuesi i emisionit.-Këtë s’di unë, kishte thënë si në faj i ftuari kapadai; vetëm se sipas arkivistit Haddah Assouline ky relacion ka dalë në dritë rreth vitit 1945.

Për ta bërë situatën edhe më të paqartë – si zakonisht në debatet politike televizive – drejtuesi i emisonit e kishte pyetur të ftuarin lidhur me burimin e gjithë këtij informacioni. I ftuari kish ngurruar një herë. Por nën presionet e medias, kishte zbuluar se kushëriri i tij, që kish marrë pjesë dikur në takimin e Fatos Nanos me Arafatin në Jeruzalem, vite para, ia kishte rrëfyer gjithësa më sipër.

***

Këto kujtonte profesor Konradi, ndërsa shtypi pultin e telekomandës. Me një lëvizje të gishtit solli një zë brenda dhomës së ndenjes, në apartamentin me qera, katërqind dollarë në muaj. Pastaj shpejt u largua drejt banjës, filloi të rruhej me makinën elektrike. Zëri jashtë tij nëpër dhomëfilloi të përzihej me zhaurimën e makinës, që ndryshonte sipas vendeve ku e kalonte nëpër fytyrë. Frazat vinin nga televizori i vetëm në dhomë, tek veshi i tij ato vareshin të ngrëna rrugës. Profesori rruhej para pasqyrës, u mendua edhe një herë sesi mund ta përkthente saktësisht termin ‘rogue states’ në shqip gjatë leksionit. E kaloi aparatin nga maja e mjekrës poshtë nëpër gushë, i ngriti syë dhe mendimet më lartë, makina mbërriti me zhurmë më të mekur mbi mollën e Adamit. Me veshët pak më të ulur ai thithi vetëm pjesën e fjalisë:

-… territori që ishte Amerika …

Por sakaq e lëvizi makinën më lartë, pranë veshit të djathtë, vazhdoi të rruhej. Folja në të shkuarën që sapo dëgjoi i erdhi edhe një herë në kokë, por nga brenda kokës kësaj here. Ai vazhdoi punën me kujdes; pak kureshtar, ktheu kokën nga drejtimi ku vinte zëri i televizorit përballë tryezës me xham e me leksionin sipër, e zgjati qafën pak më tepër mbi shpatullat, duke vështruar me sytë skiç ecurinë e rrojtjes në pasqyrë. I mblodhi buzët sikur s’donte të nxirrte më asnjë fjalë në jetë, e kaloi makinën mes hundës dhe buzës së sipërme. Aty e ngjeshi ca makinën pas mishit, zhuarima u pakësua dhe ai dëgjoi diçka më qartë e disa centimetra fjalë më shumë:

-Vërtetë e pabesueshme, por ja ku ndodhemi …

Profesori e ndali makinën e rrojes, i interesuar; zvogëloi pak sytë, duke u rrudhur paksa. E vuri me kujdes makinën mbi mbajtësen prej porcelani nën pasqyrë, u nis drejt dhomës, duke u përkulur në një hap të kapte me dy gishta këpucët në korridor. Vështroi ekranin, ndërsa po ulej të vishte këpucët, dhe imazhi i parë që hasi ishte një sipërfaqe e madhe, dukej shumë e madhe, me ujë, ngjyë blu, dukej sipërfaqe detare. Zëri i televizorit foli shpejt:

-Ja dhe pamjet që na vijnë nga kamera jonë, tetë mijë kilometra larg…

Zëri i spikerit vinte i ulët, i ngadaltë, si në turp. Profesori ngriti kokën ndërkohë që instinktivisht po ia përshtaste këmbën këpucës, dalloi sërish një pamje thuajse katrore, si ekrani, tërësisht të kaltër. Ai mori në dorë filxhanin e rëndë, piu nja dy gllënjka kafe, të vakur tashmë, deshi ta linte, por e ngriti dhe e mbajti para dhëmbëve. Një zë tjetër po në atë frekuencë foli me njëfarë timbri:

-Është skandaloze që po flasim të tilla gjëra. As vetë nuk e besojmë atë që themi këtu live. Por e shihni që ndodhemi pikërisht mbi hapësirën ku deri dje në darkë ndodhej kontinenti amerikan, toka e Shteteve të Bashkuara, që sot … s’është më!

Pasoi një heshtje.Vetëm ekrani shfaqte një të kaltër absolute. Profesori e uli diç më poshtë filxhanin, por u ul edhe vetë në nivelin e kokës, me sytë e ngulitur te ekrani. Shpejt ai kontrolloi stemën Euronews të kanalit, e vetme përmbi sipërfaqen blu nëpër xham. Zëri nuk jepte më asgjë, ndërsa ai ngriti volumin dëgjoi qartë një zhurmë të largët helikopteri. Profesori e ngriti volumin deri në fund, dhe në fund të shkallës foli me vete ngadalë:

-What the hell is all this about (ça dreqin bëhet?), pastaj diçka iu kujtua, që kanali jepte çdo ditë rubikën “le mag” me lajme mbi artet e spektaklet. Pa besuar dhe shumë, por pak i ndryshuar, ai priti. Pas pak ai nuk duroi, gjeti me dorë telekomandën në kanape, ndërroi kanalin, por sërish po ajo ngjyrë blu, një sipërfaqe e gjerë ujore dhe zhurmë e largët helikopteri në xham. Lëvizi butonin duke numëruar me mend kanalet ndërmjetëse deri tek stema e Cnn, por kanali nuk u shfaq në numrin e cakuar. Instinktivisht ai u kthye në kanalin e parë, ku nisi dëgjimin. Zëri pas xhamit doli tani i pakët, jo fort i sigurt, por disi më profesional se më parë, duke i folur dikujt që nuk dukej në asnjë pikë të hapësirës blu në ekran:

-Kemi në linjë kartografin anglez … Zoti Carter, ju lutem na siguroni edhe një herë, a janë apo jo koordinatat e shteve të bashkuara, hapësira ku ndodhet … ku ndodhej Amerika?

Dhe një kollitje e shkurtër pasoi, pastaj një zë shumë shkencor foli frazat që fatkeqësisht nuk ka dyshim për ta se aparatet tregojnë saktë që janë pikërisht në koordinatat e Shteteve të Bashkuara dhe se sinqerisht po të heqin një pingule nga helikopteri ku ndodhen janë krejtësisht mbi Çikagon … Pastaj zëri u ndërpre, pikërisht si rrëfimi i shpejtë por i qetë i një prindi pranë shtratit të fëmijës, kur e sheh se të voglin e ka zënë gjumi. Intervali i heshtjes u zgjat pak, pastaj zëri tjetër profesionist foli:

-Mos vallë aparatet nuk janë të sakta, nuk punojnëmirë? Më falni për prepotencën, profesor, por ju e kuptoni se…

-Jo, jo, ju keni shumë të drejtë edhe për ne kjo është diçka … diçka … si t’ju them, mua nuk më besohet madje që po flas me ju në linjë të drejtpërdrejtë, por fatkeqësisht aparatet janë në rregull … imagjinoni, po ju them që fatkeqësisht aparatet janë krejt në rregull … ose ju dhe unë kemi diçka difektoze nëpër kokë sot …

Brenda apartamentin në Prishtinë, profesori Konrad krroi kokën, duke vështruar gjerësinë stërmadhe blu në xhamin përballë. Shtypi butonin e programit në telekomandë, por asgjë nuk ndryshoi. E shtypi pak nervoz disa herë, derisa u bind për rënien e baterisë. Ai u afrua drejt ekranit, aty pranë u ul në gjunjë, me gishtin tregues të dorës dë djathtë në rrezen e vet të shikimit, që iu shtua në plan njëtrajtshmërisë së sipërfaqes monokromatike përballë. Pastaj u tërhoq ngadalë për të parë në kënd më të gjerë. Ndërsa dëgjonte zhurmë helikopterësh të largët, shtangia po materializohej diku brenda tij, diku mes zorrëve dhe mushkërive. Profesori Konrad ktheu kokën drejt orës së madhe karakteristike të pronarëve shqiptarë të apartamentit, në kënd të dhomës, me sytë mbërthyer tek akrepat, por pa lexuar gjë; vuri pëllëmbën pak të hapur përmbi ekran. Njollat e lehta të djersës po tkurreshin shpej mbi xham, kur profesori ishte sakaq në këndin tjetër të dhomës, ku gjendej telefoni. Shpejt ai formoi një numër në Nju Jork, priti me kokën nga ekrani, nën ritmin e vijueshëm e të shtrirë të motorrëve të helikopterëve, priste sinjalin e ziles në anën tjetër të padukshme. Një helikopter u shfaq pak në xham, diku në largësi, pastaj u bë njollë në largim e sipër. Zëri rifillonte herë pas here, fliste ngadalë, por me copëza, me pauza shumë të gjata për një emision lajmesh, pa e prishur mozaikun njëngjyrësh në ekran. Profesori u kujtua që s’kishte dëgjuar sinjal andej, bëri një redial, priti, kësaj here me sytë e mbërthyer tek shifrat e aparatit telefonik, duke i vështruar me radhë nga zero te nënta si t’i shihte për herë të parë. Bëri një tjetër “redial”, shifra të padukshme u nisën me shpejtësi drejt prindërve të tij në një lagje të Nju Jorkut. E provoi shumë herë, por asnjë sinjal, asnjë zile nuk vinte nga pjesa plastike që ai mbante pranë njërit vesh. E uli receptorin, kaloi edhe një herë me shpejtësi numrin nëpër mend, qëndroi aty në këmbë, mendoi e foli me zë:

– Nuk ka mundësi, s’është e mundur! dhe pa u menduar më doli në dritaren që binte mbi Hotel Grandin në kënd. Dalloi prej aty shitoren e tij të preferuar të ëmbëlsirave turke. Poshtë në rrugë s’kishte frymë. Nëpër mure vetëm postera dhe graffiti gjallonin. Një mbishkrim i freskët, ende i pambaruar shënonte një pushkë të markës Rambo-mjerimi! Pak më tej fotografia e Sharon Stone, duke kryqëzuar këmbët pa brekë, por me kokën e Vuçiçit, ku shkuhej në cirilike: Kosova, dikur varri im-tash mitra ime! Mandej një imitim gjigand i tasit të çajit “Barack Zajednica” ku avujte nxehtëpërkulnin qafën drejt sheshit qeveritar, me reklamën: Hot-Hotter-Hoti. Një fllad ere erdhi si me sustë, e lëvizi nga muri afishen e grupit rap FFF (ose Frantz Fanon Ferdinart), ku, mbi hartën e Gazivodës shkruhej titulli i albumit: “Grenelli faktapitun”.

Më në fund, profesori dalloi më tej një burrë majë biçikletës, i ndalur te trotuari, me njerën këmbë të mbështetur aty, duke folur pa volum me dikë lart, në ballkonin e restorant “Pa-pirun Pa-reciprok”, i njohur për klientelën e ndërkombëtarëve. Profesori Konrad dalloi fytyrën e ndryshueshme, serioze, të habitur, pastaj dalloi që ai poshtë nxorri gjuhën përjashta, (si për të thënë: – A po lun koqe me mua a si?); ndërsa burri në ballkon bëri një gjest duke ulur një pëllëmbë poshtë dhe tjetrën e kaloi si shtresë mbi ajrin midis. Burri zbriti me vrull, e tërhoqi gati biçikletën mbi trotuar, drejt hyrjes së pallatit të bashkëfolësit sipër. Profesori vështroi edhe pak hyrjen e pallatit, tashmë pa njeriun në dukje. U kthye në anën gabuar, perdja i zuri trupin dhe rrugën; e shtyu me një gjysmë harku të krahut, dhe u gjend sërish përballë ujit blu.

***

Rreth orës dy pasdite profesori ende rrinte në këmbë me pultin në dorë para ekranit. Mendimi s’i punonte më prej orësh. Kështu i erdhi ndërmend sesi çështja kosovare qe bërë faktor jetësor për fushatën amerike, faktor madhor biles. Mirëpo kjo lidhje e Kiametit amerikan (the total Flood, e quanin mediat) dhe Kosovës ju duk ndikim i bestytnive tipike të Ballkanit.

Një orë më vonë mori telefonatë nga ambasada amerikane. Të gjithë qytetarët amerikanë duhej të rrinin në shtëpi; ambasadori do t’i thërriste të gjithë qytetarët amerikanë në Kosovë pak më vonë, tashmë që çështja e zgjedhjeve kishte humbur pa nishan. Por duhej tësiguroheshin plotësisht për vërtetësinë e ngjarjes. Profesori doli në dritare dhe sërish pa qytetin shkretë. Iu kujtua pelegrinazhi në shkretëtirën Neguev të Izraelit. Imazhe të bazës nukleare të Dimunas (që sipas fjalimit të Kadafit në OKB qe bërë shkak për atentatin ndaj Kennedyt) i fluturan në mendje vrik. Pastaj, duke menduar në rang pak më historik, i lindi pyetja e beftë se pse ishte krijuar kjo paralele e fundit mes Izraelit dhe Kosovës, kur dihej ekzistenca e grupit ushtarak kosovar S.S Skënderbe, që pat ndihmuar në përqëndrimin e çifutëve të zonës! Por sërish kuptoi se këto historicizma vulgarë ballkanikë i hynin në tru veç sajë këtij kiameti të pabesueshëm që kish ndodhur.

Të gjitha televizionet ofronin vetëm ngjyrën e kaltër të thellë dhe stemat përkatëse, timbret e ndryshme të spikerave. Bbc dhe disa televizione të tjera raportonin për kthimet pa asnjë material “të freskët” të reporterëve të tyre që kishin dalë nëpër rrugët e Europës për të marrë opinione mbi çfarë kishte ndodhur përtej oqeanit. Por njoftonin se së shpejti do të bëhej lidhja e drejtpërdrejtë me konferencën e shtypit të liderëve europianë në selinë e Natos në Bruksel. Herë pas here lajmet ndërpriteshin për transmetimin e reklamave të planifikuara, por ato kalonin shpejt dhe të shfaqura gati përgjysmë. Disa prej tyre jepnin vetëm emrin e produktit dhe pjesën e fundit të kolonës zanore të spotit. Profesori shihte i ngurosur të vetmin imazh të lajmit: sipërfaqen e pa-anë blu të ish-Amerikës. Kështu nuk ndenji dot pa menduar sesi pas mbytjes së sindikalistit Franz Stenzer në liqenin Welchen, pranë kampit të Dachaut, edhe holokausti kish ndryshuar gjendjen agregate. Përballë ujit blu pa kufi të ish-SHBA, veç tymi i vokët mediatik ngrihej deri në kornizën e televizorit.

Liderët dolën në ekranin para profesorit, të ulur rresht në një tavolinë të gjatë, me fytyrat solemne. Pas një heshtjeje të thellë, të ngjeshur (këtu profesori u nxit nga diçka e habitshme dhe shypi instinktivisht butonat e TV, por gjeti po atë heshtje si më parë), u dëgjua një zë:

-Besoj të gjithë i keni ndjekur imazhet gjatë ditës jemi të tronditur si asnjëherë dhe pauzë duke vështruar pak kolegët nuk e dimë vërtet nëse duhet ta besojmë atë që po shohim. Ai u tërhoq pas dhe ngriti duart lart i dorëzuar. Pasoi sërish një vakuum në kolonën zanore të televizorit, pastaj një burrë tjetër i tavolinës foli:

-Po presim të dëgjojmë edhe një herë specialistët …

Por disa nga kolegët e tij kthyen kokat shpejt, me shprehje të njësuar të fytyrës, u tërhoqën pa reagime të kapshme nga kamerat. Profesori e vështroi liderin që fliste dhe u zgjat pak para që të pyeste … Zëri i liderit vazhdoi:

-Ju lutemi qytetarëve amerikanë kudo ndodhen të mundohen të jenë të qetë!

Ndërkohë profesori u ul më në fund duke hapur gojën, duke e mbajtur gojën të hapur. Lideri para tij në plan të parë vazhdoi:

-Ne i shprehim ngushëllimet tona kolegëve amerikanë …

Por një zë i padukshëm në sallë reagoi shumë shpejt:

-Si?kujt? kujt ia shprehni ngushëllimet? si?

Liderat vështruan njëri tjetrin, disa duke zgjatur duart para nëpër tryezë, disa duke u tërhequr pas nga karriget përkatëse. Në apartament, profesori Konrad shihte disa gazetarë të ngritur në këmbë, një kor me pyetje, ku kapte herë pas here copëza si kur apo çfarë mendoni apo hera e fundit etjera, derisa një zë tjetër në boksin e televizorit doli mbi masën zanore, u dëgjua si:

-Ju lutem gazetarëve t’u japin përparësi kolegëve amerikanë që punojnë këtu. Kemi edhe shefin e departamentit të aeronautikës të gatshëm për çdo pyetje”. Një burrë i gjatë me thinja të qethura fare shkurt i doli para profesorit, solemn dhe gri, qëroi fytin por nuk foli. Gishti i tij tregoi diku në një pikë dhe prej saj erdhi zëri i reporterit të Fox-news, që foli kësisoj:

-Gjeneral pauzë keni bërë pauzë prapë matje? A është vërtetë pauzë Amerika?

-Fatkeqësisht po, tha grysur gjenerali, me duart e kapura në anët e tribunës me stemën e Natos përballë profesorit në apartamentin e tij në Prishtinë. Kemi bërë matje gjatë gjithë ditës me çdo lloj specialisti të aeronautikës të gjeodezisë etjerë etjerë gjithë paraditen kemi konfirmuar raportime dhe rezulton se hapësira boshe që shihni në ekran është hapësira e Amerikës.

Ai u kollit lehtë, mori sërish qëndrimin e parë dhe ktheu sytë nga profesori, por një zë tjetër doli nga boksi:

-Keni ndonjë ide nga se mund të ketë ndodhur kjo?

Gjenerali i hoqi sytë nga profesori dhe tundi kokën shumë i menduar, tha:

-Askush deri tash nuk ka ndonjë ide të qartë, më vjen keq.

Një pauzë tjetër pasoi, pastaj dora e gjeneralit u ngrit pak, u ul për të dalë mandej zëri i një gruaje:

-Mos vallë ndonjë fuqi madhore?(pak pauzë)Mos ishte zoti?

Gjenerali anash dhe profesori drejt vështruan rendin e liderëve të ulur në tryezën e gjatë. Disa prej vetullave të tyre lëvizën, dhe në fund ushtaraku në podium i tha mikrofonit përballë tij:

-S’besoj se kam ndojë koment për këtë.

Befas zërat e gazetarëve u fashitën krejt. Gjenerali në Tv priste në këmbë zëra të tjerë; dhe profesori në Prishtinëe pa sesi u largua pak më vonë nga podiumi i shtypit dhe iu afrua liderit në cep të tryezës. Ky mbajti vesh buzët e ushtarakut të përkulur mbi të, me dorën e djathtë bllokoi mikrofonin para tij në tavolinë. Ndërkohë dikush në cepin e majtë të ekranit foli:

-Pas dy orësh do të jepet një komunikim i rëndësishëm për të gjithë qytetarët amerikanë që ndodhen jashtë vendit.

***

Një numër i madh anijesh të mbushur me qytetarë amerikanë u nisën nga portet europiane, aziatike, indiane etjerë, një javë pas lajmit. Anijet lundronin drejt hapësirës së ish kontinentit gjigand; njerëzit në bordet e tyre rrinin kryesisht të heshtur e të pagjumë. Pothuajse asnjë dialog nuk ndodhte mes pasagjerëve të shastisur gjatë. Pas disa ditë udhëtimi, për herë të parë qytetarët filluan të dëgjonin disa informacione nga altoparlantet që njoftonin se edhe pak e do të hynin në hapësirën gjeografike të ish Amerikës.

Pasagjerët nisën të afroheshin nëpër parmakët e anijeve; të heshtur ata vështronin me dylbi hapësirën stërmadhe ujore anekënd tyre, e pafund përballë syve të tyre këmbëngulës; në heshtje disa ia kalonin dylbitë njëri tjetrit, pa pyetje, pa komente. Zërat nëpër altoparlantë përsëritnin pa shumë volum mesazhet: -Tani jemi mbi Boston … tani ndodhemi pingul me Teksasin, më saktë mbi ish-varrezat e dëshmorëve të Luftës I Botërore … tani jemi mbi ish Kaliforninë … të paktën sipas koordintave të busullave, dhe hartave dikur të njohura! Udhëtarët gojëkyçur vazhdonin të zhbironin me vështrime të përshpejtuara sa ua pengonte fare çdo lloj mendimi, me dylbi mbi sipërfaqen e ujit; anijet e kishin ulur shpejtësinë, gati në nivelin e zërave nëpër altoparlante sipër kokave të qyetarëve, e të shpërndara gjithkund nëpër gjeografinë që tashmë bëhej çdo çast e më e vështirë, përjetë e padeshifrueshme.

Shënim: ky tregim është shkëputur nga romani “Terxhuman” i këtij autori, botuar nga Zenit, Tiranë, 2010. Këtu botohet me disa ndryshime. /http://www.e-zani.com/